Deputetët vizitojnë pikën kufitare në Merdare: Serbia nuk i respekton marrëveshjet me Kosovën

Aktuale

Deputetët vizitojnë pikën kufitare në Merdare: Serbia nuk i respekton marrëveshjet me Kosovën

Më: 27 tetor 2020 Në ora: 14:11
Fatmire Mulhaxha Kollçaku

Anëtarët e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, kanë vizituar pikën kufitare në Merdare, për të parë se sa po zbatohen marrëveshjet Kosovë-Serbi. Të martën deputetë të këtij komisioni thanë se pala serbe në këtë pikë nuk po zbaton marrëveshjen e IBM-së, e që sipas tyre këta të fundit pavarësisht se janë afruar brenda objektit të përbashkët, nuk janë duke zbatuar këtë marrëveshje dhe ka mungesë të shkëmbimit të informatave.

Kryetarja e komisionit, Fatmire Mullhaxha Kollçaku tha se nga kjo vizitë po vërehet se pala kosovare po e konsideron këtë kufi mes dy shteteve, por që njëjtë nuk po ndodhë edhe me palën serbe.

Mullhaxha Kollçaku: Nuk po shohim vullnet të mirë për zbatimin e marrëveshjes

"Nga pala serbe po shohim që janë futur në territorin e Kosovës, që do të futen në objektin që është duke u përfunduar. Mirëpo nuk po shohim vullnet të mirë për zbatimin e marrëveshjes në asnjë pikë. Në fakt këta vazhdojnë ta konsiderojnë si pikë kalimi. Nuk po shohim asnjë lloj bashkëpunimi mes dy shteteve dhe ajo çfarë mund të konstatojmë është që vetëm marrëveshja e fundit në Uashington, përveç afrimit fizik, mirëpo jo vullnet të mirë nga pala tjetër të ketë zbatim të marrëveshjes", tha ajo.

Kryetarja e komisionit theksoi se nuk ka pasur shkëmbim të informatave dhe nuk ka bashkëpunim mes dy palëve në këtë pikë.

Mullhaxha Kollçaku: Ne do të kërkojmë që të zbatohen marrëveshjet

"Ne do të kërkojmë që të zbatohet marrëveshjet ato që arrihen, që janë në dobi të shtetësisë së Kosovës që të realizohen. Ndërsa është e qartë që deri tani pala tjetër nuk i respekton marrëveshjet", ka shtuar ajo.

E anëtarja e komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu tha se është koha e fundit kur institucionet e vendit duhet të punojnë dhe qe debatet parlamentare të jenë të shëndosha që i ndihmojnë Kosovës.

Sipas saj, duhet të reagohet për këtë çështje, meqë në këtë pikë kufitare mungojnë sinjalizuesit qe tregojnë se është shteti i Kosovës.

Musliu: Nuk ka asnjë shenjë sinjalizimi qe tregon që këtu është Kosova

"Kur them gjithçka shihet që është një pikë kontrolli kufitar. Ndërsa, kur e sheh, mungojnë shumë gjëra dhe nuk ka asnjë shenjë sinjalizimi që tregon që këtu është Kosova. Dhe faktikisht nga pyetjet që i parashtruam përveç këtij objekti të ri që duket që është e të duket që nuk ka asgjë të re. Nuk sheh një bashkëpunim, nuk sheh një këmbim të informatave dhe zbatueshmëri të marrëveshjeve", ka shtuar ai.

Një gjë të tillë e tha edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Tasholli, ku sipas tij duhet të dalin udhëzues se di duhet të zbatohen marrëveshjet e dialogut.

Tasholli: Do të duhej të dalin udhëzues se si të veprohet

"Kapiteni i pikës kufitare na ka informuar që të gjitha veprimet dhe të gjitha aktivitetet që merren këtu akoma janë në marrëveshjen e Brukselit të nënshkruar më parë. Sigurisht që Kosova tani është në proces të dialogut dhe pres edhe prej marrëveshjeve të fundit që janë arritur ne Uashington do të duhej të dilnin udhëzuesit dhe konform udhëzuesve të marrëveshjes për dialogun duhet të veprojnë", ka theksuar Tasholli.

Ndër tjera, ai tha se kjo pikë kufitare është delikate dhe që në bisedimet e ardhshme duhet të mbyllen këto çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat