VV kërkon të shtyhet zgjedhja e anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave

Aktuale

VV kërkon të shtyhet zgjedhja e anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave

Më: 29 tetor 2020 Në ora: 11:04

(E plotësuar) -Lëvizja Vetëvendosje ka dyshime të bazuara se njëri prej katër kandidatëve që synojnë të zënë dy vendet në Bordin për Ankesa të Mediave nuk i ka kualifikimet e duhura ligjore për këtë pozitë. Për këtë arsye, partia e Albin Kurtit ka kërkuar që kjo pikë të largohet nga rendi i ditës në seancën e sotme të Kuvendit. Por kundërshtimi i partive tjera parlamentare dhe mungesa e deputetëve në sallën plenare ka bërë që të njëjtit të shkojnë në pauzë deri në orën 15:00.

Pavarësisht kësaj, deputeti i LVV-së, Agon Batusha kërkoi që edhe një herë komisioni ad-hoc për përzgjedhjet e dy anëtarëve të këtij bordi të rishqyrtojë listën e kandidatëve.

Batusha: Një kandidat nuk i plotëson kriteret ligjore për përvojën e punës

“Ne kërkojmë që pika 5 e rendit të ditës që ka të bëjë me zgjedhjen e dy anëtarëve për Bordin e Ankesave të Mediave të shtyhet për mbledhjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës. Arsyetimi është që t’i bartet komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për bordin e ankesave të mediave. Ne kemi dyshime të arsyeshme që njëri prej kandidatëve që iu ka propozuar seancën për votim nuk i plotëson kriteret ligjore për përvojën e punës”, tha ai.

Me t’u kthyer deputetët në sallën plenare pika e parë e rendit të ditës pritet të jetë ky mocion procedural i Lëvizjes Vetëvendosje.

***

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shfrytëzohen mekanizma, në mënyrë që të evitohen lajmërimet e pensionistëve në këtë kohë pandemie, meqë sipas saj të njëjtit po maltretohen.

Në seancë plenare, Haxhiu tha se pamjet para komunës, bankave dhe vendeve të tjera, ku të moshuarit janë të detyruar të presin për t’u lajmëruar se janë gjallë, janë të shëmtuara.

Haxhiu: Kërkoj nga qeveria që t’i heqin nga rruga pensionistët të cilët duhet të lajmërohen brenda afatit gjashtë muaj

“T’i bëjë thirrje këtu qeverisë që t’i hjekin nga rruga pensionistët të cilët po duhen të lajmërohen brenda afatit gjashtë muaj. Janë pamje të shëmtuara, andaj ju lus që në këtë kohë pandemie mos kërkoni nga që pensionistët të lajmërohen. Pra, të bëhet e pamundur, t’iu shkohet në shtëpi nëse ka nevojë për të parë nëse janë gjallë. Por mos të maltretohen për të ardhur dhe për të treguar se janë gjallë. Kjo është diçka e shëmtuar duke parë në zyret që ne po i shohim në komuna por në kryeqytet”,ka kërkuar Haxhiu.

***

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se vendimin për shuarjen e task-forcës po e kritikojnë ata që kanë frikë se kjo qeveri gjerave do të ju shkojë deri në fund. Hoti gjatë përballjes së pyetjeve të opozitës rreth shuarjes së kësaj task-force anti-korrupsion tha se një vendim i tillë i vitit 2010 ka qenë anti-kushtetuese.

Ai deklaroi vendimi që e ka marrë tani qeveria është për ta kthyer ligjshmërinë. Ndërsa shtoi se janë duke e kritikuar këtë vendim “ata që kanë frikë që gjërave do t’u shkojmë deri në fund”.

Hoti: Koha do t’i tregoj të gjitha, keni me pa

“Janë duke e kritikuar ata që kanë frikë se gjërave kemi me ju shkua deri në fund. Mos të kenë dyshime për këtë, koha do t’i tregoj të gjitha, dhe keni me pa”, ka deklaruar Hoti.

Ndërkohë, që deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri theksi se shuarja e kësaj task-force ka bërë shkëputjen e një krahu të rëndësishëm të Prokurorisë Speciale.

Tahiri: Po më çudit që po e merr guximin me dal me interpretua a është kushtetuese apo jo

“Po më çudit që po e merr guximin me dal me interpretua a janë në përputhje me kushtetutën apo jo. Sepse Kosova e ka një institucion, që është Gjykata Kushtetuese dhe keni mujt me ju drejtuar, sepse në vendime të tilla a janë në përputhje me kushtetutën a jo. Se qysh ju shkoni gjërave deri në fund na ka tregu rasti i fundit i avullimit të dy milionëshit edhe rastet tjera që u akuzuan dhe hetuan Task-Forca. Prandaj, ne shpresojmë që ky degradim do të ndalet. Ne do të punojmë çdo ditë që ky degradim të ndalet”, ka shtuar Tahiri.

Kryeministri Hoti tha se vendimi për themelimin e Task-Forcës i vitit 2010 nga qeveria Thaçi është jokushtetues.

Hoti: Qeveria nuk mund t’i kërkojë prokurorisë të themelojë struktura të caktuara

“Çdo jurist besoj e ka të qartë edhe studentët me qenë ende të padiplomuar, që vendimi I vitit 2010 është jo-kushtetues. Shiheni pikën e parë të këtij vendimi që Qeveria i kërkon prokurorisë të themelojë struktura të caktuara. Pushtetet janë të ndara, qeveria nuk mund t’i kërkojë prokurorisë me themelua struktura të caktuara. Është çështje e prokurorisë, në bazë të ligjit se si të organizohet. Ata çfarë duhet të bëjë qeveria është që të vë në dispozicion krejt kapacitetet e veta sipas nevojave që ka prokuroria.

Me këtë vendim Hoti tha se po kthejnë ligjshmërinë në vend. Hoti shtoi se gjatë këtyre ditëve policia do të shkëmbejë letra me prokurorinë për t’u siguruar që puna e Task Forcës të vazhdojë në mënyrë të pa penguar deri sa të përgatitet organogrami i ri i policisë.

Hoti: Kjo Task-Forcë ka qenë në ajër diku

“Kjo Task-Forcë ka qenë në ajër diku, e pa definuar në organogramin e Policisë. Gjatë këtyre ditëve policia do të shkëmbejë letra me Prokurorinë Speciale, për t’u siguruar që puna e kësaj task-force dhe të gjitha çështjet të cilat janë në shqyrtim të vazhdojnë punën të papenguar deri sa të përgatitet organogrami i ri i policisë, në mbikëqyrje strikte të partnerëve tanë ndërkombëtarë”, ka shtuar Hoti.

***

Zhbërja e Task Forcës anti-korrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës, ka nxitur debat të ashpër në mes të kryeministrit të vendit Avdullah Hotit dhe opozitës.

Derisa opozita kritikonte zhbërjen e saj, duke thënë se vendimi ishte marrë pasi ishte duke u hetuar ministri Agim Veliu për tender milionësh, Hoti mbrojti vendimi e tij duke thënë se ajo i jepte kontroll të madh qeverisë mbi këtë organ gjë e cila siç tha ai është e kundërligjshme.

“Kompetencat që iu janë dhënë qeverisë brenda kësaj Task Force ishte që ata të përcaktonin edhe numrin e prokurorëve që do të merreshin me këtë çështje dhe a e dini se çka mungonte? Vetëm të tregonin edhe emrat se kush duhej të ishte aty”, tha Hoti.

Në anën tjetër Rexhep Selimi i Vetëvendosjes tha se zhbërja e saj nuk është cilësuar e kundërligjshme vetëm nga ta por edhe nga Amabasa e Amerikës të cilët kanë reaguar menjëherë pas këtij lajmi. Ai ka kritikuar Hotin pse një vendim të tillë nuk e kishin marrë më parë, meqë LDK edhe në kohën e Isa Mustafës qeveriste me vendin, dhe se kjo Task Forcë është funksionale tash e 10 vjet.

***

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka theksuar se qytetarët e Kosovës po përballen me vështirësi deri në kufi të ekzistencës. Sipas tij, pavarësisht gjendjes jo të mirë në vend, krimi dhe korrupsioni po vazhdon të jetë në veprim dhe plan të parë.

Selimi gjatë seancës plenare ka thënë se klubi i vjetër i politikës po sillen dhe janë bashkë.

Selimi: Ata po mendojnë që po fshehin fytyrën

“Përderisa kurdiset avullimi i milionave të humbur në arbitrazhe, për fat të keq lista e shtresave dhe kategorive shoqërore me probleme të pazgjidhura është shumë e gjatë. Klubi i vjetër i politikës së vjetër edhe këtu po sillen edhe janë bashkë. Krejt po i shohim, vetëm ata po mendojnë që po e fshehin fytyrën”, ka deklaruar ai.

Selimi theksoi se statusi i minatorit është vetëm ai social, meqë sipas tij këta nuk po trajtohen mirë nga shteti. Ai ngriti edhe shqetësime të tjera, duke shtuar se qytetarët po presin nga qeveria për zgjedhjen e problemeve të tyre.

Selimi: Qytetarët do të duhej të ishin në plan të parë për qeverinë e tyre

“Janë banorët shqiptarë të komunës së Mitrovicës së Veriut dhe viseve të tjera të cilat pengohen ende sot për të ndërtuar shtëpi e tyre dhe nuk mund të kthehen në pronat e tyre për të punuar dhe jetuar. Janë banorët e Hades me problemin e tyre të madh të pazgjidhur tash e një dekadë. Janë po ashtu banorët e Qikatovës e Drenasit që përballen pa përgjigje për problemin e madhe që e kanë nga Ferronikeli dhe nga komuna e tyre, ku po rrezikohen shtëpitë, pronat, shëndeti dhe veçmas jeta e tyre. Kur Serbia pret realizimin e Zajednicës, në anën tjetër janë qytetarët që presin dhe do të duhej të ishin në plan të parë për qeverinë e tyre për zgjedhjen e problemeve të tyre”, ka theksuar ai.

Ndër tjera, theksoi se janë duke u harruar të gjitha gratë të cilat nuk kanë përkujdesje. Fermerët sipas tij ende nuk kanë marrë ende kompensim për dëmet nga reshjet, e që siç tha ai krimi dhe korrupsioni po vazhdon të jetë në veprim dhe plan të parë. 

***

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka kritikuar ashpër kryeministrin Avdullah Hoti për shuarjen e Task-Forcës kundër korrupsionit.

Ai tha se me këtë vendim, Avdullah Hoti u bë pjesë e krimit dhe korrupsionit.

Tahiri: Shuarja e Task-Forcës Kundër Korrupsionit, ka rrezikuar statusin e të gjitha lëndëve

“Shuarja e Task Forcës Kundër Korrupsionit, në mënyrë vetanake me një vendim ad hoc, pa analizë, pa bazë dhe kryekëput për qëllime parandalimi të luftimit të korrupsionit, ka rrezikuar statusin e të gjitha lëndëve që kanë qenë në zhvillim e sipër brenda kësaj Task Force. E gjashta, Kryeministri Hoti e ka anashkaluar faktin se në kuadër të reformave institucionale, është duke ndodhur Rishikimi Funksional i Sektorit të Rendit dhe Ligjit”, tha ai.

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ish-ministri Tahiri tha se Task-Forca kundër korrupsionit që e ka shuar Avdullah Hoti e ka dëmtuar rënd shtetin edhe në raport me procesin e liberalizimit të vizave por edhe me partnerët strategjikë nga SHBA dhe BE.

Tahiri: Dëmet e këtij vendimi, do t’i shohim shumë shpejt

“Dëmet e këtij vendimi, jo vetëm që po i shohim në mënyrë deklarative nga partnerët tanë, por do t’i shohim shumë shpejt edhe në praktikë. Jo vetëm që do t’i shohim në raport me aspiratat tona integruese e në procesin e liberalizimit të vizave, por do t’i shohim edhe në trimërinë që e kanë marrë akterët e kriminalitetit”, tha ai.

Ai tha se veprime të tilla do të kthejnë mbrapa përkushtimin për sundimin e ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe për këtë ai përmendi edhe skandalin me 2 milionë eurot që u vodhën nga Thesari i Shtetit.

***

Për shkak se nuk janë mbështetur nga LVV-ja ka dështuar edhe miratimi i tri projektligjeve për tri marrëveshje ndërkombëtare.

Asaj ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe levimi i mundësive për sigurimin e ujit, Marrëveshjes së Kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe asaj për ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan.

Hekuran Murati i LVV-së, parti kjo e cila nuk i ka mbështetur këto marrëveshje ndërkombëtare, ka thënë se kanë ngritur si shqetësim ngritjen e borxhit publik por edhe mosshfrytëzimin e kredive që po nënshkruhen e ratifikohen. Kjo shumë e kredive të pashfrytëzuara sipas tij ka arritur vlerën e 520 milionë eurove.

“Ato kredi krijojnë obligime shtesë, tarifa të zotimit dhe tarifa të tjera që janë identifikuar edhe në raportin e auditimit andaj në për këtë çështje kemi kërkuar një raportim të detajuar nga ministrja e financave në lidhje me mbështetjen ose jo të këtyre marrëveshjeve”, ka theksuar Murati.

Ai ka thënë se meqë nuk kanë pranuar një raportim të tillë, si grup nuk mund t’i mbështetshin këto marrëveshje.

Më shumicë votash është miratuar në parim i Projektligji për Peticione, ndërsa Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, nuk është hedhur në votim, pasi që kanë munguar shumica e deputetëve të minoriteteve, që duhen për kalim të ligjeve me interes vital. Nuk është votuar as Projekt Kodi Civil i Republikës së Kosovës.

***

Prapë nuk votohet projektligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së

Ka dështuar për të disatën herë me radhë votimi i projektligjit për mbrojtjen e vlerave të Luftës së UÇK-së.

Kjo pasi që për këtë projektligj pati mungesë të kourumit, duke marrë pjesë në votim vetëm 31 deputetë.

Ndryshe ky projektligj i iniciuar nga PDK-ja nuk po merr mbështetjen e LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Nis seanca e Kuvendit

Ka nisur me 50 minuta vonesë seanca e Kuvendit të Kosovës, e cila po udhëhiqet nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

Deputet në këtë seancë do të votojnë për të disatën herë për projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.

Kuvend i papërgjegjshëm, ende nuk nis seanca e paralajmëruar për në ora 10:00

Kur kanë mbetur edhe pak minuta deri në nisjes e seancës së dytë për ditën e sotme, deputetët ende nuk janë mbledhur për të nisur seanca e parë e cila ishte paraparë për të nisur në ora 10:00.

Se kjo legjislaturë është ndër më të dobëtat, është thënë disa herë edhe nga ata që e përcjellin nga afër punën e tyre.

Nga 141 projektligje u miratuan vetëm 12.

Kjo mund të vërehet edhe me numrin e paktë të ligjeve që janë aprovuar në Kuvend.

 Ndryshe Kuvendi sot ka pasur për të vazhduar me shqyrtimin e parë të Projektligjit për të Drejtat Pronësore të shtetaseve të huaj në Republikën e Kosovës, për të vazhduar me zgjedhjen e drejtorëve të Bordit të NP KOSTT-it nga radhët e komuniteteve jo shumicë dhe kuotës gjinore, si dhe zgjedhjen e dy anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave.

Pikë e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë edhe shqyrtimi i Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, raporti i Auditimit për vitin 2019, si dhe kërkesa e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës për miratimin e buxhetit të këtij Komisioni Hetimor.

Në këtë seancë do të zhvillohen po ashtu edhe tri debate parlamentare: lidhur me problemet e banorëve shqiptarë në veri të Mitrovicës dhe komunave të tjera në pjesën veriore të Kosovës lidhur me pengesat që u bëhen për tu kthyer në pronat e tyre dhe pengesat për renovimin e shtëpive të djegura gjatë luftës, lidhur me vazhdimin e Qeverisë së Serbisë që të mbaj të fshehur të vërtetën për fatin e mbi 1600 civilëve shqiptarë, të rrëmbyer nga ky shtet gjatë luftës gjenocidare në Kosovë, që ende konsiderohen të zhdukur, sipas kërkesës së deputetit Endrit Shala, mbështetur nga 6 deputetë tjerë, si dhe debat lidhur me sensibilizimin dhe masat që duhet të ndërmerren nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse në luftën kundër kancerit të gjirit, sipas kërkesës së deputetes Albena Reshitaj, mbështetur edhe nga 14 deputetë tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat