Zbulohet çka kishte në arkën që u vodh në AUV

Aktuale

Zbulohet çka kishte në arkën që u vodh në AUV

Më: 27 tetor 2020 Në ora: 15:41
AUV

Një mijë e 523 euro, kartela mbushëse telefonike në vlerë prej 30 euro si dhe dokumente tjera të rëndësishme kanë qenë brenda arkës metalike 300 kg e cila u vodh me 22 tetor, në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës.

Kjo arkë përdorej për ruajtjen e parave kesh, për nevoja të pagesave të ndryshme me vlerë deri në 100 euro.

Këtë e ka konfirmuar, Lamir Thaçi, zëdhënësi i Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi

“Arka metalike në momentin që është vjedhur ka pasur brenda, para në vlerë 1,523.58 euro (njëmijëeqesqinëenjëzetetre euro/ e pesëdhjetedy eurocent), dhe 30 euro kartela mbushëse telefonike (10×3.00=30.00 euro)”.

“Po ashtu aty kanë qen të vendosura kopje fizike të planeve arkitektonike dhe të inxhinierisë të objekteve të AUV-së, (planet e objekteve ekzistuese për tri objektet dy Laboratorët dhe ndërtesa e administratës qendrore)”, tha Thaçi.

Sipas tij, këto plane shfrytëzoheshin për mirëmbajtjen e objekteve në raste të prishjes apo defekteve teknike që paraqiteshin.

“Arka përdorej për ruajtjen e parave të imta (kesh) për nevoja të pagesave të ndryshme me vlerë deri në 100 euro”, ka deklaruar Thaçi.

Vjedhja e arkës ka ndodhur të enjten e kaluar, dhe sipas Thaçit në objektin e Agjencisë ka dritare dhe dyer të dëmtuara, që sipas tij dëshmojnë se vjedhja është kryer me forcë.

“Më datën 22.10.2020, ora 8:00 e mëngjesit koha kur edhe fillon orari i punës, zyrtaret e tri zyrave i kanë gjetur dyert e hapura në objektin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, objekti qendror i administratës. Menjëherë zyrtaret kanë raportuar dhe është njoftuar Policia”, ka sqaruar Thaçi.

Ai ka treguar se objekti ka qenë duke u ruajtur dhe nën vëzhgimin e kamerave.

“Pas shikimit të hapësirave është vërejtur se e vetmja gjë që mungon ka qenë arka. Të dëmtuara fizikisht me force janë dritarja nga dyshohet sa kanë hyrë vjedhësit dhe tri dyer të zyrave. Nga të cilat shihet se hyrja në objekt ka qen me anë të forcës apo thyerjes”, ka sqaruar ai.

Lidhur me këtë skandal, u suspendua edhe një zyrtar policor që kishte qenë duke siguruar objektin. Lajmi është konfirmuar nga Inspektoriati Policor.

Zyrtari policor sipas IPK-së nuk ka treguar nivelin e duhur të profesionalizmit dhe vigjilencës në raport me detyrat për të cilat kanë qenë të caktuara për të.

“Zyrtari policor (tashmë i suspenduar) që ka qenë me detyrë në punë sekondare datën kur ka ndodhur incidenti në objektin e AUV-it, është duke u hetuar me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorim i besimit”, ka thënë zëdhënësi i Inspektoratit Policor, Arbër Beka.

Në lidhje me rastin kanë refzuar të flasin nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, pavarëishst insistitmit të Insajderit për të kuptuar se deri ku kanë arritur hetime.

Të vetmen deklaratë që e dhanë ishte në ditën kur ndodhi vjedhja. Duke u shprehur shkurt se janë duke e hetuar rastin.

“Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka nisur hetimet në lidhje me këtë rast. Për zhvillimet e tjera do të njoftoheni me kohë”, kishte deklaruar Laureta Ulaj, zëdhënëse e prokurorisë.


Rasti i vjedhjes në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës ndodhi një ditës pasi kur u bë i ditur skandalin i vjedhjes së 2 milionë e 77 mijë eurove nga Thesari i Shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat