Musliu: Shqetësues largimi i Ambasadës Amerikane nga procesi i zgjedhjes së kryeprokurorëve

Aktuale

Musliu: Shqetësues largimi i Ambasadës Amerikane nga procesi i zgjedhjes së kryeprokurorëve

Më: 20 tetor 2020 Në ora: 00:30
Betim Musliu

Betim Musliu e ka quajtur shumë shqetësues largimin e Ambasadës Amerikane nga procesi i monitorimit të zgjedhjes së kryeprokurorëve.

Ai në Interaktiv ka thënë se më nuk ka siguri se nga proceset do të dalin kryeprokurorë me integritet.

“Për ne është tepër shqetësuese, ne nuk e kemi një siguri, siç është Ambasada Amerikane për me siguru një proces me integritet në zgjedhjen e kryeprokurorëve dhe kjo është zhgënjyese. Nuk ka ndonjë shpresë se tash e tutje do të kemi një proces, prej të cilit do të dalin njerëz që e meritojnë”, ka thënë ai.

Sipas tij, me këtë është shembur një punë e bërë me vite dhe ku janë investuar miliona e miliona dollarë nga SHBA-ja.

Ai e ka quajtur tejet zhgënjyese këtë mosmirënjohje të politikës ndaj SHBA-së, e cila sipas tij, ka trajnuar prokurorë, gjyqtarë e staf, i ka marrë për punë praktike në SHBA dhe në fund, është tërhequr duke thënë “po heqim dorë, se nuk po merrni vesh”.

“E kemi thënë, përpara politika na ka vendos njerëz kyç në pozita të caktuara, si kryeprokuror, drejtor Policie, e drejtor në Krime Ekonomike, e që ishin argat të politikës. Tash me kalimin e kohës, edhe pse kemi paralajmëruar, këto grupe përbrenda Policisë, prokurorisë e gjyqësorit, janë forcuar aq shumë sa që kanë bërë miliona dhe me këta miliona nuk po e njohin as politikën që dikur e kanë pasur shef. Tash këto grupe paraqesin rrezik edhe për Policinë, edhe për prokurorinë edhe për gjyqësorin dhe, edhe për politikën, sepse janë grupe të fuqishme që e përdorin mandatin e tyre ligjor për me i shty agjendat e tyre përpara”, ka thënë Musliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat