Kroacia e mbështet liberalizimin e vizvave për Kosovën, po varet nga Bashkimi Europian

Aktuale

Kroacia e mbështet liberalizimin e vizvave për Kosovën, po varet nga Bashkimi Europian

Më: 20 tetor 2020 Në ora: 11:21
Ermina Lekaj-Përlaskaj

Deputetja shqiptare e Parlamentit të Kroacisë, Ermina Lekaj-Përlaskaj, deklaroi se shteti kroat mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën, porse kjo çështje varet nga Bashkimi Europian. Gjithashtu, ajo tha se bizneset kroate nuk e shohin një vend të sigurt Kosovën për të bërë investime, e këtu sipas saj ndikojnë edhe turbulencat politike në vend.

Lekaj-Përlaskaj, flet edhe për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Kroacisë, mungesën e bashkëpunimit ekonomik dhe gjendjen e kosovarëve në Kroaci.

Deputetja që për tri mandate në Parlamentin e Kroacisë përfaqëson shqiptarët, thotë se shteti kroat e ka vullnetin që të mbështesë Kosovën drejt rrugës për në Bashkimin Europian.

“Sa i përket bashkëpunimit politik është në një nivel të duhur, mirëpo këtu mungon bashkëpunimi ekonomik dhe diplomatik, dhe mendoj që Kosova mund të mësojë shumë nga Kroacia, sepse Kroacia e ka vullnetin të jetë mbështetëse e Kosovës për hyrjen e saj në Bashkimin Europian, pra për integrimin e Kosovës në Bashkimin Europian këtu e ka mbështetjen më të fortë Kroacinë”, thotë ajo.

Ajo potencon se bizneset kroate nuk e shohin një vend të sigurt Kosovën për të bërë investime, për çka tha se është duke punuar që të rihapet Oda Ekonomike atje.

“Turbulencat politike që janë brenda në Kosovë dhe një pasiguri. Mendoj që kur të arrihen këto gjëra që të bëhet një siguri më e fortë këtu në Kosovë, atëherë do të jetë edhe interesimi më i madh i kroatëve të investojnë këtu. Edhe pse njëjtë është një mangësi se në vitin 2013 është mbyllur Oda Ekonomike dhe jam duke punuar në atë drejtim që të rihapet prapë Oda Ekonomike që bizneset kroate dhe kosovare të kenë një bashkëpunim më të ngushtë dhe ta kenë një adresë të caktuar ku do të marrin pjesë dhe ku do të komunikojnë”, potencon ajo.

Deputetja Lekaj-Përlaskaj foli edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, për çka thotë se shteti i Kroacisë e ka mbështetur Kosovën në këtë aspekt.

“Unë mund të them një gjë që liberalizimi i vizave varet nga Bashkimi Europian nga Brukseli, sa i përket Kroacisë e di që Kroacia e ka ndërmarrë këtë iniciativë. Mirëpo, prapë duhet të kthehem nga kjo që edhe Kosova duhet t’i plotësojë disa kushte, disa kapituj të cilat janë dhënë si kusht nga ana e Bashkimit Europian”, thotë ajo.

Sa i përket gjendjes së shqiptarëve në Kroaci, deputetja Lekaj-Përlaskaj thotë se të drejtat e tyre respektohen shumë nga shteti i Kroacisë.

Megjithatë, sfidë thotë për komunitetin shqiptar atje është që të rinjtë që shkollohen atje të punësohen në institucionet qendrore dhe lokale kroate.

“Sa i përket komunitetit shqiptar në Kroaci mund të them se shqiptarët janë një popull shumë i zellshëm dhe punëtor që ka arritur në Kroaci të jep një kontribut të madh, së pari gjatë luftës atdhetare në Kroaci dhe pastaj me bizneset e tyre. Kështu që, është fat i mirë që shumë pak kemi raste sociale, pak e aspak. Ajo çka është më rëndësi është që kërkesat e shqiptarëve t’i arrijmë në një nivel më të lartë se deri më tani. Tani është që të kemi katedrën e Albanologjisë, të kemi një bashkëpunim më të ngushtë mes shtetit kroat dhe shtetit të Kosovës, të kemi disa shtëpi të kulturës, që kemi arritur deri tani t’i hapim tri shtëpi të kulturës në qarqe të ndryshme. Si dhe të rinjtë tanë të cilët janë të lindur dhe të rritur atje mos ta harrojnë origjinën e tyre dhe ta ruajnë gjuhën, kulturën dhe traditën e tyre. Të gjitha këto i kemi të garantuara me ligjin kushtetues të Republikës së Kroacisë, që më të vërtetë mund të them që është një ligj për shembull që mund të merret në këtë rajon”, thotë ajo.

Ajo thotë se në Kroaci janë 17 shkolla fillore dhe në një gjimnaz mbahet mësimi plotësues në gjuhen shqipe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat