Kush do të bëhet president? PDK-ja paralajmëron zhvillime interesante

Aktuale

Kush do të bëhet president? PDK-ja paralajmëron zhvillime interesante

Më: 24 nëntor 2020 Në ora: 09:41
PDK

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj u shpreh se për çështjen e zgjedhjes së presidentit do të ketë zhvillime interesante.

Ai theksoi se në këtë garë do të këtë disa kandidatë.

“Unë kam thënë që PDK do të votojë një qeveri kur të ketë postin e kryeministrit.

Nëse i kthehemi gjendjes aktuale është më plot sfida, ato sfida njëkohësisht janë edhe mundësi për klasën politike që të tregojnë një pjekuri dhe sfidat t’i kthejnë në zgjidhje. Sa i përket zgjedhjes së presidentit është një temë e cila po na pret por deri atëherë kemi 5 muaj dhe shpresoj që brenda 5 muajve kjo klasë politike do të gjejë një zgjidhje.

Deri më tani kemi një kandidaturë zotin Ramush Haradinaj. Ai ka paraqitur kandidaturën e tij, mirëpo ajo kandidaturë nuk është zyrtare, pasi për të qenë e tillë duhet të vinte nga koalicioni qeverisë dhe jo nga lider i një partie. Do të kemi zhvillime interesante. Mund të kemi shumë zgjidhje. Mund të kemi më shumë se një kandidat.

Deri më tani koalicioni qeverisë nuk ka paraqitur kandidat, as PDK-ja nuk ka paraqitur kandidat. Sa më shumë t’i afrohemi datës, gara do të bëhet më interesante dhe do të dalin pretendentë të rinj”, u shpreh ai .

Totaj ka besim se presidenti do të zgjidhet me konsensuse nga liderët politikë.

“Zoti Mustafa këtë e ka thënë përmes mediave, por do ishte mirë që kjo çështje të diskutohet përmes liderëve të partive dhe aty do të tentonte të gjendet një zgjidhje.

Mirëpresim që rreth kësaj çështje të ketë diskutime. Nëse duam të gjejmë zgjidhje do të duhet të kishte patjetër edhe një tryezë mes liderëve.

“Nuk e kemi luksin që të mbajmë zgjedhjet çdo vit. Mendoj se akoma nuk janë shterur të gjitha mjetet dhe mendoj se mund të gjendet zgjidhje pa shkuar në zgjedhje. Zgjedhjet janë zgjidhja e fundit”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat