Arrestohet në Shqipëri, Boiken Abazi i VV-së

Aktuale

Arrestohet në Shqipëri, Boiken Abazi i VV-së

Më: 20 tetor 2020 Në ora: 12:02
Boiken Abazi

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, ka njoftuar se në mëngjesin e sotëm është arrestuar aktivisti i tyre, Boiken Abazi.

Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi nga Vetëvendosje.

Aty thuhet se arrestimi Abazit është bërë gjatë kohës sa ai ishte duke shkuar në një tubim protestues pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Tutje, VV  arrestimin e Abazit e ka cilësuar si të porositur.

“Aktivisti dhe drejtuesi i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri, Boiken Abazi, është arrestuar nga policia, në rrugë e sipër teksa po shkonte për të marrë pjesë në tubimin paqësor protestues pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ky arrestim është tipikisht i porositur. Arrestimi u krye para se të fillonte tubimi, madje para se Boiken Abazi të mbërrinte në vendin e lajmëruar për tubimin”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Vetëvendosje ka bërë të ditur se ky tubim ka të bëjë me vizitën e ministrit të jashtëm grek në Tiranë dhe se kjo protestë është organizuar nga Shoqata “Çamëria”.

“Tubimi paqësor protestues i organizuar nga Shoqata “Çamëria” dhe PDIU me rastin e vizitës së ministrit të jashtëm grek në Tiranë synon shtrimin e kërkesave në lidhje me zgjidhjen e çështjes shqiptare të Çamërisë, heqjen e ligjit të luftës dhe delimitimin e drejtë të kufive detarë. Shënjestrimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe i Boiken Abazit tregon për një politikë të fëlliqur që po bën qeveria Rama, duke dashur të ofrojë një dhuratë të dhunshme ndaj vizitorit grek”, thuhet në njoftim

VV-së ka bërë thirrje që drejtuesi i qendrës së tyre në Tiranë të lirohet.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! është për miqësinë e bashkëpunimin mes popujve, për të drejta evropiane për minoritetet, por mbi të gjitha për shtete të drejta e jo diskriminuese. Për sa kohë shteti grek vazhdon politika diskriminuese e armiqësore ndaj shqiptarëve, ne do të vazhdojmë ta themi të vërtetën, edhe duke protestuar, e Rama nuk mund të na ndalë me arrestime të shënjestruara. Bëjmë thirrje të lirohet Boiken Abazi një orë e më parë, e të dënohen urdhërdhënësit për përndjekjen politike e shënjestrimin që po na bëjnë!”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat