Lajmi i fundit nga Gjykata Speciale, flasin për propozim-aktakuzën për Thaçin e Veselin

Aktuale

Lajmi i fundit nga Gjykata Speciale, flasin për propozim-aktakuzën për Thaçin e Veselin

Më: 21 tetor 2020 Në ora: 20:22
Hashim Thaçi

Kanë mbetur edhe tri ditë që Gjykata Speciale të konfirmojë ose jo propozim-aktakuzën për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Gjashtë muaj pas propozim-aktakuzës, Specialja duhet të njoftojë se çfarë vendim do të marrë.

Lidhur me propozim-aktakuzën, është deklaruar zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Gjykatës në Hagë, Angela Griep.

Griep deklaroi se edhe nëse aktakuza konfirmohet, gjyqtari i procedurës paraprake mund të urdhëroj mos zbulimin e përkohshëm të saj.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, në varësi të specifikave të çështjes individuale, ka deri në gjashtë muaj kohë për të marrë një vendim nëse do të hedhë poshtë ose konfirmojë aktakuzën. Në të njëjtën kohë, Rregullat parashikojnë një numër skenarësh që mund të rezultojnë në një aktakuzë të konfirmuar, e cila mund të bëhet publike më vonë se gjashtë muaj pas depozitimit të saj.
Për shembull, rregulli 88 parashikon që gjyqtari i procedurës paraprake mund të urdhërojë mos zbulimin e përkohshëm të një aktakuze të konfirmuar për arsye sigurie ose për të shmangur ndërprerjet në procedure”, ka thënë ajo.

Griep shtoi më tej se një aktakuzë e konfirmuar do të bëhet publike jo më vonë se paraqitja fillestare e të akuzuarit para Gjykatës.

Ndryshe, më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Presidenti Thaçi më herët  ka paralajmëruar se nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij, atëherë ai do të japë menjëherë dorëheqje nga pozita që ka.

Kujtojmë se Zyra e Prokurorit bëri publike aktakuzat, derisa presidenti Hashim Thaçi ishte duke udhëtuar drejt Shtëpisë së Bardhë, ku pas publikimit të aktakuzës ai kishte anuluar takimin.

Presidenti Thaçi është intervistuar nga Prokuroria Speciale në Hagë gjatë muajit korrik, ndërkaq intervistimi i tij kishte zgjatur katër ditë.

Pas intervistimit, ai kishte thënë se për katër ditë ka dhënë dëshmitë e tij lidhur me aktivitetet që ka bërë gjatë periudhës së luftës. Presidenti është shprehur i bindur se do të dal i suksesshëm nga kjo sfidë dhe  se lufta e UÇK-së ka qenë e drejt dhe për liri, dhe se për këtë kanë pasur përkrahjen e botës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat