​Osmani arsyeton shitjen e lirë të tokave dhe një fabrike në Podujevë

Aktuale

​Osmani arsyeton shitjen e lirë të tokave dhe një fabrike në Podujevë

Më: 23 tetor 2020 Në ora: 16:11
Foto Ilustrim

Procesi i privatizimit të fabrikës për përpunimin e hekurit “FAN” në Podujevë dhe shitja lirë e tokave shoqërore nga AKP ishte interesimi më i madh i deputetëve në kuvend gjatë intervistimit të ish-zëvendëskryesues i Bordit të AKP-së, Naser Osmani në Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Hekuran Murati ka thënë se në bazë të raporteve të AKP-së, blerësi i fabrikës “FAN” nuk ka përmbushur zotimet për investime dhe punësim.

Sipas tij, as numri i të punësuarve dhe investimet e kërkuara sipas kontratës nuk janë përmbushur dhe nuk ka pasur asnjë aktivitet prodhues në këtë ndërmarrje në kohën kur në bordin e AKP-së ka qenë pjesë edhe Naser Osmani.

Murati: FAN nuk ka prodhuar në kohën kur është liruar nga mbikëqyrja

“Kemi një raportim tjetër sa ju keni qenë anëtar bordi, është i datës 29 mars 2011. Kështu thuhet, “Drejtori i ndërmarrjes nuk na informoj se kur dhe çfarë plani kanë për aktivizimin e fabrikës. Ndërmarrja thuhet nuk është duke funksionuar në mënyrë të rregullt, për momentin nuk prodhohet. Blerësi është në shkelje të marrëveshjes së zotimeve. Investime të reja kapitale nuk ka. Numri i punëtorëve të angazhuar është minimal. Gjendja e ndërmarrjes është jo e kënaqshme dhe nuk ka shenja përmirësimi për sanimin e shkeljes së marrëveshjeve së zotimeve”, citon Murati.

Duke iu përgjigjur deputetit Murati, ish-zëvendëskryesuesi i Bordit të AKP, tha se raporti i auditimit paraqet se blerësi FAN që ka qenë Agim Deshishku me profesion mjek dhe ka përmbushur zotimet 101 përqind për investimet dhe për numrin e punëtorëve në atë ndërmarrje.

Osmani: Sipas tri raporteve të auditimit, Deshishku ka përmbushur zotimet

“Sipas tri raporteve të auditimit, blerësi ka përmbushur mbi 101 përqind të zotimeve për numrin e të punësuarve. Sipas raporteve të fundit blerësi ka përmbushur pjesën e investimeve kapitale. Si ekonomist e konsideroj se çdo pagesë e bërë dhe e regjistruar në librat e kontabilitetit të asaj ndërmarrje konsiderohet investim dhe pronë e asaj ndërmarrje pavarësisht se territorit ku gjendet. Kjo është arseja që e mbrojë fuqishëm edhe sot. Mirëpo, policia ka konstatuar se investimi që është bërë është dashur me u bërë vetëm brenda fabrikës dhe ky kontest ka shkuar në gjykatë dhe ka zgjatur 6-7 vjet”, tha Osmani.

Ndërmarrja “FAN” që zgjoi interesim të madh ishte shitur në vitin 2005, 2. 31 milionë euro, ndërsa zotimi për investime si kusht kishte qenë 2.8 milionë euro për investime dhe garancia për punësimin e 236 punëtorëve.

Megjithatë, për këtë pati përplasje ndërmjet anëtarëve të Komisionit pozitë - opozitë për faktin se kolegu i tyre Hekuran Murati bëri pyetje shumë dhe mori kohën e mbledhjes për fabrikën e Podujevës.

Deputetja Doruntinë Maloku nga LDK-ja, tha se në bazë të rregullores së punës së Kuvendit që është për seancë, vlen edhe për komisione, ndaj kërkoi nga deputeti Murati që mos të marrë kohën e deputeteve tjerë.

Maloku: Ose po e lëshojmë krejt sallën dhe vazhdoni ju dialogun

“Nuk mundet as një deputet të shfrytëzoj më shumë se dhjetë minuta herën e parë për pyetje dhe e gjithë koha të shfrytëzohet vetëm nga një deputet. Ose po e lëshojmë krejt sallën ose vazhdoni ju dialogun”, tha ajo.

Ndaj, kësaj deklarate reagoi kryetar i Komisionit, Hajrullah Çeku, i cili tha se që në hapje të mbledhjes kur nuk pati interesim për pyetje, deputeti Murati kërkoi që pastaj të mos ia ndërprenë fjalën.

Kryetari i Komisionit Çeku tha se 39.6 euro për ari ka qenë çmimi mesatar i shitjes së tokave bujqësore sipas një vlerësimi të Ministrisë së Bujqësisë. Për këtë ka pyetur Osmanin, sa a kanë qenë çmime të arsyeshme?

Çeku: 30 mijë hektarë tokë janë shitë me një çmim mesatar 39.6 euro

“Është një statistikë nga Ministria e Bujqësisë nga viti 2004 deri në vitin 2018 janë privatizuar rreth 30 mijë hektarë tokë bujqësore në gjithë procesin e privatizimit, dhe çmimi mesatar është 39.6 euro për ari. A mendoni që ka qenë çmim i arsyeshëm kjo mesatare?”, pyet Çeku.

Osmani për këtë tha se ka pasur shumë dështime të proceseve të privatizimit për shkak të mungesës së ofertave. Prandaj, shitja lirë e tokës në atë kohë është e arsyeshme.

Osmani: Shitja e lirë e tokës në atë kohë është e arsyeshme

“Shitja kur ka ndodhë dhe fuqia blerëse kur ka ndodhë, për atë kohë mund të jetë i arsyeshëm, por nuk është i arsyeshëm për ditën e sotme”, tha ai.

Për pronat e uzurpuara që u ngritë nga deputeti i PDK, Gazmend Bytyqi, Osmani tha se me iniciativën e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli janë liruar disa prona, megjithatë sipas tij, për prona të uzurpuara ka pasur telashe të mëdha.

Osmani është pyetur rreth proceseve të privatizimit të pronave të tjera, për rastin e Grand Hotel dhe bashkëpunimin me ish-drejtorin AKP-së, Dino Asanaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat