​OAK kundërshton masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës

Aktuale

​OAK kundërshton masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës

Më: 12 nëntor 2020 Në ora: 16:08
​OAK kundërshton masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) kundërshton masat e reja të Qeverisë së Kosovës kundër COVID-19, me të cilat parashihet edhe vendosja e orës policore në Prishtinë dhe disa komuna të tjera.

Kryetari i Bordit të OAK-ut, Skënder Krasniqi, tha në një konferencë për media se janë kundër këtyre masave dhe se çdo vendim i tillë sipas tij është i papranueshëm.

Krasniqi tha se bizneset janë në gjendje të rëndë dhe çdo mbyllje tjetër rrezikon edhe më tej ekzistencën e tyre.

Krasniqi: Jemi kundër masave të reja të Qeverisë

“Arsyeja pse jemi kundër këtyre masave është për shkak se Qeveria e Kosovës nuk është duke i mbështetur bizneset e as punëtorët në rast se mbesin të pa punë. Çdo vendim i tillë është i papranueshëm për ne dhe është duke rënduar edhe më shumë gjendjen e të bërit biznes. Situata e të bërit biznes edhe ashtu në Kosovë është shumë e rëndë edhe pa filluar pandemia, e mos të flasim tani që jemi në pandemi”, theksoi Krasniqi.

Edhe sekretari i përgjithshëm i OAK-ut, Diamant Elshani, tha se masat e fundit të qeverisë do të dëmtojnë bizneset, duke rritur kështu numrin e atyre që do të falimentojnë dhe numrin e papunësisë.

Elshani thotë se duhet të gjendet një zgjidhje për bizneset, pasi Qeveria e Kosovës nuk guxon t’ia ndalojë qytetarit dhe biznesit të drejtën e punës dhe të mos i sigurojë mjete për ekzistencë.

Elshani: Vendimi për mbyllje falimenton bizneset dhe rrit numrin e papunësisë

“Sa i përket vendimit të fundit të qeverisë, për mbyllje të ekonomisë, OAK duke u bazuar në të dhënat e vazhdueshme që marrim nga bizneset dhe për gjendjen e rëndë të cilën është biznesi, duke vazhduar t’i mbajë jashtë mundësive të saj punëtorët, konsideron se këto masa do ta dëmtojnë shumë rëndë biznesin dhe numri i bizneseve të falimentuara do të rritet së bashku me numrin e qytetarëve të pa punë. OAK vlerëson se vendimet tilla mund të merren vetëm pasi që Qeveria e Kosovës t’i përkrah bizneset dhe punëtorët për kohën sa këta qytetarë të jenë të pa punë. Qeveria nuk guxon që t’ia ndalojë qytetarit dhe biznesit të drejtën e punës dhe të mos i sigurojë mjete për ekzistencë”, theksoi Elshani.

Krahas saj, Elshani tha se OAK shprehet e shqetësuar për mos kalimin në Kuvend të Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, i cili parasheh edhe tërheqjen e mjeteve të 10 përqindëshit nga Trusti nga ana e qytetarëve të Kosovës.

Elshani: Veprimet e Kuvendit për mos votimin e Projektligjit për rimëkëmbjen janë jo serioze

“Oda e Afarizmit të Kosovës shpreh keqardhjen për humbjet që kanë pasur bizneset dhe humbjet e vendeve të punës, e që si pasojë nuk do të kenë humbje vetëm bizneset, por shteti ynë në përgjithësi. Kjo humbje do t’i shkaktohet shtetit përmes mungesave buxhetore që janë duke u rritur çdo herë e më shumë. Oda e Afarizmit të Kosovës shpreh indinjatë që Kuvendi ynë nuk është në gjendje të realizojë një verim të vetëm, e cili është kalimi I pakos së rimëkëmbjes ekonomike, duke kërkuar edhe një herë që këto pako të merren parasysh kërkesat tona si biznese. Kjo tregon një jo seriozitet të lartë të paraqitur në të gjitha instancat shtetërore”, tha ai.

OAK konsideron që Qeveria e Kosovës së bashku me institucionet e tjera shëndetësore duhet të kujdeset që masat për mbrojtjen nga COVID-19 të respektohen nga qytetari dhe biznesi por që të mos ketë kufizime në oraret e punës së bizneseve dhe lëvizjes së qytetarëve.

Masa më të ashpra janë vendosur për komunat që janë në “zonën e kuqe” si Prishtinë, Podujevë, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, ku aktiviteti ekonomik është lejuar të zhvillohet nga ora 05:00-19:00, ku pas kësaj ore do të mbyllet çdo aktivitet dhe do të ketë kufizim të lëvizjes së qytetarëve.

Grupi i parë janë komunat me rrezik më të ulët ose “ngjyrë të gjelbër” ku numri i të infektuarve për 100 mijë banorë është deri në 75 brenda një jave. Në grupin e dytë janë komunat “me ngjyrë të verdhë” ku numri i rasteve të reja brenda një jave shkon nga 76-150, ndërsa grupi i tretë “me ngjyrë të kuqe” ku numri i rasteve të reja kalon numrin 150.

Këto masa do të hyjnë në fuqi nga dita e premte në orën 19:00, kur edhe fillon mbyllja e komunave që janë në të ashtuquajturën “zonë e kuqe”.

Në komunat që bëjnë pjesë në grupin e parë apo në “zonën e gjelbër”, operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga ora 05:00-20:00, ndërsa në komunat në “zonën e verdhë” nga ora 05:00-18:00.

Ndërsa në të gjitha pikat kufitare do të kthehen ekipet mjekësore, arsimi i lartë do të kalojë plotësisht në platformën online, ndërsa për arsimin para universitar do të vlejnë manualet e zhvilluara nga Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK dhe MASH.

Qeveria ka paralajmëruar se të gjitha bizneset që nuk i respektojnë masat e ndërmarra, do të mbyllen së paku për tre muaj.

Ndryshe, në 24 orëshin fundit në nivel vendi janë regjistruar tetë viktima dhe 767 raste të reja me koronavirus, që është shifra më e lartë ditore që nga shpërthimi i epidemisë në Kosovë në mesin e muajit mars./I. Shabani/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat