​Punëtorët e Telekomit futen në grevë, përplasen me Tahirin i cili i quajti hajna

Aktuale

​Punëtorët e Telekomit futen në grevë, përplasen me Tahirin i cili i quajti hajna

Më: 16 nëntor 2020 Në ora: 13:01
Foto nga protesta

(E plotësuar 17:31) - Punëtorët e Telekomit të Kosovës kanë hyrë në grevë pas protestës që kanë mbajtur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Përkundër qëndrimit për më shumë se dy orë, punëtorët nuk kanë marrë një përgjigje konkrete nga Qeveria se kur do të bëhet zhbllokimi i llogarive dhe kur do t’i marrin pagat e tyre, e kjo ka bërë që ata të hyjnë menjëherë në grevë.

Me protestuesit kanë biseduar zëvendëskryeministri i parë Besnik Tahiri dhe ministri i Ekonomisë dhe Ambientit Blerim Kuçi, ku ky i fundit tha se janë duke bërë përpjekje për arritjen e një marrëveshje për zgjidhjen e çështjes së Telekomit.

Ai nuk ka dhënë përgjigje se kur punëtorët do t’i marrin pagat dhe kur do të bëhet zhbllokimi i llogarive të Telekomit.

Kuçi: Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale për ta rregulluar këtë çështje

“Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale ta rregullojmë këtë çështje. Unë jam sot me zëvendëskryeministrin bashkë me juve dhe ejani bashkë me ne dhe të bisedojmë si ta rregullojmë, por një pjesë e juaja e dinë mirë që jemi në përfundim të rregullimit të këtij procesi. Nëse keni një këshill protestues, ejani bashkë me ne dhe do t’ua tregojmë se procesi është në përfundim të zgjidhjes së kësaj çështjeje. Normalisht ne kemi disa kërkesa në raport me Telekomin edhe ndaj bordit edhe ndaj menaxhmentit, ne do të jemi bashkë me juve dhe do të gjejmë mënyrën më të mirë për ta rregulluar. Ejani të bisedojmë, por nuk mund të jap afat kohor”, tha ai.

Pas kësaj, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës Lamih Balaj, tha se nuk do të shkojnë në takim. Ai duke iu drejtuar ministrit tha se mbi 100 antena të Telekomit sot janë ndal, për çka tha se për këtë arsye po kërkojnë zgjidhje prej Qeverisë së Kosovës.

Për këtë ai tha se punëtorët e Telekomit në Prishtinë do të hyjnë në grevë qysh sot, ndërsa regjionet nga nesër në orën 8:00.

Balaj: A e dini ministër që në çdo moment ka me të ra rrjeti i telefonit?

“Ne nuk e kemi ndërmend. Ne mund të shpërndahemi prej këtu, po nga këtu do të hyjmë në grevë në objekte. Nuk e kemi ndërmend të themi se jemi para përfundimit, se jemi lodh më. A e dini ministër që në çdo moment ka me të ra rrjeti i telefonit? Mbi 100 antena sot janë ndalë dhe kur të ikin konsumatorët nuk kemi çka të dalim më këtu. Minimumi janë 200 mijë konsumatorë që s’po mund ta shfrytëzojnë 3G dhe 4G. Ne po kërkojmë zgjidhje, por nuk mund të pranojmë si punëtorë. Ne do të largohemi nga këtu, por Prishtina do të hyjë në grevë sonte, ndërsa regjionet do t’i marrin instruksionet që nesër në ora 8 hyjnë në grevë të përgjithshme. Nuk do të ndalen shërbimet. Ne jemi duke i mbajtur disa shërbime me mjete të tona. Unë si kryetar i Sindikatës nuk vij për negociata më, por përgjegjësia është e Qeverisë dhe e juaja... Prishtina komplet prej këtij momenti hyn në grevë në objekt kryesor. Krejt instruksionet keni me i marrë në objektin kryesor. Regjionet bashkë me kryetarët kthehen në bazë dhe nesër nga ora 8 hyjnë në grevë. Fjalë e llafe sot nesër dhe një Devoll të luajë me një shtet, ia pafshin hairin”, tha ai.

Përplasje ka pasur në mes punëtorëve të Telekomit të Kosovës dhe zëvendëskryeministrit Besnik Tahiri, i cili tha se ata që po e quajnë hajn, ‘janë më hajna se ai’.

Tahiri: Po ju them ju këqyri në sy jemi më hajna se unë krejt

“Blerimi ka arritur të përgatisë marrëveshjen. Ne duhet ta marrim këtë vendim në Qeveri më së largu nesër. Për ata që po thonë hajna, po ju them: Ju këqyri në sy, jemi më hajna se unë krejt, se unë jam njeriu më i ndershëm. Nuk jam hajn, jam njeri përfaqësues. Do ta bëjmë zgjidhjen që do ta bëjmë, nesër Qeveria duhet t’ia japë kësaj një zgjidhje”, tha ai.

Deklarata e Tahirit ka ngjallur reagimin e protestuesve, të cilët kanë kërkuar nga ai që të kërkojë falje.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit Lamih Balaj, tha se nuk janë hajna, po që ata janë vjedhur.

Balaj: Ne nuk jemi hajna, neve na kanë vjedh zëvendëskryeministër

“Ne nuk jemi hajna, neve na kanë vjedh zëvendëskryeministër, na kanë vjedhë 500 milionë, i kanë marrë, kurrë nuk kanë marrë përgjegjësi, edhe sot na vjedhin, për çdo ditë na vjedhin. Gjendja është e rëndë, ne nga këtu do të hyjmë në grevë. Shpresoj, sonte e zgjidhni situatën. Sonte jemi të gatshëm me ec përpara, po prej muajit korrik që janë bllokuar xhirollogaritë e deri më sot... edhe një javë edhe dy javë”, tha ai.

Protestuesit nuk kanë lejuar që zëvendëskryeministri Besnik Tahiri të vazhdojë fjalimin pa kërkuar falje, gjë të cilën ai më pastaj e ka bërë.

Tahiri tha se qysh nesër do të dërgojë një kërkesë te kabineti qeveritar që të gjendet një zgjidhje për Telekomin.

Tahiri: As unë nuk jam hajn, ata që më kanë thënë hajn unë nuk jam hajn

“As unë nuk jam hajn, ata që më kanë thënë hajn, unë nuk jam hajn. Unë do ta dërgoj te Qeveria një email. Do ta dërgoj një email urgjent te kabineti për të arritur një zgjidhje për këtë temë. Ju kërkoj falje nëse dikush u ndie keq, a po ju them një, në qoftë se dikush u ndie keq, ju kërkoj falje, por unë nuk jam hajn e nuk lejoj të më thotë dikush hajn. Tash do ta dërgojmë një email te Qeveria, te kryeministri për shkak se tema është serioze, nuk jemi ne budalla, do ta adresojmë këtë punë dhe të kryhet në afatin më të shkurtë nesër kohor”, tha ai.

E kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media tha se për disa ditë do të përmbyllet çështja e Telekomit.

Hoti: Jemi duke punuar, për disa ditë e përmbyllim çështjen e Telekomit

“Jemi duke punuar, besoj që për disa ditë e përmbyllim edhe këtë çështje mjaft të ndjeshme. E di që mijëra punëtorë nuk kanë marr pagat e tetorit, por po punojmë shumë me ministrin Kuçi ta përmbyllim sa më shpejt. Jemi në rrugë të mbarë, kemi bërë progres në këtë drejtim. Besoj që në ditët e ardhshme përmbyllet kjo çështje dhe do dalim para juve, para qytetarëve dhe punëtorëve të Telekomit për ta bërë të ditur sikurse te rasti i Trepçës që e përmbyllëm javën që shkoi”, tha ai.

Punëtorët e Telekomit të Kosovës janë shprehur të mllefosur me gjendjen në të cilën ndodhet Telekomi i Kosovës, derisa kanë kërkuar që Qeveria të punojë që ata të marrin pagat e tyre.

Naim Qazimi, punëtor i Telekomit tha se asnjëherë nuk e kishte menduar se do të mbetej pa punë nga qeveria e vendit.

Qazimi: Pikërisht prej këtij vendi po humbet shpresa e qytetarëve të Kosovës

“Punoj prej vitit 1985 këtu. Herën e parë na kanë dëbuar policia, pushteti serb prej punës. Se vjen edhe kjo radhë të dëbohemi serish nga puna dhe të mbetemi pa paga tash prej qeveritarëve tanë, këtë nuk e kemi menduar. Pikërisht prej këtij vendi po humbet shpresa e qytetarëve, për këtë shkak po largohen rinia nëpër botë. Do t’i mallkojë gjaku i dëshmorëve, gjaku i fëmijëve tanë që kanë marrë dynjanë”, tha ai.

Ndërsa, punëtori tjetër, Shyqyri Musliu, tha se nuk po i intereson askujt që fëmijët e tyre kanë mbetur pa bukë.

Musliu: Hajde hyjmë brenda se këtu nuk mërzitet askush për familjet tona

“Hajde hyjmë brenda se këtu nuk mërzitet askush për ju as për familjet tona, që i kemi nëpër kredi, që na kanë mbetur fëmija pa bukë kurrkush nuk mërzitet, që i kemi anëtarët e familjeve të sëmurë dhe nuk mund t’i shërojmë për shkak të mungesës së rrogave”, tha ai.

I njëjti, i shoqëruar edhe nga punëtorë të tjerë të Telekomit janë nisur në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, të cilët janë ndalë nga kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit Lamih Balaj, i cili tha se nuk është qëllim i tyre konfrontimi me policinë e Kosovës.

Në përkrahje të punëtorëve kishte dalë edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Salih Zyba, i cili tha se kërkesat e punëtorëve janë të drejta.

Zyba: I japim mbështetje kërkesave të punëtorëve

“Jam njëri nga deputetët që i japim mbështetje kërkesave të punëtorëve, kështu që është edhe obligim po edhe është mundësi e mirë e jona për të kontribuar për problemet, të cilat duhet zgjidhur nga institucionet e Kosovës... Sigurisht që kërkesat e tyre janë serioze meqenëse bashkëpunimi me sindikatat ka qenë i kahershëm, kështu që kjo është një na protestat e radhës, po me gjasë nuk do të jetë e fundi, sepse nuk parashihet shpejt kjo qeverisje me i dhënë zgjidhje problemeve të tyre. Kërkesa ka qenë e drejtë, e mirëpresim si iniciativë nga vetë punëtorët për të pasur arsye për të shtyrë përpara zgjidhjen e problemeve”, tha ai.

Punëtorët e Telekomit të Kosovës kanë protestuar sot për gjendjen e krijuar në këtë ndërmarrje, ku punëtorët ende nuk kanë marrë pagat për muajin tetor dhe llogaritë e Telekomit vazhdojnë të jenë të bllokuara si pasojë e borxhit nga kompanisë Z-Mobile.

Kërkesat e tyre kanë qenë që Qeveria e vendit të zhbllokojë llogaritë e Telekomit dhe punëtorët të marrin pagat e tyre.

15:42 Punëtorët e Telekomit përfundojnë protestën, futen në grevë, Tahiri: Ju jeni ma hajna

Punëtorët e Telekomit kanë përfunduar protestën para Qeverisë së Kosovës. Pas kësaj punëtorët e Telekomit të Kosovës kanë hyrë në grevë e cila do të mbahet në ndërtesën e Telekomit të Kosovës. Kjo pasi ata nuk kanë marrë një përgjigje konkrete se kur do të bëhet zhbllokimi i llogarive të kësaj ndërmarrje dhe kur punëtorët do t’i marrin pagat e tyre.

Pas insistimit të protestuesve për tu takuar me përfaqësues të Qeverisë, para tyre doli ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi. Ai tha se janë dukë bërë përpjekje që të gjejnë një zgjidhje për punëtorët e Telekomit të Kosovës.

"Jemi duke bërë përpjekje maksimale që të rregullojmë këtë çështje...Jemi në përfundim të një procesi për ta rregulluar. Procesi është në përfundim të zgjidhjes së kësaj çështje. Do të jemi bashkë me ju për të gjetur një zgjidhje. Nuk mund të japim afat kohor", tha ai.

Por atij i është përgjigjur kryetari i Sindikatës së Telekomit, Lamih Balaj, i cili tha se nuk do të shkojnë në takim dhe se me to janë lodhur.

"Ne po kërkojmë zgjidhje, por jemi afër nuk mund ta pranojmë. Nga këtu Prishtina sot hyn në grevë ndërsa regjionet nga nesër në grevë të përgjithshëm. Fjalë e llafe dhe një Devoll me luajt me një shtet ia pafshin hajrin", tha ai.

Në protestë pati edhe përplasje mes zëvendëskryeministrit Besnik Tahiri dhe protestuesve, pasi që këta të fundit bënë thirrje "hajnat", e që Tahiri reagoi duke thënë se ai nuk është hajn dhe ata që po thërrasin hajn janë më hajna se ai.

Kjo ka revoltuar protestuesit të cilët i kanë kërkuar që të kërkojë falje.

"Blerimi e ka arrit një marrëveshje dhe tash duhet në qeveri dhe këtë vendim duhet më marrë shpejt më së largu nesër. Unë do ta dërgojë tash një kërkesë tek qeveria tek kryeministri dhe të zgjidhet nesër”, tha ai.

Tensionohet protesta, Tahiri ndeshet me protestuesit e revoltuar: Ju jeni ma hajna

14:36 Punëtorët e Telekomit kanë dalur afër objektit të Qeverisë së Kosovës për të protestuar për shkak të bllokimit të llogarive të kësaj ndërmarrjeje.

Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, ka dalur jashtë objektit të Qeverisë dhe iu ka thënë punë torëve se Qeveeria nesër do ta marrë një vendim lidhur me këtë çështje.

“Blerimi e dha pozicionin e vet. Kjo nuk është temë hajgare, është temë serioze. Qeveria duhet me dhënë zgjedhje, askush tjetër. Blerimi e ka arritë që me e përgatit marrëveshjen. Ne duhet me marrrë këtë vendim dhe këtë vendim duhet me marrë shpejt, më së largu nesër”, ka thënë Tahiri.

Për protestuesit që thirrën “hajna”, Tahiri ka thënë se ata janë hajna vetë.

“Për ata që po thojnë hajna, unë ju kqyri në sy, jeni ma hajna se unë krejt. Unë nuk jam hajn, jam njeri përfaqësues. Nesër Qeveria duhet me ia dhënë këtë një zgjedhje”, ka thënë Tahiri.

Protestuesit e indinjuar e kanë pyetur Tahirin dhe ministrin e Ekonomisë, Blerim Kuçin se a i kanë marrë ata rrogat.

***

Punëtorët e Telekomit të Kosovës për rreth një orë janë duke protestuar para objektit të Qeverisë së Kosovës për shkak se këta punëtore ende nuk i kanë marrë pagat e tetorit. 

Derisa punëtorët vazhdonin të protestonin, nga objekti i Qeverisë së Kosovës është larguar kryeministri Avdullah Hoti. Largimi i Hotit nxiti reagimin e protestuesve të cilët brohoriten “hajnat”.

"Hajnat,", ka qenë thirrja e punëtorëve të Telekomit derisa kryeministri largohej nga ndërtesa e qeverisë.

Punëtorët e Telekomit po vazhdojnë të protestojnë para Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës Lamih Balaj, tha se nuk do të ndalen së protestuari derisa qeveria të bëjë zhbllokimin e llogarive të Telekomit dhe punëtorët të marrin pagat e tyre.

Kjo protestë e punëtoreve vije pasi kësaj ndërmarrje i janë bllokuar llogaritë bankare dhe i janë tërhequr mjetet nga kompania Z-Mobile për shkak të borxhit ndaj saj.

***

Po mbahet protesta masive e punëtorëve të Telekomit para Qeverisë së Kosovës për shkak të gjendjes së krijuar në Telekomin e Kosovës.

Shihet se numri i protestuesëve është mjaft i madh. Disa prej tyre kanë edhe pankarta me mbishkrimet “Unë punoj, Devollët pasurohen”, “Kryeministër edhe ne jemi të këtij shteti”, “Ma mirë me vdekë prej COVID-19 se nga Blerim Devolii”, “Deputetë mbrone pasurin e shtetit”.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj tha se nuk do të ndalen me protesta derisa të arrijnë qëllimet e tyre, pra zhbollokimin e xhirollogarive dhe pagat e punëtorëve.

Tutje ai tha se djersën e punëtorëve të Telekomit s’mund ta merr krimineli Blerim Devolli.

“Protestën e kemi paralajmëruar që nga muaji korrik. Është me fajin e deputetëve dhe fajin e atyre që janë në ndërtesë, pra fajin e qeveritarëve. Me fajin e tyre janë bllokuar xhirollogaritë. Sot jemi mbetë nën mëshirën e fatit. Punëtorët janë të rrezikuar të humbin vendin e punës. Në çdo moment po rrezikohen rreth 1 milionë konsumatore.

“Kemi 400 kontrata me persona fizik, antenat e vendosura ne pronat e tyre dhe tashmë kanë filluar të ndalen për shkak të mospagesës. Mund të na largojnë nga objektet për shkak se jemi në qira. Nuk do të ndalemi në asnjë formë. Do jemi në portesta të vazhdueshme derisa Qeveria ta merr përgjegjësinë për mbrojtjen e pasurisë së Kosovës”.

“Qeveri, ministër që ka mbi 2 javë që s’keni dalë më fol për gjendjen e Telekomit, ju bëjmë me dije se nuk e kemi ndërmend me u tërhekë. S’jemi dalë këtu për me rrëzu Qeverinë, por me ju kallzu se sa herë të vjedhin njerëzit në Kosovë, Telekomi s’mund me bart. Djersën e punëtorëve të Telekomit s’mund ta merr krimineli Blerim Devolli. Ju e keni pru në këtë gjendje, marre ju koft çdo cent që ia keni marrë Telekomit”.

“Nuk do largohemi nga këtu derisa t’i arrisim qëllimet tona, pra zhbollokimi i xhirollogarive dhe pagat e punëtorëve, Derisa Qeveria të merr përgjegjësinë e Telekomit”.

Punëtorët e Telekomit ende nuk i kanë marrë pagat e muajit tetor, ndërsa thonë se tashmë po rrezikohet seriozisht edhe funksionimi i ndërmarrjes.

Kujtojmë që Policia e Kosovës e kishte refuzuar kërkesën e tyre për protestë, por ata nuk i janë bindur

***

"Kryeministër edhe ne jemi të këtij shteti", "ma mirë me vdekë prej COVID-19 se nga Blerim Devolli", "Unë punoj, Devollët pasurohen", janë disa nga parullat që po mbahen në duar nga punëtorët e Telekomit të Kosovës, të cilët janë mbledhur para qeverisë së vendit për të protestuar pas gjendjes së krijuar në këtë ndërmarrje.

Kjo protestë e Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës është organizuar pasi që punëtorët e kësaj ndërmarrje ende nuk i kanë marrë pagat e muajit tetor, ndërsa kanë deklaruar se tashmë po rrezikohet edhe funksionimi i ndërmarrjes.

Kjo protestë e punëtorëve të Telekomit vije pasi kësaj ndërmarrje i janë bllokuar llogaritë bankare dhe i janë tërhequr mjetet nga kompania Z-Mobile për shkak të borxhit ndaj saj.

***

Këshilli organizativ i protestave i FSP-PTK-së po mban protestë para Qeverisë së Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat