Dosja e OKB/ Dëshmi nga dhuna seksuale në Qirez, serbët hodhën në pus 8 gra të gjalla

Aktuale

Dosja e OKB/ Dëshmi nga dhuna seksuale në Qirez, serbët hodhën në pus 8 gra të gjalla

Më: 24 nëntor 2020 Në ora: 14:20
Pamje nga lufta e Kosovës

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë kishte tërbuar forcat ushtarake serbe. Në çdo pëllëmbë të Kosovës u kryen vrasje masive, ku në listë ishin edhe gratë e fëmijët.

Një ditë më parë raportuam për krimet serbe në Izbicë të Skënderajt, ndërsa sot do të zbulojë fakte të dhunës seksuale në Qirez të së njëjtës Komunë.

Gjithçka nisi më 26 mars 1999, ku forcat ushtarake nisën sulmin masiv në zonë. Xhevahire Rrahmani dhe familja e saj shkuan nga shtëpia e tyre në fshatin Duboc, komuna e Vushtrrisë, në shtëpinë e një të afërmi në fshatin Kozhicë në komunën e Skënderajt.

Ata kishin qenë në fshat tri net kur “forcat serbe” filluan të granatonin fshatin nga Qirezi dhe si rezultat të gjithë burrat, duke përfshirë edhe burrin e Rrahmanit, shkuan të fshiheshin në malin e Çiçavicës.

Më 29 mars 1999 ose rreth kësaj date, rreth 300 persona nga Kozhica, përfshi Rrahmanin dhe fëmijët e saj, u mblodhën në oborrin e një shtëpie. Një predhë ra në oborr duke vrarë dhe plagosur disa njerëz. Rreth 30 “ushtarë” të veshur me uniforma të gjelbra, disa prej tyre me shirita të kuq në krah, erdhën në oborr dhe kishin filluar t’i ndihmonin të plagosurit dhe t’ua lidhnin plagët.

Rrahmani pa kur ushtarët vranë një të sëmurë mendor. Më pas ushtarët filluan t’i digjnin shtëpitë e fshatit me benzinë. Rrahmani shkoi në Gllogoc në shtëpinë e një të afërmi të saj ku qëndroi 10 ditë. Pastaj ajo dhe familja e saj shkuan përsëri në Kozhicë në kërkim të ushqimit, ku u kap nga ushtarët Serbë.

Serbët grumbulluan në një banesë afërsisht 60 gra e fëmijë në një shtëpi në Kozhicë. Pas natës së dytë apo të tretë, disa grave u thanë se duhej të shkonin në Qirez dhe të fshiheshin në xhami që të mos vriteshin nga NATO-ja dhe sepse do të fillonte një ofensivë.

Sipas Rrahmanit, pasi gratë kishin hyrë të gjitha në një stallë në Qirez, ushtarët filluan t’i nxirrnin një nga një gratë. Gruaja e parë që u kthye në stallë i tha Rrahmanit se e detyruan t’i hiqte rrobat. Afërsisht për dy orët të gjitha gratë, përveç dy plakave, u nxorën nga stalla një nga një dhe u kontrolluan në të njëjtën mënyrë.

Disa, sidomos ato më të rejat, u nxorën jashtë vazhdimisht dhe u kthyen me rroba të prishura, të tmerruara dhe refuzonin të tregonin se çfarë u kishte ndodhur. Njëra tha se i kishin zhveshur lakuriq. Në një moment edhe K24-a u nxor jashtë, ku pa dy burrat e tjerë me emblemën e tigrit.

Teksa një prej ushtarëve tentoi ta përdhunonte, K24 humbi vetëdijen. Kur erdhi në vete e kuptoi se nuk e kishin përdhunuar. Më tej u urdhërua të çohej dhe të nisej për në stallë. Pak para se të hynte në stallë, ushtari që e shoqëronte i tha të ulej dhe të pushonte. Pas pesë minutash ai i tha të shkonte pas tij dhe e urdhëroi të zhvishej. Teksa gruaja refuzonte, ushtari e kërcënoi me thikë, por shpejt e humbi durimin dhe i tha të shkonte në stallë dhe ajo shkoi.

Të dy gratë dëshmuan se gjatë gjithë këtyre vuajtjeve burrat i ngacmonin me fjalë si “pra, doni republikë, doni pavarësi,” dhe, “doni NATO-n, Thaçin, e Rugovën.”

Kur vajzat e reja u nxorën jashtë për herë të fundit, ushtarët i lidhën dyert e stallës me tel. Pas pak, ushtari biond u kthye dhe urdhëroi tetë gra që të shkonin me të. Ato vepruan sipas urdhrit, dera u mbyll dhe K24- a dhe Rrahmani dëgjuan krisma. Asnjë nga tetë gratë nuk u pa më e gjallë më pas.

Kufomat e tetë grave u gjetën në tri puse afër stallës në Qirez dhe u ekzaminuan nga misioni kriminalistik francez, diku në korrik 1999. Autopsitë treguan se të gjitha gratë kishin vdekur si rezultat i mbytjes dhe duhet të janë hedhur në pus të gjalla. Dy nga kufomat, kishin shenja të dhunës seksuale. U përcaktua se të gjitha kufomat kishin qenë në ujë rreth dy muaj e gjysmë, që sugjeronte se incidenti kishte ndodhur nga mesi i prillit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat