Kryediplomatja bisedon me homologun egjiptian, dakordohen për ndërtimin e lidhjeve diplomatike

Aktuale

Kryediplomatja bisedon me homologun egjiptian, dakordohen për ndërtimin e lidhjeve diplomatike

Më: 19 tetor 2020 Në ora: 17:16
Meliza Haradinaj-Stublla dhe Sameh Shoukry

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, të hënën ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun nga Republika Arabe e Egjiptit, Sameh Shoukry.

Kryediplomatja ka falënderuar ministrin Shoukry për njohjen e Kosovës nga Egjipti të bërë në vitin 2013.

“Në një bisedë telefonike sot me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Arabe të Egjiptit, Sameh Shoukry, shpreha falënderimin e Kosovës për njohjen nga Egjipti në vitin 2013” është shprehur Haradinaj-Stublla.

Kryediplomatja ka thënë se bashkë me ministrin Shoukry janë dakorduar për të thelluar edhe më tej lidhjet mes dy shteteve edhe në aspektin politik e edhe në atë diplomatik.

“Diskutuam gjendjen e raporteve bilaterale, dhe u dakorduam për të ndërtuar lidhjet tona në një nivel më të lartë të bashkëpunimit politik e diplomatik.” ka theksuar Haradinaj – Stublla.

Nga ana tjetër ministri Shoukry ka shprehur përkrahjen e Egjiptit ndaj përpjekjeve të Kosovës për forcimin e mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar bazuar në parimet e së drejtës, dhe zgjerimit të diametrit të paqes dhe sigurisë në rajon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat