Lladrovci: Besoj fort në pafajësinë e Krasniqit

Aktuale

Lladrovci: Besoj fort në pafajësinë e Krasniqit

Më: 4 nëntor 2020 Në ora: 12:58
Ramiz Lladrovci

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka reaguar lidhur me bastisjen e EULEX-it që ka nisur mëngjesin e sotëm në shtëpinë e Jakup Krasniqit në Prishtinë e që po vazhdon edhe në këto orë.

Njësitet e EULEX po qëndrojnë edhe në oborrin e shtëpisë së Krasniqit në fshatin Negrovc të Drenasit, por që ajo shtëpi është e pabanueshme.

Lladrovci për këto bastisje thotë se është e pakuptimtë mënyra e bastisjes së EULEX dhe se kjo bastisje është kundrejt personalitetit të Jakup Krasniqit dhe familjes së tij, derisa thekson se shqetësimet e tilla janë të panevojshme e nuk mund të jenë vlera të Gjykatës Speciale, të shtetit që po ndërkohet dhe as të shtetit që synohet.

“Sot njësitet e EULEX-it, me orë të tëra kanë zhvilluar bastisje në shtëpinë e ish zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, në Prishtinë dhe Negrovc. Për fat të keq, kjo qasje dhe mënyrë e bastisjes dhe aplikimit të metodës së aksionit të EULEX-it është e pakuptueshme dhe joproporcionale kundrejt personalitetit të z. Krasniqi dhe familjes së tij. Shqetësimet e tilla të panevojshme, nuk mund të jenë vlera të Gjykatës Speciale, të shtetit që po ndërtojmë dhe as të shtetit që synojmë”, ka shkruar Lladrovci.

Megjithatë, ai thotë se beson fort në pafajësinë e Krasniqit dhe të akuzuarve të tjerë ku ka theksuar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe në pajtim me normat ndërkombëtare.

“Besoj fort në pafajësinë e z. Krasniqi dhe të gjithë të akuzuarve të mundshëm të tjerë, sepse, lufta jonë çlirimtare ishte e drejtë dhe në pajtim me normat ndërkombëtare”, përfundon shkrimi i Lladrovcit në ‘facebook’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat