Aktakuza kundër Salih Mustafës bazohet në librin e ish-gjeneralit të FSK-së

Aktuale

Aktakuza kundër Salih Mustafës bazohet në librin e ish-gjeneralit të FSK-së

Më: 5 tetor 2020 Në ora: 20:19
Sali Mustafa

Në pesë dëshmitarë dhe në një libër 300 faqesh të një ish-gjenerali të Forcës së Sigurisë së Kosovës është bazuar aktakuza e Prokurorisë së Specializuar kundër Salih Mustafës, ish-eprorit të UÇK-së.

Në një konferencë të organizuar sot nga Gjykata Speciale, Julius Von Boné, avokati mbrojtës i Salih Mustafës, ka thënë se në aktakuzën e ngritur ndaj klientit të tij “përmendet shpeshherë një libër”.

“Materialet që më janë dorëzuar, aty përmendet shpesh një libër i shkruar nga një autor i caktuar, unë e kam parë këtë libër dhe nuk e di nëse ky libër do të më jepet apo është pjesë e provave”, ka thënë Von Boné.

Prokurori i Specializuar, Andrew Carney ka konfirmuar se libri në fjalë do të jetë pjesë e provave në të cilat mbështet organi i akuzës së Dhomave të Posaçme.

Libri i cili pretendohet të ketë impakt në aktakuzën kundër Mustafës, është një libër që ka pasur pak impakt që prej botimit në vitin 2008.

Gazeta ka mësuar se libri në të cilin Zyra e Prokurorit të Specializuar ka mbështetur aktakuzën ndaj Mustafës titullohet: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, me autor Skënder Zhitinë.

Ky libër është botuar në vitin 2008 dhe përmban 343 faqe gjithsej.

Zhitia është një ish-pjesëtar i UÇK-së, pjesë e Zonës Operative të Llapit, njësoj sikurse Salih Mustafa – i cili ka udhëhequr njësitin BIA të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas përfundimit të luftës, Skënder Zhitia ka shërbyer si gjeneral i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) deri në muajin prill të këtij viti, kur është pensionuar nga detyra.

Madje, në muajin gusht të 2020-s, ai ka dëshmuar para hetuesve të Prokurorisë së Specializuar.

Aktakuza kundër Salih Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020.

Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 shtator dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më të njëjtën ditë.

Tutje thuhet se aktakuza e ngarkon Salih Mustafën me përgjegjësi penale individuale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, që janë krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat