A do ta flasë punën e presidentit me PDK’në? Përgjigjet Isa Mustafa

Aktuale

A do ta flasë punën e presidentit me PDK’në? Përgjigjet Isa Mustafa

Më: 5 tetor 2020 Në ora: 17:50
Isa Mustafa dhe Kadri Veseli

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një përgjigje ka treguar nëse do të diskutohet çështja e Presidentit, me Partinë Demokratike të Kosovës, për të cilën para disa ditësh i hoqi vijat e kuqe

I pyetur se a do të diskutohet tema e Presidentit me PDK’në e Kadri Veselit, për të cilën ditë më parë Mustafa hoqi vijat e kuqe, kreu i LDK’së ka deklaruar se rrethanat kushtetuese do ta përcaktojnë diskutimin rreth kësaj çështjeje.

“Çështja e Presidentit do të diskutohet në kohën kur të krijohen rrethanat kushtetuese”, ka deklaruar i pari i LDK’së.

Ndërkohë, para pak ditësh Mustafa foli për heqjen e vijave të kuqe me partinë e Kadri Veselit. Deklaratat e tij u kritikuan sidomos nga ish-partneri i koalicionit, Vetëvendosje.

Në një prononcim për Express, Mustafa pati thënë se në kohën kur Kosova po ballafaqohet me akuzat e Gjykatës Speciale, bisedimet në Uashington e pandeminë COVID-19, është e pakuptimtë të mos kërkohet bashkëpunim  në skenën politike.

Lideri i LDK’së ka thënë se është i nevojshëm bashkëpunimin ndërmjet partive politike.

Arsye për heqjen e vijave të kuqe për PDK’në, Mustafa i ka listuar sfidat e tanishme të Kosovës, si dilogu me Serbinë, pandemia COVID-19 e aktakuzat e Speciales kundër ish-ushtarëve të UCK’së.

Mustafa ka deklaruar se në rrethana të tilla është e pakuptimtë të mos kërkohet bashkëpunim.

“Në rrethanat kur po ballafaqohemi me pandeminë dhe nevojën që bashkërisht ta fitojmë këtë betejë; Kur po zhvillohet dialogu në Uashington dhe në Bruksel për përmbyllje të marrëveshjes me njohje reciproke; Kur ka filluar procedimi i aktakuzave nga Gjykata Speciale kundër pjesëtarëve të UÇK-së për dyshime për krime të luftës, është e pakuptimtë që në të mos  kërkojmë gjuhë të përbashkët dhe bashkëpunim”, ka deklaruar i pari i LDK’së.

Ai thotë se për zgjidhjen e këtyre problemeve duhet bashkëpunim ndërmjet partive politike dhe liderëve të tyre.

“Asnjërin prej këtyre problemeve akute nuk e zgjidhim duke mbajtur diskomunikim dhe duke mos bashkëpunuar si subjekte politike dhe si liderë të këtyre subjekteve”, deklaron Mustafa.

Kreu i LDK’së thotë se problemet e vendit nuk zgjidhen me politika populliste, me të cilat nuk ofrohet zgjidhje.

“Mua, por jam i bindur, se edhe LDK-në na rëndon problemi i Kosovës, i cili as sot dhe as në të ardhmen nuk tejkalohet me politika populliste e qasje kritizere, pa ofruar asnjë zgjidhje. Në kohë të vështira për vendin duhet të gjejmë zgjidhje që na bashkon dhe na forcon”, ka thënë Mustafa.

Deklaratën e Mustafës  për heqjen e vijave të kuqe për PDK’në, kreu i VV;së, Albin Kurti, sot e ka quajtur qesharake.

Sipas tij, këto dy parti ka kohë që funksionojnë në sinkron.

Madje, ai ka thënë se edhe po të bëhen bashkë, VV do t’i mundë në zgjedhjet e ardhshme.

Albulena Haxhiu nga VV ka thënë se heqja e vijave të kuqe nga LDK’ja për PDK’në është ditur që në muajin mars.

Ajo deklaroi se kjo po bëhet për të ikur nga zgjedhjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat