Kryesia e Kuvendit të Kosovës cakton datat e seancave të reja plenare

Aktuale

Kryesia e Kuvendit të Kosovës cakton datat e seancave të reja plenare

Më: 24 nëntor 2020 Në ora: 17:19
Kuvendi i Kosovës

Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të premten, më 27 nëntor, në ora 10:00, për të shqyrtuar dhe votuar pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara, ka vendosur Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot në mbledhjen e radhës në platformën virtuale.

Të hënën, ndërkaq, më 30 nëntor, do të mbahet seancë e re, në të cilën përveç pikave të zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, do të shqyrtohen edhe 12 pika të tjera.

Në këtë seancë pritet të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë, ndërsa pritet edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr.03/L-221, me Ligjin nr.04/L-116, me Ligjin nr.04/L-194, me Ligjin 05/L-063 dhe me Ligjin 05/L-007.

Në vazhdim, në rend dite do të jetë shqyrtimi i Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2020/24, si dhe raportet e punës për vitin 2019 të shtatë institucioneve të pavarura: raporti vjetor i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, raporti vjetor i Akademisë së Drejtësisë, raporti vjetor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, raporti vjetor i Agjencisë për Informim dhe Privatësi, raporti vjetor i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, raporti vjetor i Komisionit të Pavarur të Mediave 2019, si dhe raporti vjetor i Institucionit të Avokatit të Popullit.

Në këtë seancë është paraparë të bëhet edhe emërimi i Kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit të KOSTT, si dhe zgjedhja e Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit.

Më 13 dhjetor 2020, ndërkaq, Kuvendi do të mbajë seancë të veçantë për personat me nevoja të veçanta, sipas kërkesës së deputetit Fetah Rudi.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia vendosi që të përsëritet shpallja e konkursit publik për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nga komunitetet joshqiptare. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat