Isa Mustafa reagon për pagën si profesor: Ky deputet i VV-së të më kërkojë falje publike

Aktuale

Isa Mustafa reagon për pagën si profesor: Ky deputet i VV-së të më kërkojë falje publike

Nga: A.Zh Më: 11 tetor 2020 Në ora: 20:36
Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, ka reaguar pas raporteve se në cilësinë e profesorit ka marrë pagë katër vitet e fundit nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” pa shkuar asnjë ditë në Fakultetin Ekonomik.

Ai ka thënë se nuk ka marrë asnjë pagë nga dhjetori i vitit 2016 dhe se këtë sot e ka sqaruar edhe UP-ja, përcjell Bota sot.

Por, Mustafa e ka akuzuar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje Mefail Bajqinovcin dhe një media për fushatë denigruese ndaj tij.

I pari i LDK-së ka kërkuar nga deputeti dhe media që t’i kërkojnë falje publike.

Reagimi i tij në Facebook:

Dje qytetarët tanë u dezinformua se unë, si ish Kryeministër i Republikës së Kosovës, në cilësinë e profesorit të rregullt të Fakultetit Ekonomik, kam marrë pagë katër vitet e fundit nga UP “Hasan Prishtina” pa shkuar asnjë ditë në Fakultet. Bartës të kësaj fushate denigruese ishte Gazeta Blic dhe deputeti i VV, Mefail Bajçinovci. Nga ky i fundit u akuzova se e kam zhvatur buxhetin e Kosovës.

Sot, Universiteti i Prishtinës “ Hasan Prishtina” me një kumtesë sqaroi se nga dhjetori i vitit 2016 , UP nuk e ka ekzekutuar asnjë pagesë në llogarinë time. Do të thotë nuk kam marrë asnjë pagë.

Puna me studentë, për mua ka qenë puna më e dashur që e kam bërë në jetën time. Universiteti i Prishtinës dhe Fakulteti Ekonomik janë tempuj të dijes por edhe tempuj moral që nuk ka të drejtë askush ti keqëpërdorë për motive të ulëta politike.

Me kënaqësi do të vazhdoja të mbaj mësim në studimet master, ashtu siç më janë besuar orët nga dekanati i Fakultetit Ekonomik, por sëmundja që më kapi në fillim të vitit 2018 nuk ma lejoi këtë mundësinë që të jem me studentët në sallë.

Falënderoj UP “Hasan Prishtina” për sqarimin dhe informimin e drejtë të opinionit.

Ftoj Gazetën Blic dhe deputetin Baqinovci të më kërkojnë falje publike mua si dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për këtë dezinformim të qëllimshme. IM

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat