Shpejtim Bulliqi: Keqmenaxhimit në Podujevë do t’i vijë fundi

Aktuale

Shpejtim Bulliqi: Keqmenaxhimit në Podujevë do t’i vijë fundi

Më: 25 tetor 2020 Në ora: 10:03
Shpejtim Bulliqi

29 nëntori pritet të jetë data kur llapjanët do t'u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur të parin e Komunës. Në garë për kryetar të Podujevës janë tre kandidatë, të cilët janë shprehur të gatshëm për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. 

Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se garës për kryetar nuk po i frikësohet dhe se është i gatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve, që nga marsi kur u anuluan ato.

“Unë si kandidat dhe subjekti politik të cilit i takoj, jemi të gatshëm për zgjedhje që nga marsi kur u anuluan. Ne kemi dorëzuar një kërkesë në KQZ në muajin qershor për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Janë organizuar aksione simbolike, konferenca për media etj. Jemi shumë të gatshëm dhe jemi të sigurt se do të fitojmë bindshëm, duke pasur parasysh zhgënjimin qytetar ndaj qeverisjes lokale në komunën e Podujevës dhe vullnetin e qytetarëve për të sjellë ndryshim me Lëvizjen në qeverisje në secilin nivel”.

Bulliqi shton se nuk i sheh si shumë seriozë kundërkandidatët e tij.

“Kandidatët me të cilët jam në garë nuk i shoh shumë seriozë dhe që mund të më sfidojnë mua në këtë garë. Tash pasi u hap rruga për zgjedhje, shpresojmë e presim vullnetin qytetar të deklaruar nga të cilët buron legaliteti dhe legjitimiteti” – tha Bulliqi.

Tutje ai ka shpalosur edhe një pjesë të programit të tij, duke thënë se me ardhjen në krye të Podujevës, qytetarëve do t'u lehtësohet jeta, ndonëse mandat ka vetëm 10 muaj e pak hapësirë buxhetore për të bërë ndryshimet rrënjësore. 

“Podujeva ka nevojë për ndryshim rrënjësor, sepse ka 20 vjet që udhëhiqet nga njerëz të pandërgjegjshëm e që nuk kishin asnjë qëllim lehtësimin e jetës së qytetarëve por vetëm shtimin e pasurisë personale. Me ardhje time shumë gjëra do të ndryshojnë, pavarësisht se kam në dispozicion vetëm 10 muaj të qeverisë e pak hapësirë për të bërë ndryshime në buxhet. Fillimisht administratës së Komunës nuk do t'i vihet çelësi në orën 12:00, por do të punohet edhe këtë kohë, pasi shërbyesit civilë mund të punojnë me dy pauza. Do të funksionalizohet çerdhja publike si e vetmja në Podujevë, por edhe do të ndërtohet disa të tjera. Do të punësohen njerëzit me vlera dhe kritere e jo pse janë vëllezërit/motrat apo fëmijët e partiakëve. Gjithashtu do të bëhet zgjidhje për personat me probleme mendore. Zgjidhje do t'u gjendet edhe qenve endacakë".

Ndër të tjera Bulliqi, u shpreh se ka ardhur koha që të bëhet ndryshimi rrënjësor në Podujeve pasi është mbetur mbrapa tash e 20 vjet.

“Shumë gjëra në komunën tonë nuk kanë nevojë për mjete financiare, por vetëm vullnet për punë, siç edhe e ceka më lart. Mirëpo ka ardhur koha për ndryshim dhe keqpërdoruesit që u pasuruan në kurriz të qytetarëve tash e 20 vjet, të shkojnë nga udhëheqja e Komunës tonë dhe të dihet kush çka ka bërë. Podujeva është duke vuajtur për gjërat më bazike që do t'ua lehtësonte jetën qytetarëve, andaj po e them publikisht që me programin tonë llapjanët qysh ditën e parë do t'i shohin ndryshimet”.

Bulliqi kërkoi nga bashkëvendësit e tij që të bëjnë ndryshimin në këto zgjedhje, sepse partia që ka qenë deri tani në pushtet nuk ka bërë atë që kanë kërkuar.

“Një ndryshim nuk mund ta bëjë një subjekt politik që është në pushtet që 20 vjet. Prandaj qytetarët llapjanë duhet të dalin e të votojnë ndryshimin dhe alternativën më të mirë. Unë jam shumë optimist, duke e parë edhe disponimin e qytetarëve, se nga kjo garë ne si VV do të dalim fitues. Qytetarët janë lodhur duke u ballafaquar me problemet nga më të ndryshme për shkak të  keqmenaxhimit në komunë”– përfundoi Bulliqi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka caktuar pesë ditë fushatë zgjedhore, nga data 23 deri më 27 nëntor 2020.

Kujtojmë se Komuna e Podujevës kishte mbetur pa kryetar, pasi Agim Veliu kishte dhënë dorëheqje pas emërimit të tij si ministër i Punëve të Brendshme. Zgjedhjet në këtë komunë ishin paraparë të mbaheshin më 15 mars, por për shkak të pandemisë, presidenti Thaçi i kishte shtyrë ato.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat