​Personeli mjekësor: Agon Musliu s’e përmendi babanë, kërkoi të lirohej për shkak të nënës së tij

Aktuale

​Personeli mjekësor: Agon Musliu s’e përmendi babanë, kërkoi të lirohej për shkak të nënës së tij

Më: 22 tetor 2020 Në ora: 17:41
Foto

Mjekja dhe infermierja të cilat ishin pjesë e pikës mjekësore që kontrollonin udhëtarët ditën kur në aeroportin e Prishtinës kishte arritur Agon Musliu, kanë bërë të ditur se i ndjeri nuk ka shprehur asnjë shqetësim për veten e tij dhe nuk ka pasur dokument i cili do të dëshmonte mbi shqetësimet e tij shëndetësore.

Gjatë raportimit para Komisionit hetimor parlamentar për menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga Qeveria e Kosovës, mjekja e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë Hidajete Pireva dhe infermierja Vlora Maholli kanë bërë të ditur se kërkesa e vetme e 26-vjeçarit nga Gjilani ka qenë që të mos vendoset në karantinë, pasi duhet që të përkujdeset për nënën e tij.

Infermierja Vlora Maholli ka thënë se Musliu në asnjë moment s’ka deklaruar se ka ndonjë sëmundje apo shqetësim, madje tha se askush nuk ka paraqitur ndonjë dokument që vërteton gjendjen shëndetësore të tij. Ajo tha se kërkesa e vetme e tij ishte të kthehej në shtëpi që të përkujdesej për nënën e tij që jetonte e vetme.

Maholli: Musliu nuk ka paraqitur asnjë lloj dokumenti

“Agoni paraprakisht ka ardhur tek unë, më ka përshëndetur dhe asnjë shqetësim nuk ka pasur. E pyeta se a ka ndonjë dokument se ka ndonjë sëmundje, më tha jo. A posedon ndonjë dokument tjetër që duhet liruar? Tha jo, vetëm kisha dashur mos të karantinohem për shkak se kam nënën vetëm. Në këtë rast i kam thënë doktoreshë merru me këtë rast se po deklaron se e ka nënën të vetme. I kam thënë a ki dokument për nënën që je kujdestar për nënën, ai më tha jo, nuk kam asnjë dokument. Absolutisht asnjë lloj dokumenti nuk ka paraqitur, madje as verbalisht nuk ka deklaruar se ka ndonjë sëmundje apo shqetësim veçse ka thënë se dua të shkoj në shtëpi për shkak se kam nënën vetëm. Se kush kujdeset për nënën, ai tha një kushëri nuk e ka përmendur babanë asnjë herë në asnjë moment”, tha Maholli.

Edhe doktoresha e QKMF-së në Fushë Kosovë, Hidajete Pireva ka përshkuar Agon Musliun pa asnjë simptomë që do t’i shtynte të dyshonin mbi gjendjen e tij.

Pireva: Shumë i qetë ishte, duke qeshur ka shkuar

“Më pas është drejtuar tek unë, i kemi marrë të dhënat, e kam lajmëruar, i thashë a ke ndonjë dokument se më tha se vetëm shqetësim e kam për nënën. E kam pyetur se kush është kujdesur për nënën në kohën se ky ka deklaruar se dy muaj ka qenë në Gjermani, kush është kujdesur për nënën që e ke të vetme, ai tha se është kujdesur një kushëri. E di që i kam thënë se edhe dy javë ditë shkojnë shpejt, nëse ka dokument që mund ta paraqitësh në ministri kur shkon në konvikt ua dërgon dokumentet dhe ata mandej doktorët tjerë merren me këtë çështje… Shumë i qetë, duke qeshur ka shkuar, bile ka pasur të tjerë që kanë rezistuar, ai nuk ka rezistuar”, tha Pireva.

Infermierja Maholli tha se nëse i ndjeri do të kishte thënë se babai i tij është duke e pritur dhe se ka dokument mbi gjendjen e tij shëndetësore, atëherë do t’i bëhej një zgjidhje.

Maholli: Nëse do të deklaronte se babai i tij po e pret, ne do të ofronim zgjidhje

“Nëse tashmë ai do të ishte deklaruar se babai është duke e pritur dhe ka dokument me vete, ne kemi pasur për obligim ta thërrasim drejtorin dhe ai ministrinë, dhe do të ishte bërë zgjidhja, sepse nuk ka qenë qëllimi ynë t’i dërgojmë njerëzit në karantinë. Ne kemi shkuar për të mirën e tyre dhe me rekomandimet”, tha ajo.

Doktoresha e QKMF-së në Fushë Kosovë, Hidajete Pireva tha se rreth pesë herë ka marrë pjesë në kontrollet mjekësore të udhëtarëve në Aeroportin e Prishtinës. Ajo tha se shkuarja e tyre është deleguar nga drejtori i QKMF-së në Fushë Kosovë.

Pireva: Asnjë person nuk është liruar pa pasur dokument

“Sipas rekomandimeve të Mministrisë së Shëndetësisë pasagjerët e lejuar për vetizolim kanë qenë njerëz me sëmundje kronike dhe të lindura, me dokumentacion që kanë pasur, fëmijët nën 18-vjeç pa përcjellje të prindërve u dashur të shkojnë në vetizolim, pleqtë mbi 70-vjeç dhe profesionistët shëndetësorë dhe policia. Gjithë të tjerët që nuk kanë pasur sëmundje shoqëruese kronike dhe dokumentacion është dashur të shkojnë në karantinë… Asnjë përjashtim, po flas për ne të dyja në një tavolinë kemi qenë, për të tjerët nuk e dimë”, tha Pireva.

Babai i të ndjerit Naim Musliu gjatë raportimit para Komisionit Hetimor pati deklaruar se dokumenti që dëshmonte se djali i tij ka probleme shëndetësore ia kishte dorëzuar policëve te hyrja e Aeroportit të Prishtinës. E për këtë pjesë u interesua të di më shumë deputeti i AAK-së, Shkumbim Demalija.

Demalija: Prindi ka thënë se policisë ia ka dorëzuar dokumentin

Video

“Në deklaratë prindi thotë se ua kam drejtuar policisë dhe policia ka mund të ketë qasje dhe askush tjetër”, tha Demalija.

E për këtë deklaratë, doktoresha e QKMF-së në Fushë-Kosovë ka thënë se as nga policët nuk kanë pranuar ndonjë dokument.

Pireva: Nuk na ka ofruar policia asnjë dokument

“Nuk na ka ofruar policia asnjë dokument. 100 për qind jam e bindur asnjë dokument”, tha ajo.

Para Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19 dëshminë e ka dhënë edhe mjekja e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Hajrie Hoti e cila është marr me kontrollet e të karantinuarve në Qendrën e Studentëve.

Deklarimi i saj ishte mjaft i shkurtër pasi tha se në ditën kur ka arritur Agon Musliu nuk ka pranuar asnjë thirrje nga ai dhe se nuk ka pasur kontakt.

Hoti gjatë dhënies së dëshmisë së saj ka deklaruar se të karantinuar e datës 2 maj janë pritur nga udhëheqësi i Qendrës Karantinë, Valdet Hashani.

Hoti: Nuk kemi pasur asnjë thirrje për kontrolle mjekësore për Agon Musliun

“Më 2 maj prej orës 07:00 kam qenë kujdestar deri në 19:00 në mbrëmje. Aty na njoftuan se vijnë këta për t’i vendosur. Ekipi i vullnetarëve thanë se nuk ka nevojë për kontrolle, shkoni në konvikte dhe nëse ka nevojë ju thërrasim ne… Atë ditë asnjëherë nuk kam pasur thirrje prej Agon Musliut, e as nuk e kam parë”, Hoti.

Agon Musliu kreu vetëvrasje pasi kërceu nga objekti i Qendrës së Studentëve, një ditë pas kthimit nga Gjermania, gjatë pandemisë COVID-19.

Anëtarët e Komisionit hetimor parlamentar për menaxhimin e pandemisë u dakordua që raportimi i radhës të bëhet me pjesëtarët e personelit shëndetësor të pranishëm në Qendrën Studentore, ditën kur Musliu ndërroi jetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat