Infektologu Ilir Tolaj: Nuk duhet të mendohet mbyllja totale me rritjen e rasteve të COVID-19

Aktuale

Infektologu Ilir Tolaj: Nuk duhet të mendohet mbyllja totale me rritjen e rasteve të COVID-19

Më: 21 tetor 2020 Në ora: 19:13
Ilir Tolaj

Infektologu Ilir Tolaj ka thënë se rritja e numrit të rasteve me COVID-19 ditëve të fundit është diçka e pritur pasi ka numër të madh të të prekurve në vendet e rajonit.

“Në aspektin e ecurisë së pandemisë, ne jemi disa javë prapa vendeve të rajonit. Kosova domosdo që do ta përcjellë trendin e rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 si vendet e rajonit”.

“Numri personave të prekur brenda ditës mundet të shkojë edhe më shumë se 200, ku në fakt në terma mjekësor nuk është numër i madh, meqenëse edhe në herën e parë Kosova ka pasë kapacitete spitalore”, është shprehur Tolaj.

“Në valën e parë dhe tani në valën e dytë që pritet të ndodhë shihet se ka numër më të vogël të atyre që kërkojnë shtrirjen në spital pas prekjes me koronavirus. Prandaj janë dy elemente të cilët ishte dashur që të kenë efektin e duhur – së pari numri më i vogël në përqindje i atyre që kërkojnë hospitalizim dhe dyta njëfarë përvoje e sistemit shëndetësore për t’i menaxhuar këto raste”.

“Nuk ka epidemi që përfundon me 30 apo 40 raste të shfaqjes brenda ditës, por një epidemi përfundon kur infektohet një numër i madh i qytetarëve dhe krijojnë imunitet ose krijohet imunitet përmes vaksinave”.

Tolaj në Info Magazine ka deklaruar se mësimdhënësit e bartin më shumë virusin në shkolla se sa nga shkollat në shtëpitë e tyre.

“Kur është fjala për mësimdhënësit është vërtetuar se ata mund të sjellin virusin nga shtëpitë e tyre në shkollë më tepër, sesa mund ta marrin atë nga shkolla dhe ta bartin në shtëpitë e tyre”.

“Nëse kjo ndodhë kështu është jashtëzakonisht e mençur dhe humane që personat që janë të sëmurë me sëmundje kronike prej cilido sistem të përjashtohen nga procesi mësimor sa është kjo pandemi”.

“Kjo pandemi do të jetë këtë vit shkollor deri në fund, ndoshta do të jetë edhe në fillim të vitit tjetër të ri shkollor. Por dëmet do të jenë më të pakta, ky kontingjent i mësimdhënësve me këto sëmundje duhet të jetë i izoluar dhe të largohet rreziku i shtuar që të infektohen dhe të përfundojnë në mënyrë fatale”.

Ai theksoi se vendi nuk duhet mbyllet nëse vjen një valë dytë e koronavirusit në Kosovë.

“Çështjen e mbylljes totale duhet ta largojë çdo individ i cili është në autoritetet që marrin vendime për këtë punë. Meqenëse askund tash edhe ne vendet që ka numër të rritjes së madhe nuk flitet për mbyllje totale”.

“Menaxhimi i mirë i pandemisë nuk është kur ka numër të vogël të të prekurve me COVID-19, por kur keni baraspeshim/balancë në mes pandemisë dhe sigurimit të jetës së dinjitetshme për të gjithë njerëzit duke konsideruar punën, arsimin dhe argëtimin e tyre”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat