Ish-luftëtari, gjykatësi e mjeku, nisin garën për t’u bërë President

Aktuale

Ish-luftëtari, gjykatësi e mjeku, nisin garën për t’u bërë President

Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 12:46
Ramush Haradinaj, Nehat Idrizi dhe Ferid Agani

Pas shkuarjes së Hashim Thaçit në Hagë dhe largimit nga pozita e presidentit, që tani e ushtron Vjosa Osmani, është prilli afati i fundit kur vendi duhet të bëhet me kryetar të ri të shtetit, ose shkohet në zgjedhje të reja.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka paralajmëruar se javën tjetër nisin diskutimet e partive për presidentin, por që në këto takime nuk pritet të marrë pjesë partia e parë opozitare Lëvizja Vetëvendosje pasi thotë se presidenti duhet të zgjidhet pas zgjedhjeve të reja.

Ndërsa pritet të shihet nëse do të arrihet ndonjë marrëveshje mes LDK-së, PDK-së, AAK-së e NISMA-s partive për presidentin, pa Vetëvendosjen apo vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, deri tani veç janë shpallur tre kandidatura për president.

Ramush Haradinaj, kandidati i parë

I pari që e shpalli kandidaturën është kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili po pret që të marrë mbështetje nga partitë, dhe e ka thënë qartazi se nëse nuk votohet, atëherë ai do të largohet nga qeveria dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

Kandidaturën e Haradinajt e shpalli partia e tij AAK, muaj më parë, dhe vazhdojnë të insistojnë se Ramushi është i duhuri për president të vendit, siç thonë edhe për shkak të sulmeve që Serbia po bën kohëve të fundit ndaj Kosovës.

Nehat Idrizi, kandidati i dytë

Kandidati i dytë që shprehu hapur vendimin për t’u bërë president është ish-kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Nehat Idrizi.

Ai kandidaturën e shpalli më 20 nëntor duke thënë se “është një ofertë e imja për këtë pozitë”.

Nehat Idrizi ka qenë ish-kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, është i diplomuar për drejtësi në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ndërkaq vite më parë ka qenë aktivist i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ferid Agani, kandidati i tretë

Sot është shpallur edhe një kandidaturë e re për president të vendit.
Partia e Drejtësisë, dega në Gjilan, ka kërkuar nga koalicioni qeverisës NISMA-AKR-PD, që kandidat konsensual për presidenti të jetë kryetari i këtij subjekti politik(PD), Ferid Agani.

PD thotë se Agani si një personalitet do të përfaqësonte qytetarët në mënyrën më të mirë të mundshme, kandidat me emër dhe me bagazh të gjatë politik.

“Prof. Dr. Ferid Agani, një personalitet i njohur, që rrjedh nga një familje patriotike, me potencialin e tij propozohet kandidat për pozitën e Presidentit për pesë (5) vitet e ardhshme nga ana e PD-së dega në Gjilan, dhe ky propozim i bëhet në mënyrë publike subjekteve të koalicionit, por edhe opinionit publik”, ka thënë kjo parti.

Theksojmë se aktualisht kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani është duke ushtruar postin e presidentes, ajo është emëruar në këtë pozitë pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, ku shkak për këtë ishte konfirmimi i aktakuzës nga Specialja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat