Provokimi i rëndë i Serbisë, diplomati shqiptar i bën thirrje Kosovës: Ja pse duhet të protestojë në Bruksel

Aktuale

Provokimi i rëndë i Serbisë, diplomati shqiptar i bën thirrje Kosovës: Ja pse duhet të protestojë në Bruksel

Nga: P.R Më: 29 tetor 2020 Në ora: 11:01
Kryeministri, Avdullah Hoti gjatë një vizite në Bruksel

Qeveria e re e Serbisë, e cila u votua mbrëmë më në krye me Ana Brnabiç, është zotuar që nuk do të heq dorë nga insistimi për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kjo qeveri do të ketë gjashtë qëllime për të cilat do të kujdeset posaçërisht – lufta kundër kovideve, Kosovës dhe Metohisë, lufta kundër krimit të organizuar dhe luftës kundër mafies, vendimmarrja e pavarur e Serbisë, sundimi i ligjit dhe përshpejtimi i reformave dhe forcimi i mëtejshëm ekonomik i Serbisë”, theksoi Bërnabiq.

E kjo ka nxitur reagimin e diplomatit shqiptar, Shaban Muratit.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të protestojë në Bruksel e jo në facebook.

“Diplomacia kërkon protesta zyrtare në Bruksel, ku duhet të shkundet BE për qendrimet recidiviste koloniale të Serbisë dhe për qendrimet e papranueshme proserbe, që po manifeston hapur i dërguari i posaçëm i BE, Lajçak. Diplomacia e BE nuk lexon facebook-un e babës së vet dhe jo të lexojë atë të zyrtarëve të dorës së dytë në Prishtinë”, shkruan Murati, përcjellë “Bota sot”.

Postimi i plotë:

Qeveria e Kosovës të protestojë zyrtarisht në Bruksel, jo në facebook

Revanshi serb për shkatërrimin e shtetësisë së shtetit të pavarur të Kosovës vazhdon i shfrenuar. Në 28 tetor në tekstin e betimit të qeverisë së re serbe, të kryesuar nga Ana Bernabiç, deklarohet se qeveria betohet se do të ruajë me përkushtim Kosovën si pjesë e Serbisë. Të njejtin betim anti Kosovë bëri edhe presidenti serb Vuçiç, kur u zgjodh president në 2017. Qeveria e re serbe e bëri këtë betim kolonialist për aneksimin e Kosovës pas rifillimit të bisedimeve Kosovë-Serbi në Bruksel me ndërmjetësimin e BE dhe një ditë para raundit të ri të bisedimeve në Bruksel në 29 tetor.

Qeveria e Kosovës, në vend që në shenjë proteste të anullonte këtë raund bisedimesh me Serbinë, dhe në vend që në kanale diplomatike të ngrinte në këmbë kryeqytetet perëndimore për këtë rrugë të rrezikshme, ku Serbia po e fut dialogun, mjaftohet me një reagim në facebook të një zyrtari të saj.

Diplomacia kërkon protesta zyrtare në Bruksel, ku duhet të shkundet BE për qendrimet recidiviste koloniale të Serbisë dhe për qendrimet e papranueshme proserbe, që po manifeston hapur i dërguari i posaçëm i BE, Lajçak. Diplomacia e BE nuk lexon facebook-un e babës së vet dhe jo të lexojë atë të zyrtarëve të dorës së dytë në Prishtinë.

Qeveria dhe diplomacia e Kosovës duhet të përplasin këmbët në Bruksel, në Uashington, në Berlin, në Paris dhe kudo, që të dëgjohet zëri dhe protesta e saj për çdo akt dhe hap të Serbisë kundër shtetit të pavarur të Kosovës. Nëse politikanët e Prishtinës në vend që të mbrojnë Kosovën e rrezikuar, po angazhohen më shumë për ndarjen e kolltuqeve të ardhshme, nuk bëjnë gjë tjetër veçse inkurajojnë Vuçiçin dhe Bernabiçin të legalizojne ambicjet e tyre kolonialiste ndaj Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat