​Vullnetarët e karantinës: Agon Musliu nuk ka folur për ndonjë sëmundje

Aktuale

​Vullnetarët e karantinës: Agon Musliu nuk ka folur për ndonjë sëmundje

Më: 26 tetor 2020 Në ora: 16:43
Foto gjatë mbledhjes

Vullnetarët që shërbyen në ditën kur u pranua në Qendrën Karantinë, Agon Musliu, por edhe kur u gjet i vdekur në ditën tragjike, thonë se i ndjeri asnjëherë nuk ka përmendur se ka ndonjë dokument që tregon për gjendjen e tij shëndetësore, apo që ka ndonjë telashe shëndetësore në kohën kur kishte ardhur për t’u karantinuar në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Këto deklarimet pjesëtarët e ekipeve vullnetare në Qendrën Karantinë, i thanë sot para Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19, për vdekjen tragjike të të riut gjilanas, Agon Musliu.

Ata thanë se përveç se iu kishte përmendur se kishte pasur më herët telashe me veshkat, ndonjë shqetësim tjetër nuk kishte përmendur i ndjeri. Kujtojmë që babai i Agon Musliu, Naim Musliu gjatë raportimit para këtij komisionit kishte deklaruar se djali i tij kishte telashe me mëlçinë para se të shkonte në Gjermani, ku edhe kishte shkuar për të vazhduar studimet postdiplomike.

Vullnetarja Laureta Tafa e cila kishte pasur kontakte me Agon Musliun gjatë pranimit të tij në karantinë, tha se tashmë i ndjeri kishte treguar vetëm shqetësimet që kishte pasur më herët dhe telashet me veshkat, por që nuk kishte treguar për ndonjë shqetësim që mund ta kishte atë kohë.

E pyetur nga kryetarja e Komisionit, Mimoza Kusari-Lila se a kishte ndonjë dokument me vete që tregon për ndonjë sëmundje të Agonit, ajo tha se absolutisht nuk kishte përmendur ndonjë dokument apo telashe shëndetësore i ndjeri.

Tafa shtoi se kishte marrë pjesë në plotësimin e listës së atyre që kishin hyrë atë ditë në karantinë.

Tafa: Agon Musliu nuk ka përmendur se ka dokument apo probleme shëndetësore

“Atë ditë së bashku me kolegun kemi njëra e kemi mbushur chek listën, tjetra listën e pranimit, por para nesh kanë qenë nga Instituti të cilët e kanë marrë në pyetje secilin banorë, pastaj ne i kemi dëgjuar ato të dhëna dhe i kemi shkruar…Pyetjet kanë qenë rreth simptomave të COVID apo sëmundje tjetër që kanë pasur, vendit ku ka ardhur, sa ka qëndruar atje këto kanë qenë…Kusari: A ka shënuar se ka ndonjë sëmundje tjetër i ndjeri? Tafa: Më kujtohet kur të Instituti e kanë pyetur se a ki ndonjë sëmundje ka thënë jo, veçse para se me shkua në Gjermani ka pasur problem me veshkat. Dhe kur është pyetur se a ka ende problem a ki nevojë për mjek apo diçka tjetër, ai ka thënë jo jo shumë mirë jam tash dhe asnjë problem tjetër nuk kam. A i pranoni kushtet për t’u futur brenda ka thënë po dhe ka nënshkruar një vërtetim pa asnjë shenjë tjetër…Kusari: Nuk ka referuar se ekziston ndonjë dokument se ai ka sëmundje? Tafa: absolut është pyetur dhe gjithsesi çdo banorë është pyetur se a ka ndonjë dokument që dëshmon se ka diçka ka thënë absolut asnjë problem asnjë sëmundje nuk ka”, ishte debate që u zhvillua në mes të deputetes Kusari-Lila dhe vullnetares Tafa.

Kurse, edhe vullnetari Gent Jakupi ka treguar rreth kontaktit të tij që e kishte me të ndjerin. Ai tha se e mbante mend Musliun, pasi që në momentin kur të shënim të dhënave i kishin kërkuar letërnjoftimin, e kishte thënë vetëm numrin.

Ai tha se kryesisht puna e tij si vullnetare ka qenë matja e temperaturës, pyetja se të karantinuarit a kanë pasur ndonjë simptomë të koronavisurit, apo ndonjë sëmundje tjetër.

Jakupi: Letërnjoftimin nuk na e dha sepse numrin e dinte përmendësh

“I vetmin gjë që e mbaj mend është se kur i kemi kërkuar të dhënat e tij, letërnjoftimin nuk e ka dhënë sepse e ka ditë përmendësh letërnjoftimin”, theksoi Jakupi.

E për mënyrën e kërkimit të ndihmës mjekësore nga të karantinuarit, detaje ka dhënë koordinatorja e punës vullnetare, Mirjeta Ahmeti. Sipas Ahmetit, çdokush që ka pasur ndonjë shqetësim shëndetësor ka mund të komunikoi me ekipin mjekësor vullnetar përmes numrit të telefonit, përmes internetit, ose ato probleme kanë mundur t’i komunikojnë gjatë vizitave mjekësore që janë realizuar çdo ditë.

Ahmeti: Të karantinuarit kanë mundur të komunikojnë për problemet e tyre

“Faktikisht ka funksionuar një sistem i ËIFI-së për të gjithë të gjithë kanë qenë të kyçur në sistem nëse kanë dashur të komunikojnë dhe ne vullnetarët me qëllim që me lehtësua komunikimin iu kemi dhënë numrat tanë personal, por gjithsesi e kanë pasur një letër pothuajse në secilin korridor ku kanë mundur me kontaktuar me Qendrën e Mjekësisë Familjare. Doktoresha bashkë me infermieren kanë qenë shumë të ngarkuara për shkak se kanë qenë përgjegjëse për tri procese të ndryshme dhe për ta lehtësuar punën e tyre ne vullnetarët kemi shkuar në secilën dhomë i kemi kontrolluar nëse kanë paraqitur ndonjë problem shëndetësore i kemi marrë evidencat për rastet që kemi menduar që kanë nevojë për kujdes më profesional i kemi paraqitur tek doktoresha përgjegjëse.. Vizita zakonisht është bërë në orën 12:00 dhe ata për çfarëdo problem kanë mundur me i paraqitur si ekipit mjekësor, ashtu edhe të logjistikës ”, tha Ahmeti.

Më 3 maj 2020 në ditën kur u gjet i vdekur i riu, Agon Musliu, ekipi vullnetar që shërbente atë ditë thotë se të ndjerit nuk iu bë asnjë kontroll mjekësore. Madje dy vullnetaret që ishin të pranishme thanë se nga vetë Agoni nuk kanë pranuar asnjë thirrje për të shprehur shqetësimet e tyre, dhe po atë ditë nuk kanë bërë kontrollet e zakonshme mjekësore që bëheshin në orën 12:00 dhe 17:00 çdo ditë, pasi që vullnetarja e cila kishte nën mbikëqyrje konviktin numër 7, ku edhe ndodhej Musliu, ishte duke u marrë me një rast tjetër i cili kishte shqetësime psikologjike dhe për të cilin ishte kërkuar edhe ndihmë.

Enkel Koci vullnetare në ditën tragjike, tha se gjatë asaj dite i ndjeri Agon Musliu nuk ka marrë ndonjë kontroll mjekësore.

Koci tha se në ditën kritike kur edhe u gjet i vdekur Agon Musliu ishte duke u marrë me disa të karantinuar të tjerë të cilët për shkak të gjendjes shëndetësore është dashur të lirohen nga karantina. Por ajo ishte e pranishme në momentin kur ish zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku i kishte dërguar mesazh udhëheqësit të Qendrës Karantinë, Valdet Hashani përmes të cilit kishte kërkuar ndihmë për Agon Musliun.

Ajo tha se Hashani veçse ishte duke dërguar një email përmes të cilit kërkonte ndihmë psikiatrike për tre të karantinuar tjerë dhe menjëherë në këtë listë ishte shtuar edhe Agon Musliu.

Koçi tha se derisa ishte duke u marrë me personat që po liroheshin për shkak të gjendjes shëndetësore, kishte Niman Bardhi, i cili kishte treguar se një person ishte hedhur nga konvikti 7.

Ajo tha se menjëherë nuk ka vdekur Musliu, dhe se e shoqëruar nga Hashani me ambulancë të ndihmës së parë, kishin shkuar në QKUK, por që i ndjeri tashmë kishte vdekur.

Koci: Asnjë vizitë mjekësor nuk i është bërë Agon Musliut

“Atë ditë kanë pasur me u liruar disa persona për shkak të gjendjes, sëmundjeve të ndryshme dhe kam pasur me marrë informata se cilët janë ata persona, kam qenë duke i marrë të dhënat sepse na duhen për shkak të këtyre kontrolleve edhe kanë qenë në sallën ku janë mbledhur vullnetarët dhe më pas ka ardhur Niman Bardhi dhe na ka treguar se dikush ka kërcyer nga ndërtesa dhe kemi vrapuar, e kemi marrë çantën, nuk kemi ditur se për kë është bërë fjalë… Vizitë Agonit nuk i ka bërë askush, unë të paktën nuk e kam bërë, jam duke u folur për vetën....Valdet Hashani ka qenë duke dërguar email për tri raste që është dashur me u vizitua nga psikiatri, në ato momente ka ardhur një mesazh nga Izet Sadiku edhe e kemi parë mesazhin se duhet me e fut të ndjerin në listë i duhet një konsult psikiatrike ose nga psikiatri ose psikologu edhe pastaj e kemi futur në listën që veç kemi pasur me dërguar për tre persona por fati ka deshtë me hy ai në atë listë ka qenë punë sekondash”, theksoi ajo.

Koci e cila në kohën sa kishte shërbyer si vullnetare, tha se Agon Musliu në momentin kur ishte pranuar në karantinë, ka qenë i qetë dhe nuk ka treguar ndonjë dëshmi apo dokument që tregon për gjendjen shëndetësore të tij.

Koci: Agon Musliu ka qenë i qetë atë ditë

“Është thënë se 150 do të vijnë në pranim kanë qenë 57 kanë ardhur gjithsej kanë shkuar për vetëizolim në shtëpitë e tyre dhe vetëm 9 persona na kanë ardhur neve për karantinë, njëri prej tyre ka qenë edhe Agoni. Kur ka ardhur ka thënë se ka probleme të veshkave por e ka pasur para 5 viteve, është pyetur se a posedon dokument ka thënë jo e kemi pyetur se a ka ndonjë dhimbje apo simptomë, e kemi pyetur për ato simptoma për një pacientë që ka gur në veshka dhe i ka mohuar...Agon ka qenë shumë i qetë nuk ka pasur as rezistencë dhe asgjë tjetër domethënë i ka kuptuar të gjitha rregullat por dokument nuk ka shfaqur”, theksoi Koci.

Vullnetarja Enkel Koci ka paraqitur edhe pakënaqësitë e saj për menaxhim të karantinë, pasi ka thënë se ekipet vullnetare shpesh janë sulmuar edhe fizikisht edhe verbalisht nga të karantinuarit, dhe se shpesh nuk e kanë ditur as sa persona janë në Qendrën Karantinë.

Edita Sadiku e cili atë ditë ndodhej në konviktin 7 të Qendrës së Studentëve dhe kishte qëndruar me një pacientë tjetër më shumë se 3 orë, thotë se Agon Musliu nuk ka bërë asnjë thirrje për të treguar për gjendjen e tij shëndetësore.

Sadiku: Musliu nuk bëri thirrje për të kërkuar ndihmë

“ Kemi pasur një rast tjetër që jam futur në konvikt atë ditë që jam future në orën 12:00 dhe kam dal në orën 15:30 sepse ka qenë në pyetje dikush tjetër ka pasur nevojë për asistencë dhe me të jam marr vazhdimisht….kam dal dhe e kemi njoftuar ekipen mjekësore dhe Valdet Hashanin për rast tjetër, jo për rastin në fjalë sepse me atë nuk jam takuar sepse ai nuk ka kërkuar dhe asnjë telefonat nuk e ka bërë në Qendër që ka nevojë për diçka apo ka ndonjë shqetësim apo diçka tjetër”, tha ajo.

Deputeti nga AAK, Shkumbin Demalija kërkoi të di se dy vullnetarët që ishin duke shërbyer në ditën kur ndodhi vdekje e Musliut, a janë ftuar për të dhënë dëshminë e tyre nga Prokuroria. Editë Sadiku vullnetare, ka thënë se organet e drejtësisë asnjëherë nuk e kanë ftuar për të dhënë dëshminë e saj për rastin në fjalë.

Po ashtu dëshminë e tyre për rastin e dhanë edhe ekipi mjekësore e Qendrës Mjekësore Familjare në Prishtinë të cilët kishin shërbyer në ditën tragjike kur u gjet i vdekur në Qendrën e Studentëve, Agon Musliu më konkretisht më 3 maj.

Doktoresha në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Vlora Hasimja tha se me të ndjerin kush kishte pasur asnjë kontakt. Ajo thotë se në ditën kur ai ka vdekur, ekipi i tyre ka arritur në vendin e ngjarjes pasi ndihma e shpejtë e kanë marr atë.

Hasimja tha se gjatë kohës sa ka qenë aktive Qendra Karantinë ka kujdestaruar dy herë.

Hasimja: Nuk e kemi parë e as kontrolluar ne Agon Musliun

“Nuk e kemi parë, nuk e kemi pranuar, nuk e kemi kontrolluar nuk kemi pasur njohuri se është aty....neve na ka ardhur një person zyrtar ose Polic ose sigurimi ka qenë jo nuk ka qenë shëndetësor ndërkohë duke e thirrur ndihmën e shpejt vetëm kemi dal në vendin e ngjarjes....Ata që kanë pasur shqetësime janë paraqitur dhe ne kemi shkuar nëpër dhoma”, tha ajo.

26 vjeçari Agon Musliu, dyshohet se u hodh nga njëra ndërtesë e Qendrës së Studentëve, një ditë pas kthimit nga Gjermania gjatë pandemisë COVID-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat