IKD për arrestimin e Rugovës: Drejtësia me spektakle cenon sigurinë juridike të qytetarëve

Aktuale

IKD për arrestimin e Rugovës: Drejtësia me spektakle cenon sigurinë juridike të qytetarëve

Më: 12 tetor 2020 Në ora: 10:50
Haki Rugova

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj masës së vënë ndaj kryetarit të komunës së Istogut, Haki Rugova.

IKD nëpërmjet një reagimi thotë se është bërë spektakël i drejtësisë me masën e arrestimit të kryetarit Rugova.

Tutje në reagim, IKD thotë se drejtësia me spektakle arrestimesh po cenon sigurinë juridike dhe qytetare dhe po dëshmon kapjen e sistemit të drejtësisë.

“Në këtë rast, IKD vlerëson se arrestimi i Kryetarit të Komunës së Istogut, nënkryetarit dhe një zyrtari të kësaj komune, shkel sigurinë juridike të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe se ky arrestim, nuk është në përputhje me kushtet, natyrën dhe qëllimin e arrestimit, aspekte këto të përcaktuara në Kodin Nr. 04/L-123 e Procedurës Penale, Kushtetutën e Kosovës, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ky arrestim është bërë për një vepër penale, e cila dyshohet të jetë kryer në vitin 2018, dhe sipas informatave të dhëna nga mbrojtja, ky rast është i deponuar në Prokurorinë Themelore të Pejës që nga marsi i vitit 2020, derisa arrestimi ka ndodhur shtatë (7) muaj pas. Natyra e dispozitave që i referohen arrestimit dhe caktimit të masave të sigurisë ka të bëjë me rastet kur natyra e rastit kërkon një veprim me urgjencë, ku zhvillimi normal i procedurës penale do të rrezikonte gjykimin e drejtë”, thuhet në reagimin e IKD-së.

Reagimi i plotë:

IKD: Drejtësia me spektakle arrestimesh po cenon sigurisë juridike të qytetareve dhe po dëshmon kapjen e sistemit të drejtësisë

Prishtinë, 12 tetor 2020 - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj praktikës së veprimeve “spektakulare” të organeve të drejtësisë në trajtimin e rasteve penale. Ndaj kësaj praktike, IKD ka reaguar vazhdimisht, por shkasë për këtë reagim është spektakli i drejtësisë me masën e arrestimit të Kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova.

Fillimisht, IKD vë theksin tek fakti se ky institut nuk paragjykon fajësinë apo pafajësinë e asnjërit prej zyrtarëve të përfshirë në këtë rast. Meritat e këtij rasti do të shqyrtohen në vijim të procedurës penale, ku për secilin zhvillim, IKD përmes platformës informuese “Betimi për Drejtësi” do të raportojë në kohë reale, por në vazhdim do të paraqiten gjetjet e analizës ligjore të këtij rasti në këtë fazë, i cili dëshmon mungesën e sigurisë juridike të qytetareve dhe politizimin e sistemit të drejtësisë.

Mbrëmjen e 9 tetorit 2020, me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë janë vënë nën pranga Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, nënkryetari i kësaj komune, Lulzim Blakaj dhe një zyrtar tjetër i Komunës së Istogut. Mbi bazën e kërkesës së Prokurorit të Shtetit, Gjykata Themelore në Pejë ka shqiptuar masën e arrestit shtëpiak ndaj Kryetarit të Komunës së Istogut dhe nënkryetarit të kësaj komune.

Në këtë rast, IKD vlerëson se arrestimi i Kryetarit të Komunës së Istogut, nënkryetarit dhe një zyrtari të kësaj komune, shkel sigurinë juridike të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe se ky arrestim, nuk është në përputhje me kushtet, natyrën dhe qëllimin e arrestimit, aspekte këto të përcaktuara në Kodin Nr. 04/L-123 e Procedurës Penale, Kushtetutën e Kosovës, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ky arrestim është bërë për një vepër penale, e cila dyshohet të jetë kryer në vitin 2018, dhe sipas informatave të dhëna nga mbrojtja, ky rast është i deponuar në Prokurorinë Themelore të Pejës që nga marsi i vitit 2020, derisa arrestimi ka ndodhur shtatë (7) muaj pas. Natyra e dispozitave që i referohen arrestimit dhe caktimit të masave të sigurisë ka të bëjë me rastet kur natyra e rastit kërkon një veprim me urgjencë, ku zhvillimi normal i procedurës penale do të rrezikonte gjykimin e drejtë.

Cenimi i sigurisë juridike të qytetarëve të Republikës së Kosovës konsiston në arrestimin dhe caktimin e masave të sigurisë ndaj qytetarëve duke mos u bazuar në kërkesat ligjore. Me këtë, hapja e dosjeve dhe aktivizimi i tyre me një urgjencë jo ligjore, në çfarë do kohe, është sinjal i Prokurorit të Shtetit se varësisht nga interesat e caktuara, në secilin rast mund të arrestoj secilin qytetar, dosja e të cilit është e deponuar në Prokurori. E gjithë kjo, më pas do të përkthehet në frikë ndaj sistemit të drejtësisë, dhe jo ndaj ligjit.

Në anën tjetër, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherit ish-Kryeministër i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në shumë raste kishte mbrojtur dhe përkrahur Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, nën dijeninë e të cilit është kryer edhe arrestimi i Kryetarit të Komunës së Istogut. Por, pas këtij arrestimi, Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka drejtuar akuza të forta ndaj Prokurorit të Shtetit, të cilat akuza konsistojnë në motivim politik të sistemit prokurorial me rastin e arrestimit të Kryetarit të Komunës së Istogut.

Për më tepër, gjatë konferencës për media të mbajtur më 11 tetor 2020, ish-Kryeministri Isa Mustafa, ka thënë se është njoftuar nga mbrojtësi i Kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova, se i njëjti ka kërkuar që rasti të trajtohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, dhe që Prokuroria Speciale të merr në kompetencë këtë lëndë, duke shprehur besim se trajtimi i rastit të Rugovës nga Prokuroria Speciale do të bëhet si duhet dhe në bazë të ligjit.

Që nga fundi i vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës udhëhiqet nga Blerim Isufaj, i cili në të kaluarën, kishte qenë këshilltar i tani të ndjerës znj. Nekibe Kelmendi, ish-ministre e Drejtësisë nga radhët e LDK-së. Pra, kërkesa e Mustafës është që ky rast të trajtohet në prokurorinë me të cilën udhëheqë një person që në të kaluarën ka pasur afërsi me partinë në krye të së cilës është Mustafa.

Në këtë drejtim, arrestimi i Haki Rugovës, i cili vie nga radhët e LDK-së, shpërfaq mungesën e vullnetit politik për të depolitizuar sistemin e drejtësisë. Kjo për arsye se çdo depolitizim potencial i sistemit të drejtësisë, potencialisht prek edhe zyrtarë të partive të caktuara, dhe si i tillë, bazuar në këtë mënyrë të veprimit, nuk paraqet interes dhe as prioritet për figura të caktuara politike, në rastin konkret Kryetarit të partisë që udhëheq në nivel qendror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat