A e kërcënoi Haradinaj LDK-në me prishje të koalicionit për autostradën e Dukagjinit?

Aktuale

A e kërcënoi Haradinaj LDK-në me prishje të koalicionit për autostradën e Dukagjinit?

Më: 30 tetor 2020 Në ora: 14:38
Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj

Vetëm një javë më parë në Kuvendin e Kosovës ishin mbledhur partnerët e koalicionit qeverisës. Pas takimit me Haradinajn dhe Limajn para gazetarëve kishte folur kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili kishte treguar se kanë diskutuar për punën e buxhetit, meqë partitë që i ka në koalicion po kërkojnë para për realizim të projekteve infrastrukturore prej të cilave konsiderojnë se kanë interes.

Ish-kryeministri kishte treguar se po e kanë të vështirë t’i përmbushin të gjitha kërkesat e partnerëve, shkaku i COVID-it.

“Kemi diskutuar më shumë për konceptin e buxhetit dhe për prioritetet e buxhetit, sepse sun e mshefim se çdo subjekt që është aty kërkon që të ketë një far participimi të interesave të tyre, të infrastrukturës dhe interesave të tjera në buxhet, dhe këtu po është shumë vështirë t’i arrijmë, sepse kemi reduktime të buxhetit si pasojë e COVID-19”, kishte thënë Isa Mustafa më 23 tetor.

E duket se një takim i tillë është mbajtur për shkak të kërkesës së Ramush Haradinajt për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit, pasi që sot, vetëm një javë pas, Qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti ka konfirmuar Autostrada do të ndërtohet, pavarësisht qëndrimeve të mëhershme se s’ka interes që të bëhet ajo rrugë.

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka konfirmuar se Autostrada e Dukagjinit është përfshirë në buxhetin e vitit 2021.

Lidhja Demokratike e Kosovës kishte kundërshtuar në vazhdimësi ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit gjatë kohës sa Ramush Haradinaj kishte qenë kryeministër i vendit.

Hoti kishte thënë se s’ka interes nga një autostradë e tillë, meqë në pjesën e Dukagjinit nuk ka intensitet të lartë të veturave.

Megjithatë, tashmë që janë në bashkëqeverisje, Hoti është dorëzuar përballë Haradinajt, dhe është pajtuar të ndajë buxhet për ndërtimin e një projekti të tillë.

Nuk dihet nëse Haradinaj e ka kushtëzuar vazhdimin e koalicionit me LDK-në me realizimin e një projekti të tillë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat