Dosja e OKB-Së/ Masakra në Luginën e Caragojt, brenda dy ditësh serbët ekzekutuan 300 burra mes të cilëve edhe ushtarë të UÇK-së

Aktuale

Dosja e OKB-Së/ Masakra në Luginën e Caragojt, brenda dy ditësh serbët ekzekutuan 300 burra mes të cilëve edhe ushtarë të UÇK-së

Më: 12 nëntor 2020 Në ora: 13:28
Masakrat serbe në Kosovë

Në artikullin e mëparshëm u publikua pjesë nga dosja e OKB, ku raportohej për masakrat serbe mbi popullsinë shqiptare. Ushtarët ekzekutuan në Gjakovë gra e fëmijë të pafajshëm, ndërkohë që në Batajnicë të Serbisë u gjetën 300 kufoma në një varr masiv.

Sot do të raportojmë për operacionin në Luginën e Caragojit. Më 27 prill 1999, forcat serbe dislokuan në skajin verior të Luginës së Caragojit dhe arritën në Korenicë më 28 prill 1999. Ushtria pushtuese kishte marrë të gjitha masat që të shkatërronte UÇK-në, e udhëhequr nga Ramush dhe Daut Haradinaj.

Një pjesë e brigadës ushtarake u angazhua në “spastrimin” e Luginës së Caragojt nga pjesëtarët e UÇK-së. Ushtaraku i lartë, Dragan Zhivanoviqi dëshmoi se termi “spastrim” i terrenit kishte të bënte vetëm me mbajtjen e bllokadës së këtyre zonave, por provohet se ushtria serbe veproi brenda fshatit Korenicë, ku pretendohet se janë kryer krime.

Dobroshi dhe Ramoci

Dëshmitari serb, K73-shi tregoi se fshati i parë të cilin njësia e tij e “izoloi” më 27 prill ishte fshati Dobrosh në skajin verior të Luginës së Caragojt dhe “spastrimi etnik” ka vazhduar prej andej për dy ditë derisa mbërritën në Korenicë, ku u dëbuan qindra civilë shqiptarë dhe u vunë zjarrin shtëpive të tyre. Atë ditë u vra një ushtar serb dhe komandanti i Batalionit 52-të të Policisë Ushtarake, Sasha Antiq urdhëroi trupat të digjnin çdo shtëpi në fshat. K73-shi tha se kjo u bë në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e ushtarit, por gjithashtu u ekzekutuan edhe 4 pengje me urdhër të Antiqit. Oficeri që kreu urdhrin e komandantit, dukej i kënaqur dhe tha: -“U tregova i drejtë. U dhashë nga një cigare dhe ata pinin duhan dhe qanin sepse e kuptuan se çfarë do t’u ndodhte.”

Meja dhe Korenica

Fshatrat e Korenicës dhe të Mejës shtrihen në skajin jugor të Luginës së Caragojt, në perëndim të qytetit të Gjakovës. Serbët e tërbuar u futën nëpër banesa, detyruan burrat që të këndonin këngë nacionaliste dhe më pas i vrisnin. Ndërkohë, gratë u detyruan që të largoheshin drejt Shqipërisë. Në Mejë dhe Korencisë ditën e 27-28 prillit janë bërë masakra të frikshme, ku janë vrarë burra, të rinj dhe fëmijë. Hetuesit kanë identifikuar në varrin masiv të Batajnicës në Serbi përmes ADN-së kufomat e 287 vetëve të cilët ishin zhdukur në zonën e Mejës dhe Korenicës. Atë kohë, ishte raportuar se një grup njerëzish prej 15 vetësh, të quajtur “Legija” i udhëhequr nga një kolonel i quajtur Kovaçeviq, kishin marrë pjesë në vrasjen e 20 shqiptarëve, dëbimin e nga shtëpitë dhe vjedhjen e parave të tyre. Dëshmitari Nikë Peraj i cilëson incidentet në Korenicë dhe Mejë si “masakra” dhe thotë se ka parë një listë ku raportohet se 78 pjesëtarë të UÇK-së ishin vrarë në Korenicë dhe 68 në Mejë, ngjarje të ndodhura me 27 prill.

Zhvendosja, zbulimi, dhe ekzaminimi i kufomave

Në qershor 2002, UNMIK-u formoi zyrën për gjetjen e kufomave, identifikimin dhe kthimin pranë familjarëve. Në listë evidentohet zhdukja e më shumë se 300 vetëve. Kur u zhvarrosën kufomat nga varri i përbashkëta në Batajnicë afër Beogradit u konfirmua se 287 vetë të cilët ishin zhdukur në zonën e Mejës dhe Korenicës.

Dëshmitari Nikë Peraj dëshmoi se më 29 prill pa dy kamionë të ngarkuar me rreth 40 kufoma duke shkuar nga Meja në drejtim të qytetit të Gjakovës. Kufomat ishin të mbuluara me mushama, por ai i pa kur era ngriti mbulesën. Këta kamionë ishin të shoqëruar nga policia. Sipas Perajt, “shefi i komisionit të spastrimit të zonës dhe mbledhjes së kufomave” ishte një inspektor i lartë, i cili bashkëpunonte me një major të UJ-së i quajtur Lubisha Zhivkoviq. Sipas hetimeve rezulton se serbët i zhvarrosën kufomat e masakrës së 27 prillit në Mejë dhe Korenicë me ekskavator dhe i çuan në Batajnicë të Beogradit për t’i fshehur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat