Buja për Gjykatën Speciale: Është e njëanshme dhe e dëmshme për Kosovën

Aktuale

Buja për Gjykatën Speciale: Është e njëanshme dhe e dëmshme për Kosovën

Më: 6 nëntor 2020 Në ora: 13:30
Shukri Buja

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Shukri Buja ka thënë se për momentin nuk ka aktakuzë të ngritur kundër tij nga Gjykata Speciale.

Buja në një prononcim për Telegrafin tha se Gjykata Speciale është e njëanshme dhe e dëmshme për Kosovën.

“Ka procedura Gjykata Speciale dhe Dhomat e Specializuara. Para se të ngritët një aktakuzë, përcaktohet gjykatësi i procedurës paraprake, i cili e konfirmon ose jo aktakuzën. Ende nuk ka as fillim të këtyre procedurave. Informacioni që po jepet ‘jo ju ka ngrit këtij, jo atij’ nuk ju besoj sepse ka procedura. Përfshirja e emrit tim dhe disa eprorëve aty është përfshirë e gjithë struktura e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), sepse po potencohen përveç emrat e shtabit të përgjithshëm, komandantët e zonave madje në mënyrë të përgjithësuar përfshin komandant të brigadave të batalionit, d.m.th një ‘ndërmarrje kriminale’ siç e quajnë ata”, ka thënë ai.

“E kam thënë që kjo gjykatë dhe këto Dhoma të specializuar do të jenë të dëmshme për Kosovën, do të jetë gjykatë politike dhe është e njëanshme, dhe në vet ligjin e aprovuar do të merret vetëm me popullin shqiptarë, në veçanti me strukturat ushtarake të UÇK-së, kur dihet kush ka qenë pushtuesi, kur dihet kush ka pas strukturat e komanduara shtetërorë dhe ka pas gjithë mekanizmin shtetërorë dhe kush ka bërë krime në Kosovë”, tha Buja.

Ish-komandanti i UÇK-së, gjithashtu theksoi se Kosova është në një defensivë diplomatike.

Sipas tij, politikanët e vendit duhet të reflektojnë dhe ta shohin se ku është Kosova dhe si të dalin nga kjo situatë.

“Tani jemi në një defensivë, pasi prej momentit të ngritjes së këtij ligji, nuk kemi as njohje të shtetit, nuk kemi as ofensivë diplomatike të shtetit të Kosovës për të krijuar një imazh të mirë por jemi në defansivë. Serbia ka avancuar shumë, madje është vendos vëmendja nga krimet që ka bërë për të vendos vëmendje tek krimet e pretenduara nga ushtarët apo eprorët e UCK-së. Jemi në një defensivë tmerruese kur pritet dhe fundi i dialogut me Serbinë. Politikanët tanë duhet të reflektojnë dhe ta shohin se ku është Kosovë dhe si të dalim nga kjo situatë, jo vetëm për shkak të aktakuzave, por janë liderët e partive politike, liderët e shtetit”, ka thënë ndër të tjera Buja. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat