Kryeministri Hoti i cakton detyrë të re Driton Selmanajt

Aktuale

Kryeministri Hoti i cakton detyrë të re Driton Selmanajt

Më: 28 tetor 2020 Në ora: 12:10
Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj

Kryeministri Avdullah Hoti ia ka caktuar një detyrë të re zëvendësit të tij, Driton Selmanajt. Ky i fundit, nga sot do të jetë përgjegjës për procesin e integrimit evropian të vendit.

Për detyrën e re të Selmanajt, njoftoi kryeministri Avdullah Hoti në tryezën e sotme konsultative me Organizata të Shoqërisë Civile për prioritetet e Agjendës së Reformave Evropiane.

“Zëvendëskryeministri Selmanaj do ta mbulojë pjesën e integrimeve evropiane, pra do të jetë zëvendëskryeministër për çështje të integrimeve evropiane. Ai ka përvojë të gjatë në shoqërinë civile, besoj me shumicën prej jush njihet edhe personalisht, ose mund të keni punu bashkë, dhe unë besoj se së bashku me ju dhe stafin i cili është mjaft i përgatitur brenda zyrës dhe departamenteve që mbulojnë çështjet e integrimeve evropiane të punojnë së bashku në çuarjen përpara të agjendës evropiane”, tha Hoti.

Hoti theksoi edhe sfidat e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

“I kemi të qarta sfidat me të cilat po përballemi, sfida të cilat janë në raportin për Kosovën dhe po punojmë shumë që të bëjmë plan punë nëpër ministrit përkatëse për adresimin e atyre sfidave. Besoj sot do e diskutojmë dhe prezantojmë një dokument shumë të rëndësishëm ERA 2, për të cilin besoj se do të marrim sugjerime dhe komente edhe nga ana e juaj. Le të jetë ky takimi i parë ku ne fillojmë takimet me shoqërinë civile e cila mbikqyrë agjendën e qeverisë në gjitha aspektet, por edhe në atë të integrimit evropian”, tha ai.

Para disa ditësh, me vendim të Qeverisë, Selmanaj po ashtu ishte caktuar si përfaqësues i Qeverisë në seancat e Kuvendit. Këtë e kishte propozuar kryeministri Avdullah Hoti, ndërsa për propozimin votuan të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat