“Edi Rama nga fillimi ka mbajtur anë pro-Serbisë”

Aktuale

“Edi Rama nga fillimi ka mbajtur anë pro-Serbisë”

Më: 6 tetor 2020 Në ora: 00:14
Rama, Vuçiq dhe Zaev

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, deklaroi se nga gjashtë mbledhje të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës nuk ka pasur asnjë produkt të arritur apo të prekur për qytetarët andej e këtej kufirit.

Nishani nuk ka lënë pa përmendur edhe taksën në Rrugën e Kombit për të cilën fajëson Qeverinë Rama.

Ai tha se kjo qeveri rreshtohet edhe ne krah të Serbisë për copëtimin e trojeve të Kosovës.

Këto deklarata të Nishanit, i ka komentuar njohësi i zhvillimeve politike.

Analisti Rexhep Elezaj, konsideron se jo vetëm ish-presidenti Bujar Nishani ka tilla qëndrime, pasi që ai mendon se kreu i qeverisë shqiptare që nga fillimi është rreshtuar dhe ka mbajtur anë pro-Serbisë, për një gjë të tillë ai thotë ndajnë të njëjtin mendim edhe shumë intelektualë dhe patriotë shqiptarë.

“Jo vetëm ish presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, por edhe shumë intelektualë dhe patriotë shqiptarë janë unik në qëndrimin, se kryeministri aktual i Shqipërisë, Edvin Kristaq Rama, qysh se ka ardhur në krye të qeverisë shqiptare është rreshtuar dhe ka mbajtur anë pro-Serbisë dhe politikave të saj antishqiptare kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj. Lidhur me këto qëndrime “vëllazërore” të Edi Ramës ndaj, sidomos mikut të tij serb, Aleksandar Vuçiqit, mund të sjellim plotë fakte që flasin qartë për sjelljet dhe veprimet e tij pro-serbe, ndër të cilat e para është heshtja e tij vasale ndaj krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë të cilat ky asnjëherë nuk i ka dënuar publikisht, pastaj miqësia e tij e ngushtë me këlyshin fashist dhe racist të Millosheviçit, siç ishte Vuçiq, ministër për informata, gjatë luftës në Bosnje dhe Kosovë, i cili asokohe kishte deklaruar se “për një serb do t’i vrasim 100 myslimanë boshnjakë”, por i cili e luante edhe rolin e Gebelsit edhe gjatë luftës në Kosovë”, shprehet fillimisht Elezaj.

Elezaj në këtë prononcim, kujton edhe përplasjet dhe mosmarrëveshjet që kishte kryeministri Rama me ish-kryeministrin Haradinaj, ku për këtë të fundit edhe kishte ngritur aktpadi.

Image
Rexhep Elezaj

“Pra, qyshkur ka ardhur në pushtet në Serbi, Vuçiq, ditë e natë me tërë aparatin shtetëror të Serbisë ka punuar kundër shtetit dhe pavarësisë së Kosovë, por të cilin Edi Rama e ka bërë mik dhe shok të tij, me të cilin në çdo takim rajonal dhe ndërkombëtar që takohen, ata puthen me njëri-tjetrin, bisedojnë shumë ngrohtë, bile shumë më ngrohët se me Ramush Haradinajn, që e ka vëlla nga gjaku, madje ndaj të cilit edhe ka ngritur aktpadi vetëm pse është nga Kosova. Për të qenë turpi dhe anti-kosovarizmi edhe më i shëmtuar i Edi Ramës, ky jo vetëm se nuk u ndalë me kaq, por tradhtinë e tij ndaj kauzës shtetërore të Kosovës do e çon edhe më tutje, duke u zhytur çdo ditë e më thellë në kazanin e tij të tradhtisë kombëtare, me qëndrimet e tij paternaliste dhe bizare ndaj politikës autoktone të liderëve shtetëror të Kosovës në raport me Serbinë, përjashto këtu vetëm Hashim Thaçin, me të cilin ky gjeti “idilë” politike, pikërisht në çështjen e ndarjes së Kosovës, apo siç e quanin, “këmbim territoresh”, që në fakt si prapavijë kishin dhënien e veriut të Kosovës Serbisë, si gjoja kompensim për njohjen e saj të pavarësisë së Kosovës”, tha ai.

Madje, njëjtë si Bytyçi, edhe Elezaj jep alarmin se Rama po punon intensivisht dhe në sinkron të plotë me politikën fashiste të Vuçiqit për ndarjen e Kosovës.

“Shikuar realisht ishte ky mashtrim i llojit më të ndytë politik që ndonjë politikanë shqiptar e kishte bërë në 100 vitet e fundit në raport me Serbinë fashiste kundër Kosovës. Edi Rama, edhe pse në opinion dukej se nuk po përzihej në punët e brendshme të lidershipit të Kosovës, ai punonte intensivisht pas kulisave si dhe në sinkron të plotë me politikën fashiste të Vuçiqit për ndarjen e Kosovës, ndërsa argati i tij i zellshëm në Prishtinë, Hashim Thaçi, punonte hapur dhe lirshëm në takimet e tij në Bruksel me A. Vuçiqin, bashkë me të cilin ëndërronin, se pasi që ta ndajnë Kosovën dhe arrijnë marrëveshjen “paqësore” midis Kosovës dhe Serbisë, ata do jenë kandidatë potencial për marrjen e çmimit Nobel, etj., pra deri këtu shkonte tradhtia e tyre kombëtare”, shton Elezaj.

Për analistin Elezaj kulmi i kësaj tradhtie kombëtare të Edi Ramës do arrin, kur me ftesë të Aleksandar Vuçiq do shkon në takimin e Novi Pazar (Maj 2019), për nismën anti-shqiptare, Jugosllavinë e re, formimin e Mini-Shengenit, pa e ftuar dhe marrë me vete Kosovën.

“Gjest ky i tij që ishte puro anti-Kosovë, ani pse këtë hap e kishte bërë në marrëveshje të plotë me H. Taçin. Bile, Edi Rama, edhe dje në takimin e dy qeverive shqiptare në Tiranë, në mënyrën e tij cinike dhe paternalsite, u mundua që iniciativën për formimin e Mini-Shengenit ballkanik t’ia përshkruaj vetes, duke u tentuar që meritat e presidentit D. Trump për kyçje të Kosovës si shtet i pavarur në këtë grup, t’i marrë si merita të tij personale, gjë që është një rrenë e kulluar se ky na e paska futur Kosovën në këtë nismë rajonale”, tha ai.

Me tej ai nënvizon se kryeministri Rama, është dhe do mbetet njëri ndër politikanët më anti-Kosovë i Shqipërisë, i cili kauzën e pavarësisë së Kosovës e ka dëmtuar shumë.

“Kauzën e pavarësisë së Kosovës e ka dëmtuar më shumë se çdo kush tjetër, sidomos me përkrahjen e tij të fshehtë dhe të hapur të politikave hegjemoniste të Beogradit zyrtar ndaj shtet-bërjes së Kosovës, duke filluar me dhënien e çelësit të Tiranës, kur ishte kryetar bashkie, Goran Bregoviçit, njërit ndër këngëtarët më kriminelë të Serbisë, i cili shkonte bashkë me ushtarët serb në front dhe u këndonte këngë patriotike, duke iu dhënë forcë dhe kurajë që të vrasin sa më shumë shqiptarë në Kosovë. I njohur me atë këngën e tij kriminale, “Jurishnikët”, e cila gjatë luftës në Kosovë ishte bërë hit popullor (kriminal) në Serbi”. Pra, Edi Rama këtë kriminel serb e ka nderuar me çelësin e Tiranës”, nënvizon ai.

Ndaj, Elezaj thekson se të gjitha veprimet e fundit nga ana e Ramës janë dhe do mbeten broçkulla dhe përralla për fëmijë.

“Të gjitha sjelljet dhe veprimet e tij, gjoja në favor të Kosovës, siç ishte edhe emërimi në poste ministrore në qeverinë e tij, Gent Cakaj dhe Besa Shahini, mbajtja e takimeve të përbashkëta të dy qeverive, lehtësitë doganore, përdorimi i përbashkët i ndërtesave të ambasadave jashtë, etj, janë dhe do mbeten broçkulla dhe përralla për fëmijë, të cilat shqiptarëve të Kosovës kurrë nuk do mundet me ua shitur aq lirë, siç ka menduar kryeministri aktual i Shqipërisë, i cili, fundja, nuk ka haber prej politikani, se kush janë serbët, çfarë race, gjenesh dhe ADN kanë, si ardhacakë nga Karpatet në Ballkan, duke u vendosur me dhunë piratësh në tokat ilire të shqiptarëve. Prandaj, patriotizëm i tij më i mirë dhe më i dobishëm do të ishte heshtja e tij si dhe mos përzierja në çështjet e brendshme të Kosovës”, ka theksuar analisti Elezaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat