Dosja e OKB/ Shfarosja e familjes Berisha, e mbijetuara: E plagosur, u arratisa nga kamioni plot me kufoma

Aktuale

Dosja e OKB/ Shfarosja e familjes Berisha, e mbijetuara: E plagosur, u arratisa nga kamioni plot me kufoma

Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 14:37
Shtëpia e familjes Berisha

Më 26 mars 1999 ose rreth kësaj date forcat e Ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë rrethuan oborrin e familjes Berisha në Suharekë.

Ata ishin acaruar sepse dy net më parë në shtëpinë e Jashar Berishës kishin bujtur zyrtarë të OSBE-së për të hetuar ngjarjet që po ndodhnin në Suharekë.

Forcat ushtarake urdhëruan banorët të dilnin nga shtëpitë. Burrat u ndanë nga gratë dhe fëmijët dhe u vranë gjashtë anëtarë të familjes.

Anëtarët e tjerë u çuan në drejtim të një kafeneje. Këta njerëz u futën në kafene, bashkë me tri grupe të familjes së gjerë të Berishëve. Më pas hapën zjarr kundër njerëzve që ndodheshin brenda.

Në kafene u hodhën edhe lëndë shpërthyese. Në këtë aksion u vranë së paku 44 civilë dhe u plagosën rëndë edhe të tjerë. Kufomat e viktimave u vendosën në platformën e një kamioni, i cili u nis në drejtim të Prizrenit. Tre individë të plagosur, të cilët u hodhën në kamion bashkë me kufomat, kërcyen prej kamionit gjatë rrugës për në Prizren.

Kufomat nga vrasja e familjes Berisha janë gjetur ndërkohë në dy vende: së pari në një poligon në komunën e Prizrenit dhe së dyti në një vendvarrim të përbashkët në Batajnicë të Serbide.

Tërbimi i serbëve në Suharekë kishte shkak aktivizimin e UÇK-së në këtë komunë dhe fshatrave përreth. Patrullat serbe sulmoheshin shpesh dhe në shumë raste rezultonin në policë të plagosur ose të vrarë.

Dëshmia e të mbijetuarës

Gjithsej 25 anëtarë të familjes Berisha e kaluan natën e 25-26 marsit 1999 në shtëpinë e Vesel Berishës, i cili ai vetë nuk ndodhej në shtëpi në atë kohë. Më 26 mars 1999, Shyhrete Berisha pa dy tanke të vendosur në kodrat, të drejtuar nga shtëpia. Më pas serbët zbarkojnë në banesë. Zonja Berisha dëgjoi njërin prej tyre, duke thirrur Bujarin me emër.

Nëna e Bujarit, Havaja, doli jashtë, por ai vazhdoi të kërkonte Bujarin duke bërtitur se do t’i vrisnin të gjithë shqiptarët. Menjëherë pas daljes së Bujarit, u dëgjuan të shara dhe krisma armësh, ku u vranë 4 burra.

Zonja Berisha dëgjoi dikë duke bërtitur “vritini, vritini” dhe pastaj pa Nexhmedinin afër saj, kur u rrëzua. Kur kuptoi se do t’i vrisnin të gjithë, ajo u tha fëmijëve të ndaheshin në dy grupe dhe të vraponin. Anëtarët e familjes Berisha u takuan në një piceri aty afër dhe serbëti i gjetën sërish.

Vrasja e familjes Berisha në picerinë e qytetit

Pasi hynë brenda, policët serbë i thanë familjes Berisha të uleshin në tokë. Pastaj policët hapën zjarr dhe hodhën bomba në piceri. Pasi u ndalën të shtënat, ata hynë në ndërtesë dhe filluan t’i çonin kufomat për të parë se a kishte mbetur kush gjallë dhe i vrisnin. Shyhrete Berisha ishte plagosur nga plumbat dhe ciflat e bombës dhe pastaj u qëllua edhe një herë. Sidoqoftë, ajo dhe dy të tjerë, Vjollca dhe Gramozi, mbetën gjallë pas sulmit.

Edhe Halit Berisha dëshmoi për ngjarjet e 26 marsit 1999. Ai dëshmoi se atë mëngjes vëllai i tij Jashari, shkoi në punë si zakonisht, edhe pse e kishte lutur të rrinte në shtëpi. Nga mesdita Jashari i telefonoi dhe i tha të largohej sepse në qendrën tregtare të qytetit po vriteshin njerëz. Jashari i tha se policët i kishin masakruar familjen në picerinë e Suharekës. Më pas edhe ai u gjet nga serbët dhe u ekzekutua pranë familjes.

Fshehja e kufomave

Kufomat e të gjithë personave në piceri, përshirë edhe tre mbijetuesit, u ngarkuan në kamion dhe u dërguan në drejtim të Prizrenit. Zonja Berisha, Vjollca, dhe Gramozi ia dolën të iknin nga kamioni gjatë rrugës; më pas dikush i mori dhe i dërgoi në fshatin e afërt, ku zonjës Berisha i mjekuan plagët.

Të nesërmen e vrasjes së familjes Berisha, rezervisti K83-shi u udhëzua që t’i tregonte “mbrojtjes civile” se ku ishin kufomat e tjera të shpërndara nëpër qytet për t’u mbledhur. Ai u urdhërua që në picerinë ku u shfaros familja Berisha, të hidhej rërë për të mbuluar njollat e gjakut.

Në zonë nuk kishte rërë dhe picerisë iu vu zjarri, por çdo gjë ishte prej metali dhe objekti nuk u digj. Për një muaj pas vrasjes së familjes në piceri në qytetin e Suharekës, Shyhrete Berisha jetoi në male dhe më pas lëvizi nëpër Kosovë në një kolonë me shqiptarë kosovarë të shpërngulur.

Anëtari i familjes Berisha nis hetimin e vrasjeve në Suharekë

Me t’u kthyer në Suharekë në qershor 1999, Hysni Berisha filloi hetimet e vrasjeve që kishin ndodhur gjatë konfliktit dhe vizitoi të gjitha vendet përkatëse, përfshirë picerinë, shtëpinë e Shyhrete Berishës, dhe shtëpinë e Vesel Berishës.

Gjithashtu ai vizitoi varrezën e Berishëve dhe pa 34 varre të reja. Fillimisht i bëri hetimet mbi bazë vullnetare, mirëpo kur në gusht 1999 në Suharekë u formua qeveria e përkohshme nga partia politike e UÇK-së, kjo qeveri e zyrtarizoi pozitën e tij.

Detyrat e tij përfshinte punën në terren për identifikimin e viktimave civile. Ai përpiloi një listë të civilëve shqiptarë kosovarë nga komuna e Suharekës që ishin vrarë ose ishin zhdukur. Sipas këtyre të dhënave, numri i përgjithshëm i civilëve të vrarë në komunë gjatë konfliktit ishte 561, nga të cilët 176 janë të paidentifikuar dhe 152 nuk janë gjetur kurrë. Nga 152 personat e zhdukur, 31 janë nga familja Berisha.

Dhoma gjithashtu pranoi si dëshmi një dokument që përmban të gjitha veprat penale të dokumentuara në Kosovë dhe masat e ndërmarra në lidhje me to gjatë periudhës nga 1 korriku 1998 deri më 20 qershor 1999. Sipas këtij dokumenti, më 30 mars 1999 u gjetën tetë kufoma në një rrugë të Suharekës që është quajtur “zonë e veprimeve të UÇK-së.” K83-shi dëshmoi se vetëm një numër i vogël i anëtarëve të familjes Berisha të vrarë më 26 mars 1999 u varrosën në varrezën e Suharekës, kurse shumica u dërguan në Prizren dhe më vonë në Batajnicë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat