​Osmani: S’duhet lejuar bosnjizimi i Kosovës, të zbatohet vendimi i Kushtetueses për asociacionin

Aktuale

​Osmani: S’duhet lejuar bosnjizimi i Kosovës, të zbatohet vendimi i Kushtetueses për asociacionin

Më: 13 tetor 2020 Në ora: 19:39
Vjosa Osmani

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar sot emisarin evropian për dialogun Miroslav Lajçak, se çfarëdo marrëveshje përfundimtare që do të mund të arrihet me Serbinë dhe e cila nuk është e pranueshme për Kuvendin, do të mbetet e pa ratifikuar dhe rrjedhimisht e pazbatueshme.

Ajo gjatë takimit me diplomatin sllovak theksoi nevojën për konsensus të brendshëm të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. Në këtë kontekst, kryetarja Osmani ka thënë se sistemi kushtetues i Kosovës dhe unitariteti i vendit janë të pacenueshëm dhe nuk duhet të jenë pjesë e negociatave.

Osmani i ka thënë të ngarkuarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, për asociacionin duhet të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe se nuk duhet lejuar bosnjizimi i Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit ka kërkuar nga Lajçak që BE-ja t`i bëjë presion Serbisë për t`iu zbatuar marrëveshjet e deritashme me Kosovën, sikurse edhe t`i ketë parasysh deklarimet me gjuhën e urrejtjes të një pjese të zyrtarëve shtetërorë të Serbisë.

Ajo, në veçanti ka kërkuar që BE-ja të dënojë ashpër dhe qartë deklarimet lidhur me fshehjen e varrezave masive në Serbi dhe gjithashtu të kërkojë veprime konkrete nga pala serbe për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat