“E mbylli derën me çelës, e ndali dritën dhe tentoi të më puth” - Dëshmia e 23-vjeçares kundër ish-ministrit

Aktuale

“E mbylli derën me çelës, e ndali dritën dhe tentoi të më puth” - Dëshmia e 23-vjeçares kundër ish-ministrit

Më: 12 nëntor 2020 Në ora: 18:07
Numan Baliq

Ish-ministri i Shëndetësisë, Numan Baliq, po akuzohet se ka ngacmuar seksualisht një grua në vendin e tij të punës, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë. Në natën e 12 gushtit të këtij viti, 23-vjeçarja po qëndronte në spital me vajzën e saj 6 muajsh, e cila kishte komplikime shëndetësore. Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore e Pejës, tregohen të gjitha detajet se si ka ndodhur rasti.

“Më kapi dorën e djathtë në krah dhe më futi brenda. E mbylli derën me çelës dhe e ndali dritën. Tentoi të më puthë me zor e të më prekë me duar edhe në shpinë, por nuk arriti sepse nuk e lejoja duke e shtyrë. Kur i kërkova ta hapë derën, sepse do ta thërras sigurimin, më tha “vetëm po dua me ta matë pulsin”, është dëshmia e viktimës për natën kur u sulmua nga mjeku Numan Baliq në Spitalin e Pejës.

Në aktakuzën e siguruar nga Express, thuhet se mbrëmjen e 12 gushtit të këtij viti, rreth orës 22:00, Baliq në cilësinë e profesionistit shëndetësor, me dashje ka keqpërdorur gjendjen shëndetësore të viktimës, e ka prekur me qëllim seksual, pa pëlqimin e saj.

“Me datën 12 gusht të vitit 2020, rreth orës 22:00, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, pikërisht në zyrën e tij, me dashje e në cilësi të profesionistit shëndetësor duke keqpërdorur gjendjen shëndetësore të viktimës, e cyt të njëjtën që ta prek me qëllim seksual pa pëlqimin e saj…I pandehuri e kap për dore të djathtë dhe e fut brenda, e mbyll derën me çelës dhe e ndalë rrymën si dhe e mbështet të dëmtuarën te muri ku i kërkon asaj që ta prekë dhe tenton ta puthë në qafë duke i thënë “a ki nevojë për diçka”, por që viktima largohet, ndërsa i pandehuri e kap përsëri dhe e shtrëngon në dorë, pastaj e dëmtuara arrin ta shtyjë nga vetja dhe hapë derën dhe largohet me ç’rast kthehet në dhomën numër 5 dhe nga dritarja kërkon ndihmë te roja i sigurimit, më pas raporton rastin në Polici”, thuhet në aktakuzë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat