Dy djem të vrarë dhe një të zhdukur, Isuf Lokaj flet për natën kritike kur serbët iu erdhën në shtëpi

Aktuale

Dy djem të vrarë dhe një të zhdukur, Isuf Lokaj flet për natën kritike kur serbët iu erdhën në shtëpi

Më: 13 tetor 2020 Në ora: 23:26
Isuf Lokaj

Isuf Lokaj ka dy djem të vrarë dhe një tjetër që edhe sot e kësaj dite mbetet i zhdukur.

Lokaj për “Debat Plus”  tregon për momentin kur iu vranë djemtë në ish-fshatin Berzhenik tani Dardania3.

“Natën kritike kemi qenë të mbledhur të shtëpia jonë bashkë me fqinjët. Jemi futur në një podrum. Na kanë zënë të gjithëve. Dy djemtë e mi i kanë ndarë ndërsa neve tjerëve na kanë zhvendosur rreth 200 metra. Na kanë mbajtur armët te koka dhe nuk kemi mundur as të ngremë kokat. Kemi dëgjuar krisma por nuk e kemi ditur se çfarë po ndodh”, tha ai.

“Djalin e madh e kam gjetur në qoshe të shtëpisë të vrarë ditën e nesërme. Djalin e dytë e kanë djegur në shtëpi”.

Lokaj thotë se gjatë natës kritike të gjithë kanë qëndruar në një dhomë bashkë me mysafirët.

“Serbët i kanë ditur se ne po mbajmë mysafirë në shtëpi. Neve na kanë ardhur me emra dhe djemtë e mi i kanë thirrur me emra. Kemi qenë familje në sy të tyre. Ne e kemi njohur që njëri nga ta ka qenë inkasanti i rrymës”.

Isuf Lokaj tregon se sot e kësaj dite nuk di asgjë për djalin e tij që në atë kohë ishte 17-vjeçar.

“Burimi ka shkuar te nipat në Carabreg. Nga aty ka shkuar në Irzniq e më pas në Prapaqan. Në Prapaqan njerëzit e kanë njohur dhe ka qëndruar me ta. Në Prapaqan tani ka shpërthyer lufta dhe është përzier situata. Ne kemi informacione se Burimi ka kaluar nga Prapaqani dhe flitet se ka shkuar në Tiranë. Nga aty nuk dimë ka shkuar në Itali apo ku ka shkuar”, tregon më tej Isuf Lokaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat