A do ta rrëzojë Kushtetuesja qeverinë Hoti? Ja çfarë po pret partia e Albin Kurtit

Aktuale

A do ta rrëzojë Kushtetuesja qeverinë Hoti? Ja çfarë po pret partia e Albin Kurtit

Më: 29 tetor 2020 Në ora: 15:38
Qeveria e Kosovës, foto arkiv

Ka disa muaj që Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar kërkesën për “antikushtetutshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit” të deputetit Etem Arifi në seancën për votimin e qeverisë Hoti.

Vetëvendosja e Albin Kurtit ka shpresa se vendimi përfundimtar do jetë në favor të tyre pasi që provat të cilat kanë dorëzuar janë dëshmi e qartë për shkeljen që ka bërë deputeti Arifi.

Zëdhënësi i LVV-së Përparim Kryeziu tha se nuk kanë ndonjë informacion se ku ka shkuar lënda, por që presin një rezultat në favor të tyre.

“Me provat që dëshmojnë qartazi se Etem Arifi është dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe për rrjedhojë ka humbur mandatin e deputetit”.

Bazuar në deklarimet e tjera publike të LVV, thuhet se pjesëmarrja e Arifit dhe votimi i tij për qeverinë Hoti e bën jolegjitime këtë qeveri.

“Pjesëmarrja e Etem Arifit në seancë dhe votimi i tij, aq më tepër si votë përcaktuese, e thellon edhe më shumë paligjshmërinë e kësaj Qeverie dhe e bën edhe proceduralisht të paligjshëm vendimin e Kuvendit për votimin e Qeverisë. Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës është e përcaktuar qartë se mandati i deputetit humb ose bëhet i pavlefshëm në rast të dënimit për vepër penale me një vit e më shumë burg”..

Syri ka tentuar të marrë një qëndrim nga Gjykata Kushtetuese se ku është proceduralisht kjo lëndë dhe a dihet kur do të kemi një vendim, por ata nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.

Deputeti Arifi para disa javësh është dorëzuar në polici ku më pas është dërguar në Burgun e Lipjanit për ta vuajtur dënimin.

Sipas vendimit të gjykatës, deputeti Etem Arifi, së bashku me Bajram Gashin, drejtor i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, ishin përgjegjës për përvetësimin e rreth 26 mijë eurove.

Përkundër dënimit të formës së prerë të vitit 2019, deputeti Arifi arriti që të merrte pjesë në dy seanca të rëndësishme të Kuvendit të Kosovës, pasi kishte kërkuar shtyrje të ekzekutimit të dënimit për, siç pretendonte, shkaqe shëndetësore.

Në seancën e parë të rëndësishme, më 25 mars 2020, Arifi votoi për rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti. Në të dytën, më 3 qershor, vota e tij ishte vendimtare për formimin e Qeverisë së re të drejtuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Momentalisht Qeveria Hoti nuk ka stabilitet të numrave në Kuvend pasi edhe përbrenda koalicionit ka përçarje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat