Williamson tregon se si bashkëpunuan me prokurorinë e Serbisë

Aktuale

Williamson tregon se si bashkëpunuan me prokurorinë e Serbisë

Më: 14 nëntor 2020 Në ora: 22:58
Clint Williamson

Clint Williamson, ish-prokuror që hetoi pretendimet e Dick Martyt kundër UÇK-së si dhe ish-prokuror në EULEX, ka treguar se si është bashkëpunuar me Serbinë sa i përket Speciales.

Ai ka thënë se bashkëpunimi me Serbinë ishte në kuadër të logjistikës për të intervistuar dëshmitarët.

“Në lidhje me dëshmitarët në Serbi, zyra e prokurorit serb, e ndihmoi zyrën time me logjistikën për të intervistuar dëshmitarët ashtu siç ne veprojmë edhe me qeveritë e tjera, sa herë që shkon në një vend të tretë. Ne nuk kishim autoritet të vepronim pa njoftuar më parë qeverinë. E njëjta gjë vlen për Shqipërinë, Kosovën që veprohej nëpërmjet EULEX-it, dhe padyshim në Serbi apo në Gjermani, në Francë, kudo”, ka thënë ai në një intervistë për Ora News.

Ai ka pranuar se Serbia ka dhënë prova kundër UÇK-së, mirëpo se sipas tij ato fillimisht janë analizuar dhe verifikuar.

“Duhet vepruar nëpërmjet autoriteteve qeveritare. Ndaj ne punuam me zyrtarët serbë në lidhje me përgatitjen e logjistikës. Na ndihmuan për të lokalizuar dëshmitarë të cilët ne i kishim identifikuar. Por ata nuk ka kanë dhënë neve prova apo çdo provë që ata mund të jepnin ne padyshim do ta kishim verifikuar në të njëjtin nivel hetimi sikur ta kishim gjetur vetë. Nuk ka ndodhur që ata na kanë dhënë informacione dhe ne thjesht i kemi pranuar pa e verifikuar dhe analizuar. Kjo nuk është mënyra se si ne punojmë”, ka thënë ai.

Këto përgjigje, Williamson i dha kur u pyet nga gazetarja në lidhje me atë se a janë aktakuzat e Speciales fabrikim i provave të Serbisë.

Williamson gjatë kësaj interviste po ashtu theksoi se nëse Kosova nuk do ta themelonte Specialen, kjo do bëhej nga OKB, dhe se për këtë ishte shumë insistuese Rusia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat