Kosnett: Gjykatës Speciale nuk i ka skaduar mandati

Aktuale

Kosnett: Gjykatës Speciale nuk i ka skaduar mandati

Më: 1 tetor 2020 Në ora: 16:21
Philip Kosnett

Raportet dhe partneriteti ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës janë të forta, por është e rëndësishme të mos mendohet që këto raporte mes Uashingtonit dhe Prishtinës do të vazhdojnë përgjithmonë, porositi ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett i cili gjatë një konference virtuale për media po ashtu tha se Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar nuk iu ka skaduar mandati.

Ambasadori Kosnett tha se qëndrimi i Qeverisë amerikane është se Gjykata Speciale është një institucion i rëndësishëm dhe i pavarur.

“Dhomat janë institucion i Kosovës dhe duhet t’iu lejohet që të punojnë pa pengesa”, tha Kosnett, duke shtuar se është i vetëdijshëm se shumë persona që kanë kryer krime, ende nuk janë sjellë para drejtësisë, por sipas tij, duhet të kërkohet “më shumë drejtësi, e jo më pak”.

Ndryshe, vazhdimin e mandatit të këtij institucioni në Hagë ka kërkuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes ndryshimeve kushtetuese.

Kosnett tha se raportet dhe partneriteti ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës janë të forta.

“Është e natyrshme që marrëdhëniet tona do të evoluojnë dhe ju duhet të prisni që në të ardhmen, Kosova do të bëhet më e pavarur ekonomikisht dhe më pak e varur nga ndihma amerikane, nga ndihmat e diasporës apo të të huajve në përgjithësi”, tha Kosnett gjatë një konference virtuale për media.

Ambasadori Kosnett tha se SHBA-ja e ka ndihmuar Kosovën dhe do të vazhdojë ta ndihmojë që të pavarësohet ekonomikisht, të jetë vend më i sigurt dhe të ketë më shumë barazi politike, por sipas tij, të gjitha këtyre proceseve duhet t’iu prijë “populli dhe liderët politikë të Kosovës”.

Këmbëngulja e SHBA-së, kontrast i BE-së

Stile të ndryshme, argëtim pafund, shije të veçanta dhe çdo dëshirë e juaj realizohet në Abi Çarshia.

Kosnett tha se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka dëshmuar “më shumë përkushtim konkret dhe ka bërë më shumë veprime për të përmirësuar situatën në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor më shumë se çdo administratë tjetër amerikane në këto 20 vjetët e fundit”, qofshin ato administrata republikane apo demokrate.

“Ne jemi në një kohë kur Qeveria amerikane dhe miqtë tanë në BE janë vërtetë të fokusuar në Ballkanin Perëndimor, që të bëhet përparim në këtë rajon. Mund të ju them se ka mbështetje të të dy partive në SHBA për këtë gjë, por nuk mund të ju premtoj se energjia aktuale dhe përkushtimi do të vazhdojë përgjithmonë. Është e rëndësishme që të shfrytëzohet ky moment”, tha ai.

Ambasadori amerikan shtoi se ndryshimi eventual i administratës amerikane pas zgjedhjeve presidenciale më 3 nëntor, nuk do të ndryshojë asgjë sa i përket normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi “për pavarësinë e Kosovës, zhvillimin dhe stabilitetin rajonal ka mbështetje nga të dy partitë amerikane”.

Dialogu i Brukselit dhe iniciativat ekonomike të SHBA-së të zhvillohen paralelisht

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Kosnett tha se SHBA-ja nuk mendon se mund të ketë paqe të qëndrueshme dhe zhvillim ekonomik në këtë rajon, nëse çështjet ekonomike dhe politike trajtohen ndarazi.

“Ne e mbështesim këtë proces (dialogu i Brukselit) dhe besoj se është e rëndësishme që të vazhdohet në mënyrë paralele me iniciativën që qeveria ime ka ndërmarrë që të fokusohemi në iniciativa ekonomike, të cilat do të përmirësojnë jetën e qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë”, tha Kosnett.

I pyetur nëse çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duhet të diskutohet sërish nga Kosova dhe Serbia, Kosnett tha se kjo çështje hyn në kuadër të procesit të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, ku partnerët e BE-së dhe qeveritë e Kosovës dhe Serbisë, i prijnë procesit.

“Unë nuk do të komentoj për specifikat e çështjeve për të cilat po diskutohet në procesin e udhëhequr nga BE-ja”, shtoi ambasadori amerikan.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Derisa Kosova thotë se çështja e Asociacionit është çështje e mbyllur, edhe pse ende nuk është formuar, Serbia insiston që për këtë çështje duhet të diskutohet sërish. Madje, në takimin e fundit të Kosovës dhe Serbisë në nivel ekspertësh në Bruksel, Beogradi e kushtëzoi vazhdimin e dialogut me këtë çështje. Edhe BE-ja këmbëngulë që Asociacioni duhet të jetë pjesë e marrëveshjes finale, gjithëpërfshirëse.

Sa i përket moratoriumit njëvjeçar, ku Kosova është zotuar se nuk do të tentojë të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, e Serbia që të ndalë fushatën e çnjohjeve të Kosovës – zotime këto të bëra në kuadër të marrëveshjes për normalizim ekonomik të nënshkruar në Uashington – Kosnett tha se kjo u bë për “që të bëhet përparim në iniciativat ekonomike”.

“Ne e dimë se do të duhet kohë që përparimi i vërtetë të jetë i dukshëm për shumë çështje për të cilat palët janë pajtuar në Uashington. Ne nuk mund të presim që autostradat dhe linjat hekurudhore të ndërtohen brenda natës… Palët janë pajtuar se është më mirë që të lirohen nga presioni politik, nga drama politike, të marrin frymë, të themi nga procesi i mbushur me tensione, dhe brenda një vitit të fokusohemi në çështjet ekonomike. Çfarë presim që të ndodhë pas një viti? Ne jemi të bindur se nëse dy qeveritë, e Kosovës dhe Serbisë, i marrin seriozisht këto zotime, ne do të shohim përparim të madh gjatë kësaj periudhe”, tha ambasadori amerikan.

Kosova dhe Serbia më 4 shtator, në Zyrën Ovale arritën marrëveshje për normalizim ekonomik. Veç tjerash, në marrëveshje palët janë zotuar për projekte infrastrukturore që do të lidhnin më mirë të dyja shtetet. /REL/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat