​Mosraportimi i Hotit në komision, Bogujevci: Ky është një tregues i jo seriozitetit që ka qeveria për të pagjeturit

Aktuale

​Mosraportimi i Hotit në komision, Bogujevci: Ky është një tregues i jo seriozitetit që ka qeveria për të pagjeturit

Më: 7 tetor 2020 Në ora: 14:43
Saranda Bogujevci

Refuzimin e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti për të raportuar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore për Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me çështjen e personave të pagjetur në kuadër të dialogut me Serbinë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci po e sheh si qasje jo serioze të kreut të qeverisë për të pagjeturit.

Bogujevci për KosovaPress thotë se vetëm përmendja e të pagjeturve në Bruksel nuk mjafton pa arritur një zgjidhje.

“Mendoj që ky është një tregues shumë i mirë i jo seriozitetit të qeverisë dhe sa me rëndësi e ka qeveria këtë temë. Është shumë lehtë të thuash që e kemi përmend çështjen e të pagjeturve në dialog me Serbinë por ajo nuk mjafton, është asgjë në fakt. Është as për të thënë kinse jemi duke marrë me këtë temë”, thotë ajo.

Ajo adresoi kritika edhe ndaj zëvendëskryeministrit, Driton Selmanaj i cili në përgjigjen ndaj këtij komisioni ka thënë se çështja e të pagjeturve është temë e konsumuar.

“Si komision me nisëm e deputetëve të LVV-së kemi kërkuar raportimin e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj. Kërkesa ka shkuar dy herë, pas kërkesës së dytë ka kthyer përgjigje se kjo temë është e konsumuar dhe ezauruar. Përveç mos seriozitetit të tij është sinqerisht e papranueshëm dhe nuk di si të shprehën kur dikush thotë se kjo temë është e konsumuar kur familjarët presin që 21 vite të dinë për fatin e familjarëve të tyre”, thotë ajo.

Kryeministri Hoti për raportimin e sotëm në komision ka deleguar ministri ne Drejtësisë, Selim Selimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat