LDK-ja e Nisma i përgjigjen Hotit për takimin, kjo parti i del kundër

Aktuale

LDK-ja e Nisma i përgjigjen Hotit për takimin, kjo parti i del kundër

Më: 14 nëntor 2020 Në ora: 19:30
Avdullah Hoti

Thirrjes së kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, për takim nuk do t’i përgjigjen të gjitha subjektet politike.

Hoti, të premten ka paralajmëruar se brenda pak javësh do t’i mbledhë partitë për të gjetur një zgjidhje, pas konfirmimit të aktakuzave nga Specialja.

Sipas tij, zgjedhja e presidentit të ri ose shkuarja në zgjedhje të parakohshme janë dy rrugët mes së cilave mund të vendosin partitë.

Një diskutim më i gjerë mes partnerëve qeverisës është duke u konsideruar i domosdoshëm nga LDK-ja.

“Mendoj që kjo është çështje ma gjithëpërfshirëse dhe duhet të diskutohet përtej koalicionit. Është e qartë që ky koalicion qeverisës e ka të pamundur me zgjidhë çështjen e presidentit dhe duhet një konsultim më i gjerë se sa konsultimi brenda koalicionit”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Por, ndryshe mendojnë në Vetëvendosje. Sipas Albulena Haxhiut nga kjo parti, takimet e tilla kanë për qëllim zgjatjen e mandatit të qeverisjes aktuale.

“Lëvizja Vetëvendosje insiston që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe Kuvendi i ri ta zgjedhë edhe qeverinë e re dhe presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës me mandat 5 vjeçar”, është shprehur Haxhiu.

Për dallim nga Vetëvendosje, në takimin e ftuar nga kryeministri Hoti do të marrë pjesë Nisma Socialdemokrate.

Megjithëkëtë, Bilall Sherifi, sekretar në këtë parti nuk ka pranuar të tregojë nëse janë për zgjedhje të reja apo president të ri.

“Nisma asnjëherë nuk ka refuzuar asnjë tavolinë, gjithmonë do të jemi aty ku do të bisedohet për fatin e vendit pa marrë parasysh pikat e rendit te ditës në këtë rast vazhdimësia e qeverisjes përmes zgjedhjes së një presidenti apo vendimi i përbashkët se mazhoranca dhe opozita nuk duan të zgjedhin një president por duan të shkojnë në zgjedhje. Kjo duhet të jetë çështje e tavolinës që duhet ta bëjnë forcat politike nga e hëna e më tej do të jemi këtu t’iu përgjigjemi pyetjeve”, ka thënë ai.

Lidhur me takimin, Ktv ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Por zyrtarë të këtyre partive nuk kanë qenë të qasshëm këtë të shtunë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat