Prokurori Jack Smith i Gjykatës Speciale jep detaje për Salih Mustafën

Aktuale

Prokurori Jack Smith i Gjykatës Speciale jep detaje për Salih Mustafën

Më: 5 tetor 2020 Në ora: 15:58

(E plotësuar) - Avokati mbrojtës i tij Julius Von Boné, i ka përmendur një libër shqip, ku flitet për UÇK-në,  që po përdoret nga prokuroria si pjesë e provave kundër Mustafës.

“Materialet që më janë dorëzuar, aty përmendet shpesh një libër i shkruar nga një autor i caktuar, unë e kam parë këtë libër dhe nuk e di nëse ky libër do të më jepet apo është pjesë e provave. Është e rëndësishme të thuhet kjo në këtë fqazë sepse kur e kam pyetur klientin tim, ka pasur disa pjesë ku janë bërë citime të atij libri. Ne duhet të dijmë burimin e këtyre citime, të na thotë prokurori, nëse ka ndërmend të na jap këtë libër dhe a do ta përdorë si provë materiale. Mendoj që kjo është e rëndësishme për gjykimin. A mund të shikojmë ne librin, kjo është pyetja që ja bëj prokurorisë”, tha avokati i Mustafës, Julius Von Boné.

Ndërsa prokuroria ka thënë se një pjesë e këtij libri do të përdoret si provë kundër Mustafës, por se nuk bëhet pjesë e materialit mbështetës të aktakuzës të ngritur ndaj tij.

Ndërkohë nga mbrojtja u kërkua që libri të përkthehet në gjuhën angleze, gjë e cila më pas nga gjykata dhe prokuroria u tha se është bërë dhe do të bëhet në pjesë të caktuara të tij e të cilat do të përdoren si prova.

***

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është mbështetur në 5 dëshmitarë për t’i ngritur akuzat kundër ish-eprorit të UÇK’së, Salih Mustafës.

Prokurori i Specializuar tha se në këtë fazë, Prokruroria e Specializuar mbështetet në këta 5 dëshmitarë. Ai ka shtuar se kanë ndërmend që edhe gjatë gjykimit të mbështeten në këta dëshmitarë.

“Janë edhe disa hapa që duhet t’i kryejë Prokuroria. Si rezultat i kësaj, ekzistojnë gjasa që në të ardhmen të nxiren edhe prova të tjera…. Hapat hetimor të mbetur do të përfshihen në fazën fillestare të kësaj procedure paraprake… Zyra e Prokurorit të Specializuar në këtë fazë mbështetet në 5 dëshmitarë për qëllimet e aktakuzës së konfirmuar dhe ka ndërmend që të mbështetet në këta 5 dëshmitarë edhe gjatë gjykimit”, ka thënë prokurori.

Ai ka shtuar se parashikojnë që listës së dëshmitarëve t’i shtohen edhe 11 të tjerë, ndërsa tha se numri mund të ndryshojë varësisht nga rrethanat. Ai shtoi se Prokruroria do t’i thërras 16 apo edhe më shumë dëshmitarë kundër Salih Mustafës.

“Prokuroria parashikon që kësaj liste t’i shtojë edhe 11 dëshmitarë të tjerë, edhe pse ky numër mund të  ndryshojë varësisht nga rezultati i hapave hetimor të mbetur….. Prokuroria sigurisht do të thë rrasë 16 dëshmitarë ose edhe më shumë”, tha prokurori.

***

Ka nisur në Dhomat e Specializuara konferenca lidhur me ecurinë e çështjes në rastin e gjykimit të ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa.

Në këtë konferencë është prezent edhe Salih Mustafa, ndërsa gjatë kësaj konference do të shtjellohen çështje të ndryshme.

Procedurat mund të vendoset të zhvillohen në seancë private. Në këtë rast, Dhomat e Specializuara e ndalin zërimin, ndërsa transmetimi vijon.

Mustafa u arrestua më 24 shtator në shtëpinë e tij në periferi të Prishtinës, pasi i ishte konfirmuar aktakuza për dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale si: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Ky arrestim ishte i pari që nga themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – në vitin 2015.

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, gjatë paraqitjes së parë para Dhomave të Specializuara në Hagë më 28 shtator, kishte zgjedhur që të mos deklarohej rreth akuzave për krime lufte që rëndojnë ndaj tij.

Sipas rregullave të Dhomave të Specializuara, Mustafa ka të drejtë që në një periudhë brenda 30 ditësh të deklarohet i pafajshëm apo i fajshëm për akuzat ndaj tij.

***

Prokurori Jack Smith i Gjykatës Speciale jep detaje për Salih Mustafën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat