​LDK e bindur se Nexhmi Rudari do të fitojë zgjedhjet për kryetar të Podujevës

Aktuale

​LDK e bindur se Nexhmi Rudari do të fitojë zgjedhjet për kryetar të Podujevës

Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 16:55
LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës është e sigurt se kandidati i tyre për kryetar të Komunës së Podujevës Nexhmi Rudari, do të dalë i pari në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dielën.

Kjo parti sonte hapi fushatën zgjedhore për të parin e Komunës së Podujevës. Mbështetje kandidatit të LDK-së Nexhmi Rudari, i ka dhënë edhe kryeministri Avdullah Hoti, i cili është shprehur i sigurt se kandidati i LDK-së do të arrijë fitore në zgjedhje.

Hoti: Jam i sigurt që Nexhi do të bëjë një punë të mrekullueshme

"Ta përmbyllim menjëherë me të parën që të mos ketë nevojë dy herë t’i nxjerrim njerëzit në votime. Jam i sigurt që Nexhi do të bëjë një punë të mrekullueshme për Podujevën dhe të vazhdojë qeverisjen e mirë siç e ka zakon LDK, jo pa të meta se edhe ne kemi të meta, por një qeverisje të ndershme sipas ligjit. Gjithmonë siç e kemi kërkuar besimin e juaj me punë, me ndershmëri, me parime, jo me intriga, jo me të pavërteta, jam i bindur që do ta mbyllim me sukses këtë të diel", tha ai.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës, Nexhmi Rudari, tha se për gati një vit në pozitën e nënkryetarit ka vazhduar me realizimin e projekteve për qytetarët e kësaj komune. Ai tha se një prej projekteve që kanë nisur e që është afër përfundimit është sheshi "Bulevardi i Dëshmorëve".

Po ashtu, ai përmendi projektet infrastrukturore të realizuara, ndriçim publik, kanalizim e mbështetje për bizneset e fermerët.

Rudari: Kundërkandidatët po bëjnë fushatë duke u shërbyer me trillime

"Partitë oponente dhe kundërkandidatët do të vazhdojnë të bëjnë fushatë edhe këto 5 ditë, fatkeqësisht jo vetëm duke u shërbyer me trillime, por duke shkuar edhe më tej në përpjekje për të mbërritur pushtetin e ëndërruar. Dikush duke dëmtuar pronën publike po provon të minimizojë projektet tona në të mirë të qytetarëve. Po i fikin edhe dritat në bulevarde e në rrugë që të mos shihen edhe natën projektet dhe investimet në infrastrukturë, shërbime publike, ambient, arsim, shëndetësi. Por le ta dinë se Llapin nuk po e ndriçojmë që dikush të shoh se sa kemi punuar, por që qytetarëve tanë t'iu krijojmë kushte për lëvizje më të lirë dhe me të sigurt", tha ai.

Rudari tha se kandidatët e partive tjera politike janë ‘turistë’ në Podujevë, pasi që tha se ata nuk janë banorë të kësaj komune dhe vijnë vetëm për fushatë e gjumin e bëjnë në Prishtinë. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat antiCOVID gjatë fushatës zgjedhore.

Ndërsa, nënkryetari i LDK-së, njëherësh ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Agim Veliu, u shpreh i bindur se bashkëpartiaku i tij do të jetë kryetari i ardhshëm i Podujevës.

Veliu: Kemi fituar që 16 palë zgjedhje, do të fitojmë prapë

"Edhe këtë fushatë si fushatat tjera, ne e nisim me bindjen për fitore dhe jemi të sigurt se kandidati ynë prej këtij momenti është kryetar i komunës së Podujevës. Jemi subjekti që i kemi fituar që 16 palë zgjedhje bashkërisht qofshin ato lokale, qofshin nacionale dhe nuk ka kurrfarë arsye që të mos vazhdojmë edhe më tutje me një kontratë të re me ju që kryetari ynë t'i vazhdojë projektet e nisura dhe të mendojmë për mandatin e ardhshëm të plotë", tha ai.

Veliu tha se ani pse nuk kanë bërë ftesë për qytetarët që të marrin pjesë në këtë hapje të fushatës, ai tha se LDK është parti e madhe.

Zgjedhjet për kryetar të Podujevës do të mbahen këtë të diel, ku të parin e kësaj komune e synojnë edhe PDK me kandidatin Naim Fetahu dhe Lëvizja Vetëvendosje me Shpejtim Bulliqin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat