Vazhdon seanca, ​deputetët ratifikojnë marrëveshjen për IPA-në

Aktuale

Vazhdon seanca, ​deputetët ratifikojnë marrëveshjen për IPA-në

Më: 8 tetor 2020 Në ora: 10:46

(E plotësuar) -​ ​Në mungesë të vendimmarrjes në Kuvend nuk ka kaluar Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Italisë për transferimin e personave të dënuar. Ani pse të gjitha partitë politike u shprehën pro ratifikimit të kësaj marrëveshje, mungesa e propozuesit të projektligjit, ministrit të Drejtësisë bëri që Lëvizja Vetëvendosje të përmbahet nga votimi.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj tha se kjo iu ndihmon të dënuarve për rehabilitim shoqëror.

Manaj: Kjo marrëveshje iu ndihmon të dënuarve për rehabilitim shoqëror

“Rëndësia e transferimit të personave të dënuar qëndron në faktin se iu ndihmon të dënuarve për rehabilitim shoqëror dhe me këtë marrëveshje Kosova merr përsipër obligimet ndaj shtetasve të saj të cilët mund të jenë të dënuar dhe mund të jenë duke vuajtur dënimin në Itali”, tha ai.

Përkundër përkrahjes, kritika për mungesën e ministrit Selimi adresoi deputeti i LVV-së, Dimal Basha.

Basha: Ministrat nuk po vijnë me prezantua marrëveshjet ndërkombëtare

“A është me rëndësi për qytetarët e Kosovës të shohin këtë qeveri të brishtë ku ministrat nuk vijnë as me prezantua marrëveshjet ndërkombëtare që janë shumë të rëndësishme. Derisa na akuzojnë se ne nuk jemi për të ndihmuar qytetarët. Kjo është një marrëveshje ndërkombëtare që është aprovuar në komision, por ministri nuk ka gjet kohë me ardh këtu. Ne si subjekt politik e përkrahim”, tha ai.

E nënshkrues i kësaj marrëveshje, ish ministri i PDK-së, Abelard Tahiri tha se nëse ratifikohet kjo marrëveshje qytetarëve iu mundësohet të vijnë dhe dënimin të vuajnë në Kosovë.

Tahiri; Nëse ratifikohet kjo marrëveshje qytetarëve iu mundësohet të vijnë dhe dënimin të vuajnë në Kosovë

“ Kjo është një marrëveshje që unë e kam nënshkruar sa kam qenë ministër i Drejtësisë. Kemi një numër të qytetarëve që vuajnë dënime në qendrat korrektuese në Itali dhe nëse ratifikohet kjo marrëveshje atyre iu mundësohet të vijnë dhe dënimin të vuajnë në Kosovë”, u shpreh ai.

E mungesën e ministrit të Drejtësisë, e arsyetoi shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj.

Haradinaj: Ministri është një takim zyrtar

“Pse nuk është ministri, është në një takim zyrtar dhe sot kemi pasur një ndryshim të rendit të ditës. Nuk është se ka pasur një neglizhencë sepse ministri ishte më herët”, tha ai.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar me 96 vota pro Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2019. Kjo shumicë unanime e votave erdhi pas mbështetjes së dy partive opozitare Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së.

Duke arsyetuar këtë projektligj, zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj tha se vendi përfiton shumë nga ratifikimi i saj.

Selmanaj: Kjo marrëveshje financiare përfshinë vetëm fondet për të cilat nevojitet bashkëfinancimi

“Kjo marrëveshje financiare përfshinë vetëm fondet për të cilat nevojitet bashkëfinancimi nga Kosova nga programi vjetor IPA 2019 pjesa 2, por është e të njëjtin program. Pra nga program vjetor IPA 2019 kemi edhe një marrëveshje tjetër që është nënshkruar nga kryeministri dhe për të cilin është kryer dekretimi nga presidenti. Në atë rast ne do përfitojmë nga BE-ja 42 milionë euro, por nuk kemi bashkëfinancim dhe nuk ka pasur nevojë ratifikim për nga Kuvendi”, tha ai.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, deputeti Hekuran Murati për përkrahjen ndaj këtij projektligji tha se ata do të mbështesin çdo gjë të mirë për vendin.

Murati: Përkrahim çdo gjë të mirë për shtetin tonë

“Ne e dina që pa votat e LVV-së nuk do të mundet të kalonte, ne jemi përkrahur këtë marrëveshje dhe çdo gjë është e mirë për shtetin tonë”

Ndërkaq, Blerta Deliu nga PDK-ja duke pasur rëndësinë e këtij projektligji tha se janë pro tij.

Deliu: Ne e kuptojmë rëndësinë e saj dhe do të votojmë pro marrëveshjes

“Ne e kuptojmë rëndësinë e saj dhe do të votojmë pro marrëveshjes”, tha ajo

***

Në Kuvendin e Kosovës po zhvillohet debat i ashpër mes pozitës dhe opozitës në lidhje me mocionin për rrëzimin e qeverisë.

Gjithçka nisi kur zv/kryeministri, Besnik Tahiri, iu drejtua opozitës duke i thënë se koalicioni qeverisës është i gatshëm të shkojë kurdo në zgjedhje.

“Në qoftë se i keni votat urdhëroni. Kur t’jau merr mendja me shku në zgjedhje shkojmë. Në këto 100 ditë ne si qeveri kemi sanuar disa çështje. Mendoj që nuk është e drejtë të flitet për zgjedhje, pasi që siç rrëzohet një qeveri dihet”, tha Tahiri.

E kësaj deklarate iu përgjigj menjëherë shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi.

Ky i fundit tha se Tahiri po jep një “ofertë ekskluzive” që të shkohet në zgjedhje, dhe se VV këtë e do menjëherë.

Madje i bëri thirrje qeverisë që të tregojë bujari e të jap dorëheqje.

“Na dha një ofertë ekskluzive, na tha shkojmë në zgjedhje kur të doni, na qitash po dojmë. Përveç mocionit ka edhe alternative tjera, dorëheqje. Kemi një qeveri përballë që s’e ka shumicën. Nëse jeni të gatshëm të shkojmë në zgjedhje, jepni dorëheqje dhe tregoni bujarinë tuaj”, u shpreh Selimi.

Në debat pastaj u përfshi edhe Bedri Hamza i PDK-së. Ai tha se partia e tij nuk e voton projektligjin për rimëkëmbje pasi që sipas tij i njëjti nuk ka materie.

Dështimi për të gjashtën herë për të kaluar në Kuvend, sipas tij e tregon vetëm pafuqinë politike të qeverisë.

“PDK nuk është tu vepru në inate sa i përket këtij ligji, por ne po thojmë se ky ligj nuk ka substancë. Për Trustin ne kemi sjellur një iniciativë tjetër ligjore. Nëse ju e keni pru që gjashtë herë, po tregoni që s’keni fuqi politike, as s’i keni numrat, e po thoni opozita po e bllokon vendin. Nuk do të shkojë gjatë e do vini edhe për buxhetin në këtë situatë. Merrini propozimet e PDK-së, merrini se janë të mira, dhe e kalojmë këtë ligj. Ju as s’po doni me reflektu, e as s’e keni fuqinë politike”, tha ai. 

***

As në seancën e sotme nuk ka kaluar Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në votim kanë marrë pjesë 37 deputetë, që rrjedhimisht nuk ka pasur vendimmarrje.

Nga Partia Demokratike e Kosovës(PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) ftuan që të votohet ky Projektligj, por Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje nuk i dhanë mbështetje.

***

PDK kërkon votën e deputetëve për projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së

Partia Demokratike e Kosovës ka ftuar sërish deputetët që të votojnë projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së. Po ashtu, ata kanë kërkuar nga ta që të mos bëhen frikacakë, meqë sipas tyre është obligim moral për mbrojtjen e vlerave të luftës.

Në seancë plenare, propozuesi i këtij projektligji nga PDK, Gazmend Bytyqi, ka kërkuar votën e deputetëve që të kalojë ky projektligj, dhe pastaj të ulen e të bëjnë përmirësimet e nevojshme.

Bytyqi: Ky projektligj nuk e meriton një trajtim të tillë

“Jam i detyruar që të ju them që ky ligj nuk e meriton një trajtim të tillë. Nuk e meriton sepse po flasim për një ligj që për bazë ka vlerësimin dhe kontributin, apo vlerën e përgjithshme të luftës së UÇK-së. Nëse dikush si deputetë apo grupe parlamentare po mendon se me këtë formë të mos votimit apo injorimit PDK tërhiqet nga ky projektligj, apo unë si deputet, atëherë po ju them që e keni gabim, sepse kjo nuk do të ndodhë. Këtë projektligj do ta kemi këtu para vetës, deri sa të marrim vendimin meritor që duhet të jetë”, ka theksuar ai.

Bytyqi tha se po thuhen shumë të pavërteta për qëllimin e hartimit të këtij projektligji, meqë siç tha ai po tentohet dezinformimi. Ai tha se me këtë projektligj synojnë të pasqyrojnë se kush ishte në të vërtetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Bytyqi: Mos u bëni frikacakë, por votoni këtë projektligj

“Gjithashtu me këtë ligj nuk përfiton askush as financiarisht. Dhe asgjë tjetër, por vetëm ligjësohen vlerat e luftës. Prandaj me keqardhje ju them, mos u bëni frikacakë, por votoni këtë projektligj. Sepse e kemi obligim moral për historinë tonë, gjeneratat e reja, si dhe për vet shtetin e Kosovës. Nëse mendoni që ndonjë pjesë e luftës ishte incident, atëherë votoni kundër. Siç po e paraqet një historian i joni dhe votoi kundër këtij ligji. Nëse mendoni që Kosova është çliruar me 6 tetor me një palë zgjedhje, votoni kundër. Por po ju them me bindje të plotë, që e keni shumë gabim ”, ka shtuar ai

***

Selimi: Nuk ua falim sjelljen e keqe ndaj UÇK-së

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka treguar edhe një herë refuzimin e kësaj partie ndaj projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.

Rexhep Selimi ka deklaruar se UÇK nuk meriton një trajtim të tillë nga deputetët e Kosovës.

Në seancë plenare ku pritet edhe votimi i këtij projektligji, ai theksoi se nuk ua falin sjelljen e keqe ndaj UCK-së.

Selimi: Nuk ua falim sjelljen e keqe ndaj UÇK-së

“Pikërisht UÇK-ja nuk e meriton një trajtim të tillë, prandaj ne po e refuzojmë që ta trajtojmë UÇK-në siç po e trajtoni ju. Refuzimi jonë nuk është kundër UCK-së, përkundër abuzimit tuaj me këtë emër të shenjtë. Silleni sa herë të doni, siç po thoni në kuvend, të njëjtën përgjigje do ta keni. Prandaj kërkoj prej jush, ju lus, që të silleni më mirë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ne edhe mund të ja falim ndonjë sjellje të keqe me neve, por sjelljen e keqe me UÇK-në nuk ua falim”, ka thënë Selimi.

Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së dhe ai për Rimëkëmbjen Ekonomike në seancat e kaluara nuk kanë pasur votat e nevojshme për miratim, madje ky i fundit ka dështuar pesë herë për miratim në mungesë të kuorumit dhe mos përkrahjes nga opozita.

***

Ka nisur seanca plenare, ku në rend të ditës për diskutim do të jenë pikat e papërfunduara nga seancat plenare të mbajtura më 7, 13, 14 gusht dhe 17, 18, 21, 25 e 28 shtator 2020, dhe më pas do të mbahet një seancë e re.

Në seancën e parë për votim do të jetë Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19, Propozim-rezoluta nga raportimi i kryeministrit Avdullah Hoti në lidhje me dialogun, Propozim-rezoluta nga interpelanca e ministrit të Brendshëm, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Serbisë në territorin e Kosovës, përkatësisht në Karaçevë të Kamenicës dhe votimi në parim i Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19”.

Ndërsa, në seancën e re, të paraparë të fillojë nga ora 11.30, për shqyrtim do të jenë Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2019, Pjesa e dytë Objektivi 1, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Italisë për transferimin e personave të dënuar, zgjedhja e një anëtari të Komisionit për Verifikim dhe Vendosje për Prona, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për deminim humanitar.

Po ashtu, për herë të parë do të dalë në shqyrtim edhe Projektligji për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Automjete, Projektligji për ndryshim-plotësimin e Ligjit për festat zyrtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat