10 euro taksë për hyrje në qendër, ish-kryetari i Prishtinës i reagon Shpend Ahmetit

Aktuale

10 euro taksë për hyrje në qendër, ish-kryetari i Prishtinës i reagon Shpend Ahmetit

Më: 20 tetor 2020 Në ora: 17:52
Ismet Beqiri

Deputeti i LDK-së dhe ish kryetari i Prishtinës, Ismet Beqiri ka folur për idenë e vendosjes së taksës prej 10 eurove nga Komuna e Prishtinës për qytetarët që vijnë nga qytetet tjera.

Këtë propozim, Beqiri e ka quajtur të pastudiuar dhe është bërë sa për të thënë diçka.

“Mendoj se në Prishtinë ka edhe punë tjera dhe projekte që duhet të bëhen dhe pastaj të studiohet së çfarë duhet të bëjë për lirimin e trafikut”, ka thënë Beqiri në Rtk.

Ai tutje ka shtuar se Shpend Ahmetit i ka ardhur më së lehti ta nxjerr këtë ide, meqë tash ka mbetur edhe pak kohë deri në zgjedhjet e reja komunale.

Beqiri ka shtuar se një propozim i tillë nuk ka gjasa të kalojë as në Kuvendin Komunal.

“Edhe unë sa isha në komunë kishim ide tjera për të liruar trafikun në Prishtinë. Kemi menduar se tollovia mund të rregullohet me disa parkingje në hyrje të Prishtinës. Edhe do të sillte benefite për komunën edhe lehtësime për qytetarët”, ka thënë Beqiri.

Ish kryetari i Prishtinës ka insistuar se ideja për këtë taksë është menduar keq dhe nuk është studiuar sa duhet.

“Unë i kisha vetëm 4 milionë euro për investime kapitale sa isha në krye të Prishtinës. Ndërsa tash Shpend Ahmeti i ka rreth 100 milionë euro buxhet vjetor”, ka thënë Beqiri.

Më pas ai e ka kritikuar, siç ka thënë, ngushtimin e  rrugëve të Prishtinës për të bërë shtige të biçikletave.

“Ngushtimi i rrugëve për shtigje të biçiletave është për të ardhur keq. A duhet të merret bicikleta në krah dhe të shkohet aty ku ka shtigje”, ka pyetur Beqiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat