Deliu: Ja pse Shaip Kamberi ia shtriu dorën Brnabiqit

Aktuale

Deliu: Ja pse Shaip Kamberi ia shtriu dorën Brnabiqit

Nga: N.Sh. Më: 30 tetor 2020 Në ora: 14:53
Ana Brnabiq

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka folur për deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili e tronditi Serbinë me fjalimin e tij në Kuvend.

Blerta Deliu përmes një postimi në Facebook, thotë se, Kamberi i dëshmoi skenës politike serbe, guximin politik dhe intelektual.

Sipas saj, Kamberi tha se Serbia mbetet e kurdhuar në kohën e errët millosheviçiane.

“Ai i shtriu dorën kryeministres ta nxjerr nga kjo kohë e errët e ta vizitoj botën humane! Aty ku viktimat gëzojnë empati. Aty ku kriminelët përballën me drejtësi. Aty ku e vërteta të çliron! Sepse, pa u përballur Serbia me të vërtetën e saj, errësira do të jetë i vetmi qiell që do ta mbulojë”, shkruan Deliu.

Postimi i plotë:

Deputeti shqiptar, z.Kamberi, i dëshmoi skenës politike dhe shoqërisë serbe në përgjithësi, guximin politik e intelektual, të munguar gjatë në Serbi. Ai u kujtoi atyre se e vërteta personale e Vuçiqit nuk është e vërteta objektive për Serbinë!

Është po e njëjta Serbi e ideologjisë hegjemoniste, të cilës i mungon guximi për të ndërtuar një shoqëri të distancuar nga krimet e shtetit të vet, ndaj qytetarëve të vet, siç e shpjegon për mrekulli z.Kamberi; Serbia të atillë i konsideronte shqiptarët, të cilët u vranë, dhunuan e përdhunuan mizorisht nga strukturat e organizuara shtetërore.

Ai u kujtoi atyre se Serbia mbetet e kurthuar në kohën e errët millosheviçiane, përderisa vendi vazhdon të udhëhiqet nga një kulturë primitive e shndërruar në kulturë shtetërore.

Ai i shtriu dorën kryeministres ta nxjerr nga kjo kohë e errët e ta vizitoj botën humane! Aty ku viktimat gëzojnë empati. Aty ku kriminelët përballën me drejtësi. Aty ku e vërteta të çliron! Sepse, pa u përballur Serbia me të vërtetën e saj, errësira do të jetë i vetmi qiell që do ta mbulojë.

Nën këtë qiell, si e përshkruan mrekullisht z.Kamberi, të mjeruar janë të gjithë: edhe Zorani, Sllavica, Gorani dhe Vesna, po aq sa Hasani, Vjollca, Arma dhe Iliri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat