Kuzhinieri nga Kosova që iu shërbeu komunistëve sallatën duke shkruar “Kosova Republikë”

Aktuale

Kuzhinieri nga Kosova që iu shërbeu komunistëve sallatën duke shkruar “Kosova Republikë”

Më: 15 tetor 2020 Në ora: 10:16
Veli Kërqeli

Në kohën kur shqiptarët arrestoheshin dhe dënoheshin me shumë vite burg nga pushteti serbo-sllav vetëm për dy shkronja KR (Kosova Republikë v. j.), pas demonstratave të vitit 1981, ishte dikush që e sfidoi këtë rrezik, duke ua servuar në tavolinë këtë parullë udhëheqjes komuniste të kohës, edhe atë në një mënyrë shumë interesante dhe kreative.

Një rast i tillë dhe mjaftë i guximshëm kishte ndodhur në vitin 1982, në hotelin Kristal në Gjilan, nga kuzhinieri Veli Kërqeli, i cili kishte përgatitur një sallatë për strukturat komuniste të asaj kohe, në krye me Mahmut Bakallin.

Veprimi i atëhershëm i Kërqelit i kishte mahnitur të gjithë kolegët e tij kuzhinierë dhe kamerierë, të cilët kishin mbetur të shtangur me idenë dhe guximin e tij për të dekoruar sallatën për këta “mysafirë” me dy shkronjat e famshme KR.

Kërqeli, me një fantazi të paparë, kishte marrë guximin dhe e kishte shkruar mbi pjatën e mbushur përplot me sallatë edhe mbishkrimin ‘Kosova Republikë’ dhe ju kishte kërkuar kamerierëve që ta servojnë pjatën e tillë.

Ndonëse kishin kaluar disa minuta, meqë kishte pasur hezitim dhe frikë nga kamerierët, duke refuzuar dhe frikësuar për të servuar një pjatë të tillë, Kërqeli kishte këmbëngulur dhe u kishte thënë krejt në fund, se nëse diçka ndodhë, unë e marrë përgjegjësinë dhe asnjë nga ju nuk do të akuzoheni.

Pas këtij qëndrimi dhe vendimi të prerë të kuzhinierit, njëri nga kamerierët e dërgon pjatën në tavolinën e “elitës komuniste” dhe sapo është vendosur pjata mbi tavolinë, thotë Kërqeli, i cili nuk dëshiron të shprehet për këtë gjest, nga modestia e tij, Mahmut Bakalli e kishte vërejtur shumë shpejt provokimin dhe kishte nxitur ta fuste pirunin për ta prishur mbishkrimin, kinse për t`iu hapur rrugën të fillonin së ngrëni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat