Murati: Homologimi, zhvatje për qytetarët

Aktuale

Murati: Homologimi, zhvatje për qytetarët

Më: 12 tetor 2020 Në ora: 16:28
Hekuran Murati

Projektligji për automjete që parashikon heqjen e homologimit për automjete nuk ka marrë sot votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës.

Mos kalimi i këtij projektligji ka shkaktuar reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila një veprim të tillë e sheh si zhvatje për qytetarët.

Deputeti Hekuran Murati në një konferencë për media ka thënë se homologimi për automjete është një detyrim i panevojshëm që duhet ta paguajnë qytetarët e Kosovës, siç u shpreh ai, për ta pasuruar një kompani.

Murati: Homologimi, zhvatje për qytetarët

“Shpërfaqim edhe njëherë qëndrimin që u mbajt sot në seancë. Në seancën plenare e kishim një projektligj, i cili ishte plotësim-ndryshimi i Ligjit për Automjete apo ndryshe për heqjen e homologimit si obligim për qytetarët. Meqenëse konsiderojmë që është një detyrim i panevojshëm që nuk sjell vlerë të shtuar për qytetarët, në fakt përbënë vetëm zhvatje për ta, e gjitha kjo bëhet në emër të një procedure, por sa për ta pasuruar një kompani të vetme, e cila pastaj e shtrembëron konkurrencën në tregjet tjera, por edhe dikton politika qeveritare”, tha Murati.

Ai po ashtu tha se mos votimi i këtij projektligji, i cili sot në seancën plenare mori vetëm 31 vota të Lëvizjes Vetëvendosje, tregoi se kush e përfaqëson interesin e qytetarëve e kush të Devollëve. Sipas deputetit Murati, përmes homologimit të automjeteve zhvaten 4 milionë euro në vit.

Murati: Bëhet fjalë për një zhvatje 4 milionë euro në vit, të cilën e paguajnë qytetarët

“Bëhet fjalë për një zhvatje 4 milionë euro në vit, të cilën detyrohen ta paguajnë qytetarët e Kosovës. Sot në seancë u pa se ishin vetëm 31 deputetë që e mbështetën këtë projektligj, e që ishin larg asaj sa është e nevojshme. Dhe sot këtu u bë ndarja në mes të atyre që deputetëve e përfaqësojnë interesin e qytetarëve dhe Republikës, dhe në mes të atyre që përfaqësojnë interesat e Devollit”, tha Murati.

Edhe bashkëpartiaku i tij, Liburn Aliu tha se derisa Ligji për Ushtrinë ka mbetur vetëm në letër, disa kompani si ajo e Devollëve po zhvillohen dhe kështu po dobësohet vendi.

Aliu: Ndryshimet në Kosovë vijnë vetëm përmes Lëvizjes Vetëvendosje

“Sot është e goditur nga politikat e shumta të dëmshme ndër të tjerash edhe nga politikat agresive të shtetit të Serbisë, i cili shtet në vazhdimësi po armatoset, ka politikë gjithnjë më të afërte karshi nesh. Duhet të mos harrojmë se kemi shpallur një ligj për ushtrinë, i cili ligj mbetet vetëm në letër dhe nuk pajiset me armë ushtria e Kosovës. Ndërkohë, kompanitë si Devolli e të tjera, gëzojnë dhe zhvillohen në vendin tonë, i cili po dobësohet çdo ditë. Ky vend ka nevojë për ndryshim të thellë dhe ai vjen vetëm përmes Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Aliu.

Plotësim-ndryshimi i Ligjit të Automjeteve, i cili parasheh heqjen e homologimit të veturave, i cili është propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, u kritikua nga partitë politike tjera në Kuvend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat