Njeriu që i dolën 2.1 milionë euro në llogari, hyri si në “bahçe të babës” në Kosovë – Policia nuk di gjë

Aktuale

Njeriu që i dolën 2.1 milionë euro në llogari, hyri si në “bahçe të babës” në Kosovë – Policia nuk di gjë

Më: 26 tetor 2020 Në ora: 20:41
Kadri Shala

Kadri Shala, pronari i kompanisë “LDA Group” ku u derdhën 2.1 milionë euro të shtetit me disa transaksione ilegale, është kthyer sot në Kosovë dhe çuditërisht ai nuk është ndaluar fare nga Policia me të hyrë në Kosovë.

Është avokati i tij, Osman Hoxha, që ka treguar se Shala është kthyer nga Turqia dhe nuk është ndaluar fare me të hyrë në Kosovë.

“Ky ka jetu në Kosovë, ashtu siç është treguar më herët përmes mediave. Ka udhëtu njëherë për një kohë të shkurtër në Turqi. Është kthyer vetë. Kemi ardhë unë me të bashkë, jemi paraqitur këtu në Polici”, ka thënë Hoxha.

I pyetur se pse nuk është ndaluar gjatë hyrjes në territorin e Kosovës, avokati i Shalës ka thënëse “ajo çështje nuk i përket avokatisë, aty janë organet kompetente”.

Gazeta ka pyetur Policinë e Kosovë pse nuk është ndaluar Kadri Shala i cili ishte person në arrati.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka dhënë një përgjigje të përgjithësuar, duke treguar për hyrjen e Shalës në Kosovë, por nuk ka treguar pse nuk është kapur nga policia.

“Sot në Polici të Kosovës është vetedorëzuar një mashkull kosovar i cili tani është në proces të intervistimit. Policia e Kosovës të gjitha veprimet e mëtejme lidhur me rastin dhe personin në fjalë, do ti ndërmerr në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetentë. Mund të konfirmojmë se, me vendim të Prokurorit kompetent, personit të vetedorëzuar në Policinë e Kosovës iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh” është përgjigja e Kelanit.

Kadri Shala sot pas intervistimit, ai u ndalua për 48 orë, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Më 20 tetor, punëtori i Thesarit, Labinot Gruda, u arrestua nën dyshimin se përmes katër transaksioneve ka transferuar saktësisht 2,077,995.90 euro nga buxheti i shtetit në llogarinë e kompanisë “LDA Group”.

Në llogarinë e “LDA Group” fillimisht ishin transferuar 622 mijë euro, herën e dytë 375 mijë, pastaj 330 mijë dhe për herë të fundit 750 mijë euro.

Hetimi për këtë vjedhje përfshin 40 njerëz, të cilët në forma të ndryshme dyshohet se janë bërë protagonistë të këtij skandali.

Skandali i vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga buxheti i shtetit është planifikuar mbi një strategji që gjeti zbatim për 8 minuta, sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Në kërkesën për caktimin e paraburgimin ndaj të arrestuarit Labinot Gruda, Prokuroria ka treguar se në Ministrinë e Financave, Labinot Gruda, për 8 minuta kishte krijuar llogari fiktive që do të duhej të dukeshin si të ishin të punëtorëve të këtij dikasteri, e që do t’i mundësonin atij pastaj që kundërligjshëm t’i transferonte 2,077,995.90 euro në llogari të kompanisë “LDA Group”, pronë e Kadri dhe Valon Shalës.

Për të arrestuarin e vetëm për këtë rast, zyrtarin e Thesarit, Labinot Gruda, Gjykata Themelore e Prishtinës të enjten ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Për këtë rast, në kërkim është edhe përfaqësuesi i autorizuar i “LDA Group”, Valon Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat