Rëfimi prekës i nënës së komandant “Drinit”: Ja pse ma vranë birin tim

Aktuale

Rëfimi prekës i nënës së komandant “Drinit”: Ja pse ma vranë birin tim

Nga: A.Zh Më: 14 nëntor 2020 Në ora: 16:51
Ekrem Rexha, i njohur si komandant “Drini”

Nëna e Ekrem Rexhës i njohur si komandant “Drini”, në vitin 2001, kishte treguar se si ishte vrarë djali i saj në derën e shtëpisë.

Nënë Qamilja kishte thënë se Ekremi ishte vrarë posa kishte dalë te vetura e tij, kur po nisej për punë, përcjell Bota sot.

“Birin tim ma vranë vetëm pse luftoi për lirinë e Kosovës dhe për ta përparuar popullin e vet”, kishte thënë ajo, teksa kishte treguar se i biri i saj ishte qëlluar me shumë plumba në trup.

Rrëfimi i saj i vitit 2001:

“Birin tim ma vranë vetëm pse luftoi për lirinë e Kosovës dhe për ta përparuar popullin e vet. Atë ditë të kobshme për herë të fundit pimë kafe me Ekremin këtu në ballkon. Posa doli te vetura për të shkuar në punë e vranë. Shumë plumba i kishin zbrazur mbi trupin e djalit të nënës.

Vrasja e tij e tronditi tërë Prizrenin dhe Kosovën. Nuk ka mbetur kush pa ardhur për të na lehtësuar dhembjet e për të na shprehur ngushëllime. Në ngushëllime ka ardhur edhe S.V. Një ditë kur erdhi ai u ul si gjithë të tjerët në këtë vend. Ma vuri dorën mbi krahë dhe më tha: “Ti loke nuk duhet të mërzitesh. Tash vetëm “Drinin” nuk e ke, por të gjitha të tjerat do t’i kesh. Ne do të kujdesemi për ju. Nuk do t’ju mungojë asgjë”. E unë, me gjithë mërzinë që kisha, iu përgjigja: Çfarë më duhet jeta mua pa djalin tim Ekremin, të cilin ma vranë!”

Pas pak, jo me lot në sy, nënë Qamilja edhe një herë flet me përmallim për djalin e saj. “Ekremi prej moshës 15 vjeçare është larguar nga shtëpia. Rreth 20 vjet nuk e kam pasur në shtëpi, larg syve. Kurrë nuk jam çmallur e kënaqur me të. Atë ditë që e vranë u nisë për të shkuar në punë e pastaj në Pejë. Por nuk arriti as të shkojë në punë e as në Pejë. Ia morën jetën pa i pasur askujt hak e as borxh.

Sot në ditëlindjen e tij të 40-të, në vend të Ekremit, po çmallem me dy nipat, djemtë e tij Drinin dhe Ekremin e vogël, i cili lindi dy muaj e gjysmë pas vrasjes së tij. Nuk po mund të besoj se Ekremin e vranë ata që sot po mbahen në burg si të dyshimtë. Por çdo gjë është e mundur. Si mundën ta vrasin Ekremin, ai nuk ishte vetëm imi, por i gjithë Kosovës. Mburrëm që pata një djalë të tillë, trim, fisnik dhe bujar dhe të dashur për të gjithë popullin e Kosovës.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat