Kollçaku: Task-Forca paska qenë në përputhje me ligjin 10 vjet – brenda ditësh ndërroi, sepse ndryshuan interesat

Aktuale

Kollçaku: Task-Forca paska qenë në përputhje me ligjin 10 vjet – brenda ditësh ndërroi, sepse ndryshuan interesat

Më: 13 nëntor 2020 Në ora: 18:47
Fatmire Kollçaku

Fatmire Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje, në cilësi të propozueses për rezolutën që kërkon shfuqizimin e vendimit për shuarjen e Task-Forcës Antikorrupsion, ka thënë se sot nuk kanë marrë asnjë përgjigje për punën dhjetëvjeçare të kësaj Task-Force.

“Paramendoni çfarë demagogjie dëgjuam këtu. Ishin në bashkëqeverisje kur u bë ky vendim, ishin në qeverisje vite më vonë, pra vetëm një kohë të shkurtër ishin në opozitë. Ku ishit ju që për këtë Task-Forcë, që e stigmatizuat kaq shumë sot, të flisnit para qytetarëve të Kosovës? Çfarë bëtë ju sot që dolët këtu dhe thatë një argument të paqëndrueshëm? Pse nuk na thatë a e bëtë një analizë paraprake për punën e Task-Forcës, apo se sa donacione janë dhënë dhe sa para janë shpenzuar nga buxheti për punën dhjetëvjeçare të saj? Pse nuk thatë sot se si ka punuar kjo Task-Forcë? Nuk keni përgjigje. Ju nuk keni përgjigje as për 2 milionët e vjedhur nga Thesari dhe as për një vepër korruptive që po ndodh këto ditë në shtetin tonë”.

“Ju nuk dhatë asnjë argument pse kjo Task-Forcë pikërisht këto ditë u shpërbë. Ju nuk na treguat çfarë do të bëni që ta zëvendësoni, çfarë do të ndodhë me hetimet që ka bërë kjo Task-Forcë dhe si do të vazhdojë procedimi i tyre, nga kush në Policinë e Kosovë”.

Ajo tha se nëse Task-Forca Antikorrupsion për 10 vjet paska qenë në përputhje me ligjin, pse gjithçka ndryshoi brenda disa ditëve.

“Ju sot treguat që për 10 vjet kjo Task-Forcë paska qenë në përputhje me ligjin, por brenda disa ditëve ndërroi kjo, sepse ndryshuan interesat, apo ndoshta një ministër nga kabineti juaj ua solli këtë vendim përpara dhe ju është dashur ta implementoni. Nuk ishte Lëvizja Vetëvendosje që e shpërbëu këtë Task-Forcë. Nëse keni çfarëdo pretendime keni pasë mundëis të ngrisni çështje për hetime, por jo tani që ia lidhët duart kësaj Task-Force dhe po thoni që mund të vazhdojë të veprojë korridoreve të Policisë pa asnjë funksion që mund të vazhdojë hetimet e rasteve që kishte filluar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat