Prokuroria ngritë aktakuzë kundër Sami Lushtakut, reagon Gazmend Halilaj, ja çfarë paralajmëron avokati

Aktuale

Prokuroria ngritë aktakuzë kundër Sami Lushtakut, reagon Gazmend Halilaj, ja çfarë paralajmëron avokati

Nga: N.Sh Më: 21 tetor 2020 Në ora: 19:45
Sami Lushtaku dhe Gazmend Halilaj

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut kushëririt të tij Ibrahim Lushtakut e Xhelal Zeqirit për sulmin e armatosur kundër avokatit, Gazmend Halilaj.

Prokuroria ka ngarkuar dy të dyshuarit Ibrahim Lushtakun (kushëri i Sami Lushtakut) e Xhelal Zeqirin për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”, ndërsa Sami Lushtakun për veprën penale “kanosje”.

Pas lajmit për këtë, ka reaguar avokati Gazmend Halilaj i cili shpëtoi nga atentati i bërë ndaj tij

Ai ka paralajmëruar se do të zbulojë edhe shumë raste të mëdha, pavarësisht atentateve.

“Të dashur vëllezër. Ashtu siç kam deklaruar me datën 14. prill 2020, ashtu u vërtetua nga hetimet e prokurorisë së krimeve të renda.

Unë e flas të vërtetën, informatat e mia janë të shpejta dhe të sakta.

Unë nuk ndalem, do të zbuloj edhe SHUMË RASTE TË MEDHA. Pavarësisht atentateve, linçimeve apo metodave tjera qe krimi mi benë përmes personave zyrtar, qe nder vite janë në bashkëpunim me ta...”, shkruan avokati Halilaj në Facebook.

Ndryshe, sulmi i armatosur ndaj avokatit Halilaj ka ndodhur më 14 prill të këtij viti para shtëpisë së tij në Drenas.

Atentati për të cilin është hetuar Sami Lushtaku dyshohet të jetë ekzekutuar nga Xhelal Zeqiri dhe Ibrahim Lushtaku, një familjar i afërm i ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt. Të dy këta ishin arrestuar nga Policia e Kosovës më 22 prill .

Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, atentatorët e kishin goditur veturën e parkuar në rrugë të avokatit Halilaj – derisa ai ndodhej brenda saj – me veturën e tyre në lëvizje, para se të qëllonin me armë zjarri në drejtim të tij.

Halilaj kishte pësuar lëndime në dorë, ndërkaq të dyshuarit ishin larguar me shpejtësi nga vend-ngjarja. Aty, Policia e Kosovës kishte gjetur gëzhojat e armës me të cilën ishte shtënë në drejtim të avokatit nga Drenasi

Për sulmin ndaj tij, Halilaj e kishte drejtuar gishtin kah Lushtaku. Në një intervistë për Klan Kosova, juristi deklaronte se “sulmin e kryen maskat e Samiut”. Ish-liderin e Komunës së Skenderajt e quante “kriminel gjakftohtë”.

“Rastin e kam raportuar publikisht. Janë maskat e Samiut. Është e sigurt. Ata janë njerëz të Sami Lushtakut!”, deklaronte Halilaj në mbrëmjen e sulmit të armatosur ndaj tij.

Atentatit ndaj Halilajt i kishte paraprirë një deklaratë e avokatit për 1.4 milionë franga fondesh të luftës, të cilat sipas tij, i kishte keqpërdorur Sami Lushtaku dhe një telefonatë e tensionuar ndërmjet tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat